Ndikoi Gjermania në anulimin e zgjedhjeve? Meta sqaron vizitën në Mynih para 30 qershorit

Presidenti Ilir Meta ka komentuar vendimin e tij për të anuluar 30 qershorin si datë për zhvillimin e zgjedhje lokale. Në Syri TV, Meta është pyetur nëse zyrtarët gjermanë kanë ndërhyrë në vendimin e tij, pasi dekretimi i 30 qershorit erdhi sapo presidenti ishte kthyer nga disa takime në Gjermani.

Meta është shprehur se askush nuk ka ndërhyrë në vendimet që ai ka marrë, ndërsa takimet në Gjermani janë bërë në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë.

“Fillimisht dua të them që unë nuk trysnohem nga asnjë forcë, e brendshme apo e jashtme. Vendimi im nuk ka asnjë lidhje me asnjë faktor të huaj, por vetëm me situatën e brendshme. Garantimi i pluralizmit dhe zgjedhjet e lira e të ndershme është një detyrim. Edhe pa këto probleme të tanishme, Shqipëria kishte probleme të mëdha nga zgjedhjet e kaluara, si ato të dosjeve që dihet botërisht se nuk janë hetuar”, sqaroi Meta.

“Vizita në Gjermani ishte konfirmuar prej kohësh dhe nuk pasur asnjë lidhje me dekretin. E gjithë përpjekja ka qenë që Shqipëria të mos ndahej nga Maqedonia në qershor, pasi në qershor ka pasur një vendim shumë më të mirë për Maqedoninë se për Shqipërinë”, përfundoi Meta.