“Ndryshimet kushtetuese do shkaktojnë një krizë të cilësisë negative”, Mustafaj: Opozitës i mbetet vetëm të nxjerrë njerëzit në rrugë

“Kriza do të jetë e një cilësie të re negative”, kështu e shikon analisti Besnik Mustafaj përpjekjen që po bëhet tani nga kryeministri Rama për heqjen e koalicioneve parazgjedhore. Ndërsa u shpreh se kjo gjë do të shkaktonte një tërmet të madh në politikën shqiptare pasi partitë politike nuk janë të përgatitur për heqjen e koalicioneve parazgjedhore, Mustafaj thekson se me prishjen e marrëveshjes Bashës dhe opozitës i mbetet vetëm një zgjidhje “të dal në rrugë”.

“Prishja e koalicioneve do e vendosë Bashën para partisë së tij, që nuk do pranojë që drejtuesit e partive të tjera të futen në listat e PD.Kjo i çon partitë e vogla drejt shkrirjes, pasi ato apo drejtuesit e tyre nuk janë të pregatitura mendërisht për këtë gjë. Nuk janë ndërtuar instrumentat e duhura për të bërë këtë ndryshim tani afër zgjedhjeve.

Heqja e koalicioneve do të shkaktojë një tërmet shumë të madh në politikën shqiptare. Pavarësisht se ndërkombëtarët e kundërshtojnë, duke parë vendosmërinë e Edi Ramës… Kjo po bëhet nga Edi Rama për të ruajtur pushtetin e tij politik. Si forcë më vete del forcë e parë, por koalicion qeveritar nuk do ketë. Ky do ta ngrerë pragun tani në 5%, dhe do ja bëjë një partie si PDIU që mos futet në parlament. Në rang republike nuk merr kjo parti 5% të votave.

Amerikanët nuk kanë folur ende. Është një thirrje nga Pompeo por Kim ende s’ka folur .Duhet të flasë ajo pasi kjo marrëveshje është në një masë produkt i saj.

Çfarë i mbetet të bëjë opozita?

Opozita po përpiqet që të bëjë mospajtimin e saj me vendimet dhe përpjekjet e Ramës për prishjen e marrëveshjes. Opozita nuk ka rrugë tjetër veçse të nxjerrë njerëzit në rrugë nëse prishet kjo marrëveshje. Kriza do jetë e një cilësie të re negative”, ka thënë Mustafaj.