Ndëshkim me një hedhje firme. Një herë në muaj Tahiri do të paraqitet para shërbimit të provës

Gazetarja e kronikës në Top Channel, Anila Hoxha shkruan se nëse vendimi i shkallës së parë që shpalli fajtor Saimir Tahirin për akuzën e shpërdorimit të detyrës do të qëndrojë në fuqi edhe nga Apeli i Krimeve të Rënda, atëherë ish-ministri i Brendshëm i ka detyrim drejtësisë të paraqitet rregullisht pranë shërbimit të provës një herë në muaj, sipas një grafiku që përpilohet nga specialistët.

Gazetarja citon nenin 59, sipas të cilit i vetmi veprim që Tahiri kryen është hedhja e një firme dhe nuk ka asnjë detyrim tjetër për punë të detyruar apo punë me interes publik , siç mund të jetë puna në biblioteka apo pastrimi i ambienteve publike.

Njëri nga specialistët e shërbimit të provës shpjegon për Top Channel se çfarë do të thotë vënie në provë për tre vite.

“Mesa jemi informuar në lidhje me rastin konkret përsa i përket edhe deklarimit të medias, ne kemi marrë dijeni për këtë lloj dënimi; është një nga alternativat e dënimit me burgim sipas nenit 59, është pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënia në periudhë prove, gjë që është parashikuar edhe nga ligji 59 sipas kodit penal. Në rastin konkret kemi të bëjmë me mbajtjen kontakt me shërbim prove dhe moskryerja e veprës tjetër penale për një afat kohor siç e ka parashikuar edhe vendimi i Gjykatës” u shpreh ai.

Por ç’do të thotë mbajtje kontakti?

“Do të thotë paraqitje pranë shërbimit të provës në moment që me ardhje të urdhrit të ekzekutimit nga prokuroria në rastin konkret, normalisht fillojnë edhe procedurat ligjore sipas parashikimeve. Specialisti i mbikëqyrjes harton programin individual të hetimit dhe nuk kemi të bëjmë me rastin e aplikimit e nenit 63 të kodit penal, ku është pezullimi i ekzekutimit në dënimin me burgim dhe kryerja e një pune me interes publik është tjetër gjë komplet. Në rastin konkret kemi të bëjmë me nenin 59 dhe mbajtjen kontakt me shërbimin e provës me kusht që mos kryejë vepër tjetër penale”, shpjegon specialisti.

Ky shtetas, gjatë mbajtje në kontakt çfarë ndalesash dhe çfarë të drejtash ka?

“Ky është një rast si gjithë rastet e tjera, normalisht, kështu që për secilin rast kemi praktikat që ndiqen prej kaq shumë vitesh dhe shërbimi i provës ka që në 2009-n që ka funksionuar”, shtoi ai.

Ndërkohë, a hyn menjëherë në fuqi ky vendim?

“Në momentin që prokuroria do të na sjellë urdhrin e ekzekutimit, atëherë ne do fillojmë ekzekutimin”, shpjegon specialisti./Top channel/