Flash News

KRYESORE

Ndryshohet kodi penal, burg për ata që kërkojnë vend pune në zgjedhje

Ndryshohet kodi penal, burg për ata që kërkojnë vend pune

Nëse je i papunë dhe i afrohesh një politikani duke kërkuar punë në shkëmbim të votës, atëherë dënohesh me burg nga një deri në pesë vjet. Nëse një politikan të premton një vend pune në shkëmbim të votës, ai rrezikon të dënohet nga një deri në pesë vjet burg gjithashtu.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi falë kompromisit politik PD-PS mbrëmjen e së hënës ndryshime thelbësore në Kodin Penal, dhe ligjin për Financimin e Partive, ndryshime që vendosin masa të ashpra penale për korrupsionin zgjedhor, por që njëkohësisht ka gjasa janë ndërmarrë në shkelje të kritereve kushtetuese për ndryshimin e ligjeve të rëndësishme.

Ndonëse zbatimi në praktikë i këtyre masave ka gjasa do të jetë i vështirë, së paku punonjësit e shtetit, të cilët përgjatë viteve të fundit kanë qenë vazhdimisht nën kërcënimin e drejtorëve për t’u anëtarësuar apo për të kontribuar financiarisht për një parti përkatëse, tashmë kanë mundësi të përdorin ndryshimet në Kodin Penal, pasi thjeshtë presioni i një drejtori mbi punonjësit përbën vepër penale të dënueshme me burg.

Në rast se zbatohen këto masa drakoniane ndëshkimi, Shqipëria do të bëhet një vend me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por eksperienca e deritanishme ka treguar se në fund fare, nuk janë ligjet, por mungesa e zbatimit të ligjeve ato që kanë shkaktuar problemet deri tani.

Po kështu, dhënia e premtimeve për vende pune në shkëmbim të votave më herët qe klasifikuar si kundërvajtje administrative dhe dënohej vetëm me gjobë, ndërsa tani dënohet vetëm me burg.

Politika e votave për vende pune konsiderohet si problemi kryesor i dekadave të fundit, për shkak se shkatërron mundësinë për ndërtimin e një administrate publike profesionale dhe të papolitizuar, por ky problem duket se është përshkallëzuar gjatë viteve të fundit me shfaqjen e partive të vogla si LSI dhe PDIU, si dhe për shkak të faktit se oferta reale nga partitë e mëdha për bashkëpunim me partitë e vogla është dhënia e posteve të drejtorëve funksionarëve të partive të vogla. /Reporter.al

Të fundit