Flash News

KRYESORE

Ndeshja kundër Skocisë, policia publikon masat e sigurisë në Shkodër

Ndeshja kundër Skocisë, policia publikon masat e sigurisë në

Policia ka bërë të ditur planin e masave për mbarëvajtjen e ndeshjes që do të luhet të shtunën në Shkodër mes Shqipërisë dhe Skocisë.

Policia thotë se do të ketë disa masa ndaluese dhe kufizuese mbi qarkullimin dhe parkimin e automjeteve në afërsi të stadiumit dhe në akset rrugore që lidhen me të:

Për lëvizjen e automjeteve dhe parkimin e tyre do të përdoret Unaza e Qytetit Shkodër, si nga krahu lindor ashtu edhe nga krahu perëndimor.

Për parkim të automjeteve në qytetin Shkodër do të përdoren këto vende:

▪ Sheshi “Mehmet Shpendi” tek ish Ndërmarrja e Fermentimit.

▪ Gjatësia e rrugës së Shkollës së Mesme Industriale “Arben Broci”.

▪ Sheshi tek stacioni i trenit të udhëtarëve.

▪ Sheshi dhe rruga tek “Fusha e Druve” në unazën lindore.

Në rrugën “Bujar Bishanaku”, (ose rruga e gjerë e Kirasit), duke filluar nga ora 10:00 do të ketë ndalim të qarkullimit rrugor dhe ndalim të parkimit të automjeteve në të dy kahet e rrugës, deri në orën 24.00.

Marrja e këtyre masave bëhet për arsye se kjo rrugë do të jetë e vetmja rrugë kryesore e hyrje-daljes së tifozave vendas dhe të huaj.

Në aksin bulevardi “Zogu i Parë” (ose sheshi Parrucë deri tek “Ish 5-Heronjtë”), duke filluar nga ora 10:00 do të ketë kufizim të qarkullimit dhe ndalim parkimi të automjeteve në të dy kahet e rrugës, deri në orën 24.00.

Do të ndalohet parkimi i automjeteve dhe lëvizja e tyre nga degëzimet e rrugës që të çojnë në rrugën “B. Bishanaku” dhe anasjelltas, nga ora 10.00 deri në ora 24.00.

Do të ndalohet parkimi dhe lëvizja e automjeteve në rrugën “Zyhdi Repishti” (rruga e ish poligonit të qitjes) nga ora 10.00 deri në orën 24.00.

Do të ndalohet parkimi dhe lëvizja e automjeteve në rrugën e tregut industrial dhe fruta-perime në Zdrale nga ora 10.00 deri në orën 24.00.

Do të ketë kufizim lëvizjeje të automjeteve në orët e pasdites deri në përfundim të ndeshjes në segmentet rrugore:

o “Xhabije – Parrucë”

o “Sheshi 2 Prilli – Parrucë”

o “Kryqëzimi i ish degës – Ish 5-Heronjtë”

o “Kryqëzimi i Rusit – Ish 5-Heronjtë”

Aktiviteti sportiv është parashikuar të fillojë në orën 20.45 dhe hyrja e tifozerisë, me qëllim shmangien e konfuzionit, do të nisë në orën 17.00.

Kërkojmë mirëkuptimin e sportdashësve që do të marrin pjesë në këtë aktivitet në respektimin dhe zbatimin e këtyre masave si dhe paisjen me biletë dhe dokument identifikimi, duke shmangur njëkohësisht mbajtjen me vete dhe futjen në ambientet e stadiumit të, sendeve të forta, borive, shisheve të çfarëdolloji, fishekzjarreve, monedhave apo sendeve metalike, pasi në hyrje do të kontrollohen fizikisht të gjithë.

Njoftojmë administratorët e bizneseve që zhvillojnë aktivitet tregëtar përreth dhe në afërsi të stadiumit “Loro Boriçi” të tregohen mirëkuptues duke i mbyllur aktivitetet në orën 14.00.

 

Të fundit