Flash News

KRYESORE

Ndërpreu intervistën me kritikun e qeverisë, Zëri i Amerikës pushon nga puna shefen e shërbimit

Ndërpreu intervistën me kritikun e qeverisë, Zëri i

Zëri i Amerikës ka pushuar nga puna ish-shefen e shërbimit të gjuhës kineze në Zërin e Amerikës, Sasha Gong si dhe ka pezulluar nga detyra një menaxher pas një hetimi që zgjati më shumë se një vit lidhur me ndërprerjen e një interviste të drejtpërdrejtë me një kritik të njohur të qeverisë kineze.

Agjencia tha se një grup i pavarur hetimor nuk ka zbuluar prova që mbështesin zërat që qarkulluan se Zëri i Amerikës e ndërpreu intervistën pasi iu bë presion nga qeveria kineze dhe se në shërbimin kinez mund të jetë infiltruar spiunë të kinezëve.

Drejtoresha e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett e njoftoi vendimin përmes një emaili dërguar stafit të enjten, ku thuhej se agjencia “ka pushuar një punonjëse të shërbimit kinez dhe ka pezulluar një tjetër”.

Dy punonjës të tjerë të shërbimit kinez presin vendimin dhe masat e mundshme disiplinore. Një punonjës i pestë u kthye në punë disa ditë pas incidentit. Shërbimi kinez i Zërit të Amerikës transmeton për një audiencë prej 40 milionë vetësh në Kinë.

Zonja Bennett nuk pranoi të identifikonte personat e prekur nga masat ndëshkimore kur dha një intervistë. Por Sasha Gong, shefja e shërbimit kinez, e cila ishte pezulluar që pas incidentit, konfirmoi se ishte pushuar dhe menaxheri Huchen Zhang konfirmoi se ishte pezulluar.

Zonja Gong, e cila ka akuzuar publikisht Zërin e Amerikës se e ndërpreu intervistën me biznesmenin kinez Guo Wengui sepse i bëri presion Pekini, autorizoi avokatin e saj, Paul Kiyonaga t’u përgjigjej pyetjeve. Avokati tha se zonja Gong do ta luftojë vendimin përmes çdo mase të mundshme ligjore”.

“Vendimi për ta pushuar zonjën Gong është një ofezë për këdo që beson tek e drejta e fjalës, tek integriteti gazetaresk dhe pavarësia e agjencive federale,” tha avokati.

Zoti Zhang tha se në bazë të kushteve të pezullimit, nuk i lejohet ta diskutojë çështjen me persona të Zërit të Amerikës.

Bizensmeni Guo Wengui, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara, kishte shkaktuar irritimin e autoriteteve kineze në periudhën para intervistës që u zhvillua në prill të vitit 2017, pasi kishte bërë një numër akuzash bombastike për korrupsion në radhët e zyrtarëve të lartë kinezë dhe familjeve të tyre.

Të fundit