Flash News

OP-ED

Ndjesa për kërpudhën u duhej kërkuar shqiptarëve

Olgert Rakipllari

Hipokrizia e kryeministrit tonë për prishjen e veprës së artit "KËPURDHA" të artistit gjerman Carsten Höller, është e neveritshme.

Si mund të mos jetë hipokrite ndjesa që kryeministri i kërkon artistit gjerman për veprën e tij, kur ai që në postin e parë që i është dhënë pushtet (si Ministër Kulture) gjënë e parë që ka kërkuar ka qënë prishja e një pjesë e historisë së artit shqiptar. Prishja e Teatrit Kombëtar.

Kur nuk ia doli dot me këtë post vazhdoi edhe me më shumë këmbëngulje kur iu dha posti i Kryetarit të Bashkisë. Si për të mos i mjaftuar dy humbje të një lufte të padrejtë kundrejt artit dhe artistëve u përgatit edhe më fuqishëm që në postin e tretë të gjithëpushtetshëm që iu dha si kryeministër ta realizonte ëndrrën e tij të madhe. Këtë herë u kujdes që fiksimin e tij të sëmurë ta mbronte me një ligj antikushtetues për ta shkatërruar ish-kompleksin emërmadh "SKANDERBEG".

Si mund të mos jetë hipokrite ndjesa për shkatërrimin e një vepre arti, kur ai, me arsimin e duhur dhe njohës i artit, me vetëdije të plotë kërkon rrënimin e një trashëgimie kultururore?

Kur po ky kryeminister nënçmon artin e krijuar prej artistëve të tjerë shqiptaër shumë të talentuar dhe të nderuar nga publiku, duke mos marrë mundimin të shkojë qoftë dhe si detyrim të posteve që ka mbajtur, për të ndjekur një shfaqje teatri, një ekspozitë arti apo çdo lloj eventi tjetër kulturor që organizohet nga artistë të lirë, por duke qënë selektiv vetëm me miqtë dhe tarafin e tij. Edhe këta duke i sponsorozuar me miliona euro të taksapaguesve shqiptar, për t'i promovuar artin e tij dhe të tyre jashtë vendit.

Teksa po shkruaja këta rreshta mu kujtuan fjalët e akademikut Aruel Plasari: Mjafton që, si një heqje nervi, t’ia shkulësh një shoqërie kujtesën historike që ta kthesh atë në barbare. “Mjerë ai popull që e ka humbur kujtesën historike!”, psherëtihet atëherë. Mirëpo, “atëherë” domethënë vonë.

Prandaj z. kryeministër për këtë dhunë të ushtruar mbi veprat e artit jeni Ju përgjegjësi kryesor i një revolte qytetare të drejtë dhe për këtë sëpari na detyroheni ne, të na kërkoni jo vetëm ndjesë por edhe të hiqni dorë njëherë e përgjithmonë nga ndasitë mes shqiptarëve, në të mirë e në vandalë, në veri e në jug, në vlonjatë të mirë e në kuksianë të këqij.

Të fundit