Flash News

KRYESORE

Ndarja nga jeta e gjeneral Rrahman Parllakut, Meta mesazh ngushëllimi: Humbje e madhe për të gjithë ne

Ndarja nga jeta e gjeneral Rrahman Parllakut, Meta mesazh ngushëllimi:

Presidenti Ilir Meta ka përcjellë një mesazh ngushëllimi në rrjetet sociale, pas lajmit të ndarjes nga jeta të gjeneral Rrahman Parllakut.

Sipas Metës, ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për të gjithë, pasi mësuam jo vetëm për karakterin e pathyer të njeriut të drejtë, por edhe për luftën dhe sakrificat sublime.

“Me pikëllim të madh dhe dhimbje të thellë mora lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Gjeneralit legjendar Rrahman Parllaku, partizanit dhe komandantit fitimtar antifashist, qëndrestarit të pamposhtur të burgjeve komuniste, veteranit me arsye dhe zë të kthjellët në mbështetje të demokratizimit të Shqipërisë.

Në udhëtimin e tij shekullor, Gjeneral Parllaku, jetoi luftën dhe paqen, fuqinë e pushtetit dhe persekutimin e pamëshirshëm, duke sfiduar kohët dhe regjimet, me përkushtim ndaj kombit, trimërinë dhe urtësinë e malësorit, shpirtin e lirisë dhe atdhedashurisë, duke mbetur i pathyer në çdo betejë që zgjodhi dhe iu imponua përgjatë 100 viteve.

Në 75-vjetorin e çlirimit të Atdheut, ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për të gjithë ne, që mësuam aq shumë nga vepra e tij, jo vetëm për karakterin e pathyer të njeriut të drejtë, por edhe për luftën, sakrificat sublime dhe kontributet e jashtëzakonshme të popullit tonë gjatë Luftës së II Botërore.

Duke u shprehur familjes Parllakut, të afërmve, miqve e dashamirësve të tij të shumtë, ngushëllimet më të sinqerta, jam i bindur se emri dhe vepra e tij nuk do të ndahen kurrë prej nesh!

Lamtumirë Gjenerali ynë fitimtar!”, shkruan Meta.

Të fundit