Flash News

OP-ED

Në 30 korrik, voto për Universitetin

Në 30 korrik, voto për Universitetin

nga Igli Tola

Tashmë prej ditësh nuk kanë munguar bisedat e takimet miqësore, me miq e kolegë studentë, profesionistët e së ardhmes duke artikuluar se përse janë të rëndësishme zgjedhjet e 30 korrikut. Pse duhet të votojmë; pse duhet të bëhemi bashkë, mbase si rrallë më parë; pse nuk duhet që fatin tonë ta lenë në rënie të lirë, por ta shfrytëzojmë optimalisht në kohë këtë mundësi që të vendosim vetë të ardhmen tonë.

Na ndodh shpesh ne të rinjve, sikundër edhe gjeneratave të tjera që, kur zhgënjehemi nga politika e qeverisja revoltën tonë e shprehim duke mos votuar dhe treguar indiferencë për procesin. Ama si 'boomerang' shohim se edhe pse ne nuk merremi me politikë, merret politika me ne. Andaj, do të ishte dyfish e pafalshme për ne dhe do të shënohet një dëm kolateral në arsimin e lartë, nqs zgjedhim të mos merremi me Universitetin. Kjo zgjedhje, kurrsesi nuk është zgjidhje.

Masiviteti në përmbushjen e detyrës qytetare për të votuar, do të tregonte se 'era' e një kohe të re do të fillojë të 'fryjë' mbi Universitetin. 'Erë' që do të sjelli ndryshime, të largojë kulturën arkaike të tanishme, të shembë 'ngrehinën' e funksionarëve që nuk kryjnë asnjë funksion në dobi dhe interes të Universitetit. Të shfrytëzojmë energjinë, moralin dhe shpresën tonë  për prishur 'status-quo' dhe sjellë në drejtim drejtues energjikë dhe vizionarë, që zotohen të bashkëpunojnë për të rifituar kohën e humbur dhe rifilluar reformat akademiko-administrative në Universitet.

Vota e studentëve, le të jetë votë për autonominë Universitare, ku politika mos të ketë mundësi të ndërhyjë e të na zgjidhë hallet, por t’u dalim vet për zot atyre. Kjo platformë, t’i atribuohet drejtuesve të rinj të Universitetit duke u kërkuar dhe punuar me ta që në aulat tona të prevalojë meritokracia, morali i lartë human dhe akademik, barazia dhe ndershmëria. Promovimi i këtij seti vlerash, jo vetëm do ta bëjë Universitetin më të mirë, por do të shërbejë edhe si 'barrierë' për t’i thënë thënë 'STOP' fushatës së fyerjeve dhe denigrimeve për të përqafuar qytetarinë, për të votuar të lirë, me ndërgjegje të pastër dhe dinjitet.

Ata pak ndër ne që janë mësuar vetëm të gjuajnë me 'gurë' mbi shtëpinë e përbashkët, e kur u shtrihet dora e bashkëpunimit për të evidentuar problematikat, shpalosur strategji veprimi dhe caktuar detyrat dhe 'deadline' specifike për secilin vihen përsëri në pozita sulmi dhe vijojnë 'refrenin'. Nuk ka si dhe pse të 'uzurpojnë' të drejtën tonë legjitime për tu shprehur me votë këta individë që kokëçarjen më të vogël e kanë për Universitetin, se interesat e tyre personalë prevalojnë mbi gjithçka e gjithkënd. Këta arrogantë, që fyejnë, nëpërkëmbin, shpifin pa kurrfarë problemi, që synojnë të na intimidojnë, të na trembin e padyshim të na përçajnë meritojnë një përgjigje në unison që ta mbajnë mend gjatë.

Në Universitet secili prej nesh kalon ndër vitet më të bukura të jetës, kësisoj dhe nuk mund të lejojmë të jemi thjesht kalimtarë. Duhet të bëhemi nismëtarë dhe pjesë integrale e ndryshimit, duhet të besojmë vërtet se e ardhmja varet e na takon pikërisht ne. Ama të ardhme pa të tashme nuk ka, ndaj të hedhim sot 'farën' e ndryshimit, të votojmë në 30 korrik dhe të gjithë ne dhe brezat pas nesh do të trashëgojnë një Universitet më të mirë dhe bashkëkohor. Të vetëvendosim për të ardhmen tonë me qetësi, optimizëm dhe zgjuarsi.

Me një llogari të thjeshtë, ne jemi grupi i interesit më i madh në vend. Nqs arrijmë të kuptojmë forcën tonë, do të fillonim të lobojmë për interesat dhe aspiratat tona. Aspirata që nisin në shkollë e vijojnë nesër në tregun e punës. Si grupi i interesit dominat, duhet të tregojmë maturi dhe përgjegjshmëri në plotësimin e detyrave tona qytetare, që më pas të gëzojmë 'vjeljen' e të drejtave tona. Të bëhemi grupi 'lokomotivë' që do ta çojë Universitetin drejt nivele e hapësorave të reja dhe jo të mbetemi 'vagoni' i fundit me avull që orvatet e çapitet si këto 4 vite. 4 vite të humbura janë shumë, por ama çdo ditë tjetër që kalon kështu pasojat që lë te ne dhe Universiteti janë në progresion aritmetik, mos edhe gjeometrik.

Ndryshimi në Universitet duhet të ndodh një ditë e më parë dhe 30 korriku është mundësia që nuk duhet ta humbasim.

Të fundit