Flash News

KRYESORE

Ndryshimet në qeveri/ Sa të rrezikuar janë këto dy ministra? Vendimi sot në Asamblenë e PS  

Ndryshimet në qeveri/ Sa të rrezikuar janë këto dy ministra?

Sot në orën 10.00 pritet të mbahet Asambleja e Partisë Socialiste.

Në rendin e ditës janë 11 çështje që do të trajtohen, teksa bëhet e ditur se diskutimet do të nisin me raportin e ‘Llogaridhënies Publike të Qeverisë’.

Më tej, janë një sërë pikash sa i takon përgatitjes për zgjedhjet vendore të 2019-ës por edhe mbi gjendjen e partisë.

Po ashtu, siç është paralajmëruar edhe nga vetë kryeministri Rama, në takimin e sotëm pritet edhe vendimi nëse do të ketë ose jo shkarkime të ministrave në kabinetin e mandatit të dytë qeverisës.

Nuk dihet nëse Rama do ta marrë një vendim të tillë, por ajo që ra në sy këtë të hënë është se Kryesia e PS-së vendosi ngritjen e një grupi të posaçëm që do të merret me zgjedhjet. Pjesë e këtij grupi janë edhe dy ministra, Damian Gjiknuri dhe Ditmir Bushati.

Kujtojmë se në mars të 2017-ës, pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve, Edi Rama shkarkoi nga detyra katër ministra, Saimir Tahirin, Ilir Beqajn, Blendi Klosin dhe Blendi Çuçin.

Në sqarimin e dhënë aso kohe, Rama i cilësonte të katër ministrat si të suksesshëm, madje Tahirin kampion të qeverisë, por shprehej se i largoi nga detyra për tu angazhuar më tepër në parti dhe zonat ku ata ishin caktuar.

“Ndryshimet e qeverisë nuk reflektojnë asgjë tjetër përveç se domosdoshmërinë që udhëheqësit tanë politikë të fushatës së 18 qershorit, të fokusohen me regji të reja dhe prani të vazhdueshme pranë njerëzve, në përballimin e volumit të jashtëzakonshëm, të kontakteve me njerëzit që kërkon kjo fushatë”, u shpreh Rama në 2017-ën.

Nëse do të ndjekë të njëjtin standard si në mars të 2017-ës, me angazhimin e ri që ju caktoi këto ditë, pritet që Gjiknuri dhe Bushati të largohen nga posti në qeveri. Megjithatë, vendimi pritet të bëhet i ditur vetëm pas pak në takimin e Asamblesë Socialiste.

Të fundit