Flash News

KRYESORE

Ndryshojnë procedurat për marrjen e patentës, si të aplikoni

Ndryshojnë procedurat për marrjen e patentës, si të aplikoni

Qeveria, në mbledhjen e djeshme miratoi vendimin për lehtësimin e procedurave për patentat, duke i hapur rrugë marrjes së vërtetimit online pas aplikimit në portalin qeveritar “E-albania”.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, njoftoi se online qytetarët do të tërheqin edhe vërtetimin për gjendjen e makinës.

 “Duke filluar nga java e ardhshme, asnjë institucion shtetëror, për nevojat e procedurave të veta, nuk do t’ua kërkojë më qytetarëve konfirmimin për gjendjen aktive të mjetit. Do të jenë vetë institucionet që do ta bëjnë këtë verifikim përmes portalit online “e-Albania”.  Autorizimi për rifitimin e lejes së drejtimit dhe vërtetimi për lejen e drejtimit, të cilat janë shërbime me pagesë, do të kryhen nga qytetari online. Pra, përmes portalit “e-Albania”, çdo qytetar që ka nevojë për këto dokumente mund ta bëjë pagesën online dhe gjithashtu merr vërtetimin online”, u shpreh Gjiknuri gjatë fjalës së djeshme.

PROCEDURAT E REJA PËR PATENTË:

 Vendimi i qeverisë parashikon që vërtetimet për patentë të tërhiqen online. Në rast se një qytetari i kërkohet nga institucionet vërtetim që disponon patentë, ai mund të aplikojë online në portalin “ealbania”, të kryejë online pagesën prej 200 lekësh dhe të pajiset me vërtetim. Procedura e aplikimit është e thjeshtë. Qytetari mund të logohet në sistem duke përdorur numrin NID. Zgjedh shërbimin “Pajisja me vërtetim për leje drejtimi”, kryen pagesën prej 200 lekësh dhe në ekran do t’i shfaqet vërtetimi i kërkuar. E njëjta procedurë do të ndiqet edhe për marrjen e autorizimit për të hyrë në provim për të rimarrë patentën, pas humbjes së pikëve. Në këtë rast, qytetari duhet të logojë në sistem duke përdorur numrin NID dhe të zgjedhë në sistemin “e-Albania” shërbimin “Autorizim për hyrje në provim”.

 Më pas të kryejë pagesën prej 1500 lekësh. Ndërkohë sistemi realizon kërkimin nëse qytetarit i ka lindur e drejta për pajisje me autorizim për hyrje në provim për rifitim pikësh, dhe nëse afati i pezullimit ka mbaruar dhe gjithçka është në rregull, në ekran qytetarit do t’i shfaqet autorizimi i kërkuar.

Të fundit