“Në kufijtë e jonjerëzores”/ Dr. Tabaku, akuza të forta qeverisë: Të sqarohet urgjentisht situata

Mjekja Mirela Tabaku ka bërë një analizë të asaj që po bëhet nga ana mjekësore për ta përballuar këtë luftë kundër covid-19.

Në analizën e shpërndarë për mediat nga zyra e shtypit e Partisë Demokratik Tabaku nënvizon se analizat që po zhvillohen janë shumë pak.

“Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit janë testuar vetëm 27 persona të dyshuar, ndërkohë që vetëm me kodin “korona” kanë qenë 4468. Numri i personave që paraqesin ankesa rritet, numri i të testuarve pakësohet. Çfarë po ndodh? Mungojnë tamponët, mungojnë kitet për t’i analizuar më pas mostrat që merren? Qëndrimi që po mbahet ndaj personave që paraqesin ankesa po arrin kufijtë e jonjerëzores Merren mostra nga një numër shumë i kufizuar i personave sipas disa kritereve të percaktuara, kur zyrtarisht po deklarohen raste pozitive që madje nuk i përmbushin keto kritere. “Numri i personave te infektuar- thote kryeministri- do te rritet shume”, por çfare po behet per t’i diagnostikuar ata?”, thotë doktoresha Mirela Tabaku.

Sipas saj duhet nxituar, mosveprimi do të ishte një gabim me pasoja të rënda dhe se kryeministri Edi Rama duhet të sqarojë menjëherë situatën për diagnostikimin e të dyshuarëve me COVID 19, si edhe të shtojë menjëherë fondet për tampone, kite per testet dhe për setet mbrojtëse të stafeve mjekësore.

“Ai duhet që nga zyra e tij e punës të sqarojë urgjentisht situatën, të shtojë fondet për tamponë, fondet për kite të bërjes së testeve, fondet për gjithë setet mbrojtëse për stafet mjekësore. Fakti që vetëm ne 4 rastet e fundit, 2 janë personel shëndetësor, tregon mungesën e marrjes së masave që ne kemi kërkuar me kohë. Duhet bërë gjithçka dhe sëbashku! Duhet bërë çdo gjë sa më parë dhe sa më efikase. Heronjtë tanë të sotëm nuk duhen lënë të luftojnë vetëm me shpirtrat, trupat e mendjet e tyre”, përfundon analizën mjekja Mirela Tabaku.