Ndërkombëtarëve: u intereson siguria apo demokracia?

Vladimir Gligorov /Novi Magazin

Atyre nuk u intereson demokracia. Më duhet të sqaroj ndonjë keqkuptim. Në marrëdhëniet ndërkombëtare shqetësimi i parë është siguria. Në mënyrë të veçantë në rrethanat kur ekziston konflikt territorial. Siç është rasti me Kosovën, por edhe me Bosnjë e Hercegovinën. Natyrisht edhe kudo tjetër nëpër botë.

Përshembull, gjithsesi do të ishte gjë e mirë që Rusia të demokratizohej, por deri tani për konfliktet e ngrira dhe të nxehta bisedohet me Putinin dhe jo me Navaljnin. Përse? Sepse siguria ndërkombëtare varet nga Putini. Dhe zakonisht, jo vetëm në rastin rus, por edhe në atë serb, mbështetja e jashtme për demokratizimin, të drejtat e njeriut dhe opozita mund të shkaktojnë një rritje të shkallës së mungesës së sigurisë. Shembull nuk është vetëm Rusia, por edhe Turqia. Hong Kongu është gjithashtu vetëm një sfidë e këtillë. Mbi tërë historinë për të mos folur për sistemin socialist.

Kësisoj, mbështetja e jashtme për opozitën demokratike, nëse nuk dëshirohet ndonjëfarë konfrontimi shtesë ndërkombëtar, zakonisht vjen vetëm atëherë kur pushteti autoritar nuk përbën më, ose besohet se nuk përbën, ndonjë rrezik të rëndësishëm për sigurinë. Ose kërkohet vetë rrugëdalje nga qorrsokaku, nëse gjenden përfundimisht në të, ose te demokracia. Punët janë deri diku ndryshe brenda Bashkimit Europian, temë së cilës  do t’i kthehem më poshtë.

Po marrim rastin serb. Serbia ka mosmarrëveshje territoriale me fqinjët e saj. Karakteri i këtyre mosmarrëveshjeve ndryshon nga rasti në rast, por  secilin  prej tyre pushteti në Serbi është në gjendje ta shndërrojë në një konflikt dhe ky në atë shkallë fortësie që ai dëshiron. Kjo nuk do të thotë se ky pushtet mund të sigurojë ecurinë që dëshiron në atë konflikt. Siç e dimë nga eksperienca e shpërbërjes së Jugosllavisë, e pastaj edhe Serbisë. Siguria, së paku e fqinjëve, e pastaj edhe më tej, pra varet jo tërësisht nga pushteti serb.

Kjo natyrisht vlen për secilin shtet, por atje ku nuk ka mosmarrëveshje territoriale rreziqet për konflikt ndërkombëtar janë më të vogla. Në këto raste demokratizimi, shteti i së drejtës dhe respektimi i të drejtave të njeriut mund të jenë më të rëndësishme për cilësinë e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe ndërqeveritare. Se me çfarë mjetesh mund të ndikohet në demokratizimin e vendeve të tjera, kjo është çështje e veçantë po jo e parëndësishme, por gjithsesi nuk është çështje triviale. Do t’i kthehem edhe kësaj gjithashtu.

Në rastin serb nuk është vetëm siguria e fqinjëve ajo që varet nga vendimi i pushtetit në Serbi, por janë në lojë edhe misionet ndërkombëtare apo forma të tjera. Mbi të gjitha NATO-ja mban mbi vete një pjesë të madhe të rriskut nga konfliktet në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. Pastaj edhe Bashkimi Europian, i cili ka një prani të rëndësishme politike në tërë territorin e Ballkanit. Por zvoglimi i këtyre rreziqeve, ose sigurimi nga ecuria e keqe e zhvillimit të tyre, kërkon që të mbahen marrëdhënie politike me pushtetin në Beograd, cilido qoftë ai, gjë që pa dyshim rëndon pozitën në të cilën gjendet opozita demokratike.

Qëllimi i politikës ndërkombëtare në zonat e krizës, siç është ajo ballkanike, dhe në mënyrë të veçantë ai serb, është që pushtetit, pavarësisht nga fakti se nuk është demokratik, ose më mirë po e them pa guralec në gojë, që pushtetarit autoritar t’i ofrojë mundësinë që të ketë legjitimitet ndërkombëtar, madje edhe kur nuk vlerësohet fort nëse ai ka legjitimitet brenda vendit. Me legjitimitet këtu kuptohet gatishmëria që të ndërmerren përgjegjësitë në raportet ndërkombëtare, gjë që do të thotë se pushtetari autoritar të mos kërcënojë sigurinë ndërkombëtare, ose më mirë të themi, nëse mos kontribuojë me asgjë, ose edhe së paku të mos pengojë stabilitetin ekzistues.

Kështu, faktor stabiliteti ishte Millosheviçi deri në momentin kur nuk ishte më i tillë; po ashtu ishin edhe Koshtunica dhe Tadiçi, përderisa nuk u dogjën ambasadat dhe nuk u ngritën barrikada dhe u kërcënua me luftë në Kosovë; po kështu qëndron puna edhe tani me Vuçiçin, përderisa të mos kërcënojë stabilitetin në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë.

Çfarë mund të bëjnë shtetet demokratike në mënyrë që të demokratizohet në regjim i tillë siç është ai serb, të cilit i mungon legjitimiteti i brendshëm demokratik? Një mjet është që të vendosen raporte politike me opozitën me synimin që opinionit publik t’i jepet mesazhi se mendohet që ajo është alternativa demokratike ndaj regjimit. Në mënyrë që të vendosen këto raporte, opozita serbe duhet të jetë ndikuese brenda vendit, dhe të punojë me këmbëngulje në vendosjen e raporteve ndërkombëtare pikërisht me vendet demokratike. Në mënyrë që të parit t’i duket si alternativë politike reale, ndërsa partnerëve të huaj t’ua bëjë të qartë se cila do të jetë politika e saj kur të vijë në pushtet- në konfliktet territoriale që të rritet siguria dhe të evitohet destabilizimi.

Përshembull, nuk është bindëse në mënyrë të veçantë teza se demokracia do ta zgjidhë problemin kosovar, në mënyrë të veçantë nëse kihet parasysh se opozita serbe e thoshte këtë në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar në mënyrë që të evitonte që të lidhej me një politikë konkrete në pak a shumë të gjitha konfliktet në hapësirën jugosllave.

Ndërsa punët janë ndryshe kur bëhet fjalë për vendet antare të Bashkimit Europian dhe në vendet kandidate për antarsim që kanë marrëveshje që i detyrojnë për demokraci dhe shtet të së drejtës. Bashkimi Europian këmbëngul që demokracia të ruhet atje ku është vendosur, por edhe të demokratizohen ato vende që kanë regjime autokratike. Nëse ecuritë janë negative, Bashkimi Europian në një moment mund të ndërmjetësojë mes autokratëve dhe opozitës demokratike ose përndryshe, gradualisht, të eleminojë nga antarsia vendet e Bashkimit ose ata që synojnë antarsimin, Në këtë rastin e dytë marrëveshja me Bashkimin Europian mund të prishet.

Kjo është e vështirë në rastet si ai i Serbisë, ku pushteti mund të synojë destabilizimin në masën që humbet legjitimitetin brenda vendit dhe atë ndërkombëtar.

Kësisoj ky është një proces që duhet të vazhdojë gjatë.

*Përktheu për Politko.al: Xhelal Fejza