Në fund, të gjithë bien si ‘sovranistë’

Alfred Lela

Pas timonit dhe tepsisë, Edi Rama futi në përdorim sot, në fjalimin në Parlament, një simbolikë të re politike trenin. I ardhur në politikë përmes një treni, një prej vagonëve të shumtë pas tramvajit me emrin dëshirë’të Fatos Nanos, Rama është sot vetëm për lokomotivën, ose një vagon të klasit të parë, ku ai shkëmben batuta of all the people me Myslym Habermas Murrizin dhe Halit Popper Valterin.

Ka tri mënyra të sprovuara për të vëzhguar degjenerimin apo fundin e një lideri. E para është zbythja e autoriteteve të partisë së vet, margjinalizimi i opozitës dhe rrethimi me kostume të zbrazëta, si për shembull deputetët e opozitës aktuale parlamentare, që votuan heqjen e ‘vagonëve’, edhe pse ata vetë janë futur në peronin e politikës me më të fundmin dhe të pagjasshmin e vagonëve.

Rama të kujton Enver Hoxhën i cili, pasi hoqi qafe ideologët komunistë dhe luftëtarët e lirisë, rrathë-rrathë mblodhi rreth vetes kllasën e mediokërve hekurthyes, shoferë dhe mjelëse.

Shenja e dytë e sigurt, sidomos kur bëhet fjalë për liderë të një vendi të vogël si Shqipëria, është marrja e pozave dhe ligjërimi sovranist. Sot, Rama, xhaketa e të cilit mbushur me spila i shëmbëllente një konti të rënë nga vakti, ndërsa kravata zhbironte mundësinë e një revolucioni, Fusheja i të cilit zor se do të dalë nga një prej shtatë xhuxhëve të kinseopozitës, sokëllinte për ta dëgjuar ambasadorët amerikan dhe europian. Fliste për një vendim politik, a thua se premisat e kritikave të tyre ishin gastronomike.

Shenja e tretë është kursi i përplasjes me të huajt, i cili gjithmonë në Shqipëri ka prodhuar viktima politike. Rama i di të gjitha këto dhe nuk se i bën nga marrëzia apo kokëfortësia. Në të kundërt, se i ka të vetmin shans. I mbetur pa një story për të shitur për dy mandatet në pushtet, atij i duhet të krijojë një gjendje politike ose një gerrymandering elektoral.

Gjendja politike është e pasendërtueshme për arsyet e ekonomisë, pandemisë dhe depresionit social, kështuqë ai ka shpikur një artific, bashkë me një opozitë artificiale, medemek hapjen e listave duke penguar koalicionet. Në vend të timonit ai kërkon që treni të ketë vetëm një lokomotivë: të tijën.

Duke kërkuar lënien në stacion të vagonëve të tjerë politikë, Rama na tha se ëndërron në Kuvendin tjetër pikërisht këto mallra të cilave u mollois sot. Një mazhorancë të hekurt socialiste me 7-8 imitatorë të opozitës.

Ata që janë strukur te frika nuk mund të ëndërrojnë më shumë se një parodi të tillë.