Flash News

KRYESORE

'Ne bëjmë shtet'...por na e rrëzon Xhisiela

'Ne bëjmë shtet'...por na e rrëzon Xhisiela

Alfred Lela

Ç'të thuash për Xhisiela Malokun?! Ajo është, si jo pak vajza shqiptare të tranzicionit, të cilat kanë paguar çmimin e shpejtësisë, të tundimit, të babëzisë, të shijes së vet. Shoqet e saj i gjen ngado. Çdo 'xhisielë' e ka, e gjen, dhe e provon Rexhepin e vet, sepse çdo njeri në kërkim të majës ndesh gjithmonë me rrënjët.

Në këtë kuptim Xhisiela është një vajzë e vogël, e pambrojtur dhe e brishtë province, por më shumë se kaq ajo është një fenomen shoqëror. Nuk shpjegon vetëm veten, por edhe kohën dhe shoqërinë. Rasti e do që të shpjegojë edhe 'shtetin' e Edi Ramës.

Ju e dini se 'ne bëjmë shtet' është ndër sloganet më të dashura të Kryeministrit të Shqipërisë. Edhe pse ideja e tij për shtetin është, në më të shumtën e rasteve, bizare (e çuditshme), sërish ka ndeshur në tokë të butë sa i takon perceptimit që shqiptari i zakonshëm ka përftuar nga kjo ide e Ramës.

Hapi i parë 'shtetformues' i Ramës ishte vendimi për të hyrë në Lazarat. Ky ishte gabimi i parë dhe më i rëndë i tij, sepse zbuloi dy fakte të thjeshta: Nuk ishte liberal progresist siç e konsideron veten dhe paskërkish vendosur që ta ndante pushtetin, jo me aleatin politik (LSI), as me bashkëpuntorët e vet (PS), por me struktura paralele me aktivitete të paligjshme të cilat do ta mbështesnin në mbajtjen e pushtetit politik, sa kohë ai u krijonte lehtësira në korridoret shumëmiliardëshe të informalitetit.

Si progresit i majtë ai mund ta zhbënte në një formë spektakolare atë që konservatorët e djathtë të Berishës kishin shpërfillur apo lejuar në Lazarat. Duke e legalizuar marijuanën në 'fshatin rebel'; duke zhdukur kështu, jo vetëm një çiban politik të idesë së antishtetit, por dhe duke krijuar një premisë ekonomike të shkëlqyer për Gjirokastrën dhe Jugun të cilat do të përjetonin, automatikisht, një boom turistik. Turistët, qenia më e leshtë e planetit, do vraponin  në kërkim të 'hashashit më të mirë në botë'.

Rama ndoqi Tahirin duke lënë një polic të forcave speciale të vrarë, duke dhunuar popullatën e një fshati dhe duke krijuar një territor të paqëndrueshëm. Shkurt, duke e nxjerrë 'lulen e së keqes demokrate' nga Lazarati dhe duke e shpërndarë polenin e saj në gjithë Shqipërinë. Për vite me radhë pas 'rënies së Lazaratit', lulëzoi një ekonomi ilegale e mbjelljes, korrjes dhe trafikimit të bimës çudibërëse. (Ilegale nëse mund të thuhet diçka e tillë për një aktivitet në të cilin shteti ishte përfshirë katërcipërisht). Gratë, të rinjtë, fëmijët u bënë 'mushkat' e një 'ekonomie të re' që u siguronte dhjetëfishin e asaj që mund të fitonin në të bardhë, ndërkohë që 'kapot' mblidhninin frytet shumëmilionëshe të trafikut.

Qindra miliona eurot që u futën në Shqipëri krijuan një prosperitet iluziv, por edhe një garë të ethshme. Të vrarët dhe të zhdukurit numërohen në dhjetra, edhe pse në shumë raste policia u mundua të manipulonte provat duke i paraqitur si vetëvrasje etj. Kjo para e jashtëligjshshme kërkonte një 'derë' politike për t'u legjitimuar. Pakti i bërë herët dhe që rrëzoi të parin ish-ministrin e Brendshëm, Tahiri, filloi të shkoklohej pas rënies së tij. Ndihmuar, jo vetëm nga një tipar i natyrës njerëzore, që është autosugjestioni me paranë dhe pushtetin, por edhe aksioni opozitar i 'dekriminalizimit' dhe trysnia përherë e pranishme ndërkombëtare. Pas Habilajve dhe Tahirit u shfaq Geroni, i vëllai i ministrit të Brendshëm Xhafaj; pas tij një deputet socialist në lidhje me një gangster; e me radhë deri te përfshirja e një tjetër deputeti në mekanizmin e dhunës ndaj një vajze të re dhe presionit ndaj policisë lokale.

Ramës, të cilit do i shkonte profili i një liberali në shtet, zgjodhi atë të një kaudiljoje në pushtet. Tani, kredibiliteti i sloganit të tij 'Ne bëjmë shtet' ka rënë, bashkë me pantallonat, te këmbët e tre burrave me pushtet që ushtrojnë presion ndaj një vazje të pambrojtur dhe një oficeri policie që ka zgjedhur ekzilin nga frika e shtetit të vet, të cilin ndoshta nuk ka patur qëllim ta bëjë, por as ta zhbëjë.

Ai është oficeri i dytë i policisë që ikën nga Shqipëria pas Dritan Zaganit. Te sjellja e ngjashme e eksponentëve dhe zëdhënësve të pushtetit ndaj të dyve duhet ta gjeni dhe kuptoni zorin që kap fajtorin. Edhe për Emiljano Nuhun po lexojnë nga i njëjti tekst si për Zaganin: Eshtë i korruptuar; ka pasur paralajmërime; ka lëvizur shumë; e ka futur PD; e bën për të marrë azilin... e me radhë.

'Ne po bëjmë shtet' ka rënë tashmë si ide, pretendim dhe slogan. Ashtu si gdhendja në gur në malin e Shpiragut, në Berat, e fjalës ENVER, që është përmbysur në NEVER.

Të fundit