Flash News
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Presidenti Begaj dekreton ligjin për zonat e mbrojtura
Mbytet në ujin e shatërvanit një i mitur afgan në Shëngjin
“Minuan sundimin e ligjit”, DASH shpall ‘non grata’ tre zyrtarë të lartë në Ballkan
Akuzohet për 4 vepra penale/ SPAK nis hetimet ndaj drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi
"Në fund, i madhi në Tiranë vendos». Gazeta zvicerane shkruan për HEC-et në Vjosë dhe 'dorën e politikës'
Andreas Reich / Neue Zürcher Zeitung
Përkthimi: Politiko.al
Vjosa rrjedh si gjithmonë. Shtrati i saj, pranë fshatit të vogël Kutë, është qindra metra i gjerë. Uji rrezëllon nën diellin e pasdites, pa pengesa lumi kërkon rrugën e vet duke dredhuar përmes brigjeve dominuese të zhavorrit. Kuta ndodhet rreth 25 kilometra në lindje të qytetit bregdetar të Vlorës, mbi një kodër në buzë të luginës së gjerë.
Në një pijetore në sheshin e fshatit, tre burra janë ulur me nga një birrë përpara. "Vjosa është thesari më i madh që kemi", thotë njëri prej tyre, i cili paraqitet si Franco Malaj. "Ne nuk do të ishim këtu pa të". Banorët e fshatit janë fermerë. Nuk ka punë tjetër këtu, thotë Luan Myrtaj, i cili gjithashtu ulet në tavolinë. Fshatarët jetojnë me atë që u japin tokat pjellore në brigjet e Vjosës. Këtu kullosin bagëtitë e tyre. Këtu ata rrisin misrin, domatet ose fasule. Ata jetojnë këtu që prej kur s'mbahet mend. Por edhe sa kohë mund të qëndrojnë më tej është e pasigurtë.
Sepse thesari i Kutës është në rrezik. Disa kilometra në drejtim të rrymës, pranë Poçemit, një kompani turke kërkon të ndërtojë një digë të madhe. Diga, kur të mbushet me ujë do të përmbysë fushat. Se si mund të vazhdohet nëse ndodh kjo, banorët në sheshin e fshatit nuk e dinë. "Nëse ata marrin tokën tonë, na kanë marrë edhe jetën", thotë Malaj.
Por diga nuk është ndërtuar ende. Me mbështetjen e ekologjistëve, banorët e Kutës paraqitën një padi kundër projektit të digës. Me sukses: Gjykata Administrative në Tiranë e ka klasifikuar vlerësimin e ndikimit mjedisor të paraqitur, si dhe përfshirjen e popullatës lokale në projekt si të papërshtatshme dhe për momentin e ka ndaluar ndërtimin. Është një sukses në kohë: Autoritetet e kanë apeluar vendimin. Tani rasti po pret të trajtohet në një gjykatë të një tjetër shkalle. Përveç kësaj, hidorcentrali i Poçemit nuk është i vetmi që do të ndërtohet në Vjosë. Gjithashtu në Kalivaç, disa kilometra më lart, është planifikuar një tjetër digë e madhe. Nëse ai do të kishte përfunduar, fushat e Kutës do të kërcënoheshin nga thatësira.
Luan Myrtaj, banor i Kutës
Biodiversiteti unik
Vjosa nuk është me vlerë të madhe vetëm për njerëzit që jetojnë në brigjet e saj. Mjedisorët dhe shkencëtarët e shohin atë si një ekosistem lumor me rëndësi europiane. Është lumi më i gjatë ekzistues në kontinent (jashtë Rusisë). Ajo derdhet në detin Adriatik pas 260 kilometrash jetë. Në këtë ekosistem jetojnë kafshë që përbëjnë specie në zhdukje në pjesën tjetër të Europës, të tilla si ngjala e rrezikuar europiane.
Pak dihet për biodiversitetin aktual të Vjosës. Krahasimisht pak hulumtime janë bërë deri më tani. Dy vjet më parë, kur 25 shkencëtarë studiuan zonën rreth hidrocentralit të planifikuar të Poçemit për një javë, gjetën vetëm aty 300 lloje kafshësh. Përfshirë një lloj peshku dhe insekti të cilat ishin të panjohura deri atëherë. Për herë të parë, ata ishin në gjendje të provojnë se 40 lloje kafshësh janë specifike për Shqipërinë. Veçanërisht për llojet e peshqve migrues, Vjosa e qartë, e ftohtë dhe zhavorrore është një habitat ideal. Lumi mund të shërbejë gjithashtu si një model për projektet e rinatyrimit në vende të tjera. Meqenëse nuk ka ndonjë lumë natyror të mbetur në pjesën tjetër të Europës, ekziston mungesa e njohurive rreth asaj se si lumenjtë e tillë "punojnë".
