Ndërron jetë Gigi Simoni, ka fituar dhe kupën UEFA

Luigi Simonin, i njohur nga të gjithë si Gigi ka ndërruar jetë. Trajneri 81-vjeçar ka pësuar një iktus në qershorin e vitit të kaluar dhe nuk arriti të fitojë betejën me pasojat që i la.

Simoni ka drejtuar në karrierën e tij tridhjetë vjeçare 17 ekipe, duke arritur kulmin  e karrierës me Interin me të cilin fitoi Kupën Uefa në vitin 1998 ndaj Lacios, edhe pse i mbeti gjithmonë “peng” lufta për kampionatin kundër Juventusit, e vendosur nga përballja direkte që kujtohet ende për faullin e ish-trajnerit të Partizanit Mark Iuliano ndaj “fenomenit” Ronaldo.

Hera e parë dhe e vetme, kjo, ku trajneri humbi tonet e tij të buta duke akuzuar arbitrin e ndeshjes për një nga episodet më të diskutuara të futbollit italian.