Flash News

KRYESORE

Në cilin breg qëndron tani zonja Bregu?

Në cilin breg qëndron tani zonja Bregu?

Arben Vata

Lexova një koment të zonjës Majlinda Bregu lidhur me protestën e opozitës. Po lexoj gjithashtu shumë komente të anëtarëve, mbështetësve të PD dhe qytetarëve të ndryshëm që komentojnë deklaratën e zonjës Bregu. Nuk do të bëj asnjë koment mbi komentin e zonjës apo komentet mbi komentin, sepse "fshati që duket nuk do kallauz". Ajo që do të them, është një episod i 6 viteve më parë, me protagoniste zonjën Bregu.

Fjala është për zgjedhjet lokale të vitit 2011 kur zoti Basha kandidonte në Tiranë për kryetar bashkie ndaj Edi Ramës. Në kulmin e fushatës, PD risolli për publikun akuzat e hershme ndaj Rames lidhur me marrëdhëniet e paqëndrueshme të tij me familjen. Në atë kohë, PD filloi të amplifikojë sërish një teori sipas së cilës Rama kishte prishur martesën e tij të parë, pasi fëmija nuk ishte i tij, por i babait, të ndjerit Kristaq Rama.

PD e përsëriste aq shpesh këtë refren sa filloi të bëhej i bezdisshëm, sidomos kur vjershat kundër Rames me këtë tematike i lexonin deputetet femra. Në një nga ditët e fushatës, zonja Bregu ishte e ftuar në studion e edicionit të lajmeve të orës 19.30 në TV Klan, ku unë punoja atëherë.

Kur i paraqita një listë me pyetje që kisha formuluar për të përpara se ajo të futej në studio, zonja u habit që nuk i kisha shkruar pyetjen standarde, atë për "inçestin familjar". "Je me ne apo me ata", më tha zonja, dhe u çudit akoma më shumë kur i thashë se është bërë bajat kjo lloj fushate. U fut në studio dhe, sigurisht, që në bisedë me folësit e lajmeve foli vetë për atë që donte.

Sot kuptohet se në cilin breg është zonja Bregu, por nuk dihet a ka kërkuar apo jo falje për akuzat e rënda ndaj zotit Rama dhe lëndimin ndaj një zonje të nderuar, që të gjithë e njohim dhe nuk kemi pse ta përmendim dhe ta lëndojme sërish.

Të fundit