Franco Malaj, banor
«Një digë e vret lumin, përgjithmonë»
Nëse hidrocentralet e planifikuara do të bëheshin realitet, ky habitat do të humbiste, thotë Olsi Nika, drejtor i organizatës së mbrojtjes së natyrës Eco Albania. "Nëse ndërtoni një digë në këtë lumë, e mbytni atë përgjithmonë". Shqipëria tashmë përdor hidrocentralet për të prodhuar energji. Vendi po shfrytëzon aktualisht pak më shumë se një të tretën e potencialit të kapaciteteve të saj hidroenergjetike. Ky proporcion do të dyfishohet deri në vitin 2030. Sipas Eco Albania, lejet janë dhënë për më shumë se 500 hidrocentrale të rinj në mbarë vendin. Olsi Nika e quan këtë një "cunami hidro-energjetik" kërcënues.
Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës, një marrëveshje ndërkombëtare për ruajtjen e florës dhe faunës së egër, ka hapur procedura kundër Shqipërisë për hidrocentralet e planifikuar në Vjosa dhe i ka bërë thirrje vendit të pezullojë të gjitha projektet në lumë. Ndërkohë, duhet të shqyrtohet se çfarë ndikimi do të kishin impiantet e planifikuara të energjisë.
Ministria shqiptare e Energjetikës e pranon se kritikat e mjedisorëve për hidrocentralet e reja janë me vend. Prandaj, në fillim të vitit, kishte filluar të shqyrtonte koncesionet ekzistuese dhe të ardhshme të hidrocentraleve. Kjo çoi në ndërprerjen e "një numri të konsiderueshëm kontratash". Megjithatë, potenciali hidroenergjetik i Shqipërisë do të vazhdojë të përdoret për të siguruar pavarësinë energjetike të vendit.
Nëse do të ndërtoheshin hidrocentrale të mëdha në Vjosë, mbetet e paqartë se për sa kohë do të mund të jepnin energji. Hulumtuesit në Universitetin e Vjenës për Burimet Natyrore dhe Shkencat e Aplikuara të Jetës arritën në përfundimin se prurjet (jo ujore) të Vjosës do të mund të mbushin 80 përqind të basenit të rezervuarit të planifikuar në Poçem pas 30 vjetësh.
Mjedisori Nika nuk beson se mbulimi i nevojave energjetike të Shqipërisë është arsyeja pas kaq shumë hidrocentraleve të planifikuara. Për pjesën më të madhe, këto janë centrale të vogla energjetike, të cilat kontribuojnë pak në prodhimin e energjisë, por shkaktojnë dëmtime të mëdha ekologjike. "Ndërtimi i një hidrocentrali është mbi të gjitha një investim", thotë Nika. Jo vetëm që industria e energjisë përfiton nga ajo, por edhe industria e ndërtimit fiton. Dhe në krye të listës është politika që kontrollon proceset dhe përpiqet të përfitojë prej tyre - një terren ideal për mbarështimin e korrupsionit të përhapur në Shqipëri. Sipas Transparency International, shpesh paguhet nën dorë për lëshimin e lejeve të ndërtimit.
Nika gjithashtu kritikon faktin se Shqipëria prodhon energji elektrike vetëm nga hidrocentralet. "Sigurisht që kemi nevojë për energji. Burimet e energjisë duhet të jenë të larmishme", thotë ai. Vendi nuk ka investuar në burime të tjera të ripërtërishme të energjisë si energjia diellore apo e erës.
Olsi Nika, drejtor i EcoAlbania
"Në fund, i madhi në Tiranë vendos»
Për të mbrojtur Vjosën nga hidrocentralet, mjedisorët duan ta shpallin lumin, në gjithë gjatësinë e tij, Park Kombëtar. Megjithatë, autoritetet shqiptare po sinjalizojnë gatishmërinë për të mbrojtur vetëm pjesën e sipërme të lumit. Nga ana tjetër, rrjedha e poshtme veçanërisht e vlefshme ekologjikisht, me shtratin e gjerë dhe brigjet e larta zhavorrore, të cilat vështirë se mund të gjenden në pjesën tjetër të Europës, do të mbesin të pambrojtura. Digat e Poçemit dhe Kalivaçit mund të ndërtohen pas kësaj.
Burrat në sheshin e fshatit Kutë shpresojnë që gjërat nuk do të shkojnë deri këtu. Autoritetet u kanë premtuar kompensim për tokën e tyre, por kjo nuk i ndihmon, thonë ata. Politikanët nuk kanë asnjë ide për jetën e tyre si fermerë që mbajnë veten. "Ne nuk kemi të ardhura këtu", thotë Luan Myrtaj. Kompensimi i premtuar është shumë i ulët për të ndërtuar një shtëpi ose për të blerë banesë diku tjetër.
"Në fund, i madhi në Tiranë vendos gjithsesi," thotë Myrtaj, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama dy metra të gjatë. Ai nuk pret që vendimi do të jetë në favor të Kutës. "Ata janë të gjithë të korruptuar", thotë ai, duke lëshuar duart. Burrat shpresojnë te presioni ndërkombëtar, dhe mbi të gjitha, ata presin nga Bashkimi Europian. "Vetëm zëri i Europës mund të parandalojë digën", thotë Franco Malaj. Por edhe nëse ky zë nuk dëgjohet është e qartë për atë: "Ne qëndrojmë këtu - deri në fund".