Flash News

KRYESORE

Në lidhje me anëtarin e bandës, kush është ish-policja që ndihmoi në grabitjen e milionave në Rinas

Në grabitjen në Rinas, ku dyshohet se pjesë e bandës janë 17 persona, ka ndihmuar dhe një ish-efektive policie.

Klan Tv mëson se ajo është E.Bici, ish-punonjëse e Policisë së Shtetit në vitin 2015, e cila është shkëputur nga policia me dëshirën e saj.

31-vjeçarja, sipas burimeve nga Prokuroria për Krimet e Rënda, ka pasur rol të rëndësishëm në grabitje. Ajo dyshohet se është personi që ka bërë lëvizjen e parave nga makina më të cilën u larguan grabitësit për në një vend tjetër. Shuma e parave, sipas hetuesve, besohet se është ende në zonën e Niklës.

Ish-policja besohet gjithashtu se është personi që ka djegur makinën në Bathore, për të shpërqendruar aksionin e policisë. Për ndalimin e saj është duke u zhvilluar një aksion në Tiranë.

E.Bici, në bazë të informacioneve të mbledhura, dyshohet se është njohje e vjetër e Admir Murataj dhe grupit të tij dhe se ka dyshime se kishte lidhje intime me njërin nga anëtarët e bandës.

Televizioni Klan mëson se ajo ka marrë pjesë edhe në grabitjen e 9 Shkurtit 2017, ku në rrugën e Rinasit u grabitën rreth 3,8 milionë euro. Edhe në këtë ngjarje, ajo ka qenë e ngarkuar me transportin e parave. Ndërsa shkëputja e saj nga puna përkon me grabitjen e parë, që ka bërë grupi i Admir Muratajt, tek një bankë e nivelit të dytë pranë Stacionit të Trenit.

Kujtojmë që deri më tani të arrestuar janë pesë persona. Ndërsa sot Oltjon Veseli, Renaldo Sulaj dhe Saimir Çela u lanë në burg pa afat, ndonëse mohuan të kenë marrë pjesë në grabitje.

Të fundit