Në kërkim për vepra të ndryshme penale, ekstradohen drejt Italisë 9 shqiptarë

Interpoli Tirana njofton ekstradimin drejt Italisë të 9 shqiptarëve të arrestuar për vepra të ndryshme penale. Të ekstraduarit janë nga mosha 27 deri 72 vjec dhe janë arrestuar gjatë këtij viti në Shqipëri, pas akuzave të ngritura nga Prokuroritë italiane të Barit, Bergamos, Chietit, Firences, Aquilës, Milanos dhe Napolit.

Njoftimi i policisë:

Interpol Tirana

Vazhdon me sukses dhe rezultate të shkëlqyera puna në grup midis Policisë së Shtetit dhe Zyrës së Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane (Criminalpol).

Si rezultat i këtij bashkëpunimi, nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me Zyrën e Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane (SCIP), gjatë ditës së sotme u ekstraduan drejt Italisë 9 persona të kërkuar që janë arrestuar në Shqipëri në periudha të ndryshme në harkun kohor të një viti.

Të ekstraduarit janë shtetas shqiptar nga mosha 27 deri 72 vjeç, të cilët ishin fshehur në Shqipëri për t’iu shmangur urdhër-arresteve ndërkombëtare të lëshuara nga Prokuroritë e Barit, Bergamos, Chietit, Firences, Aquilës, Milanos dhe Napolit.

Personat që u ekstraduan janë kapur nga Policia e Shtetit dhe janë të përfshirë në vepra kriminale si shkelje e ligjit për narkotikët, vjedhje, grabitje, pastrimi i produkteve të veprës penale dhe organizatë kriminale me qëllim trafikun e lëndëve narkotike.