Flash News

KRYESORE

Në rrjetën e OFL, miku i Shullazit dhe “Nita” i arrestuar në operacionin ‘Volvo-4’

Në rrjetën e OFL, miku i Shullazit dhe “Nita” i arrestuar

Operacioni Forca e Ligjit i ka dërguar një kërkesë për deklarim pasurie si dhe për sekuestrimin e pasurisë në kushtet e emergjencës:

- Orges Jahelezin, banues në Tiranë, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale "Trafikim i narkotikëve, në bashkëpunim";

- Pajtim Seriani, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”;

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së.

Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Po në përmbushje të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ, OFL vijon veprimet e pandërprera, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtoritë Vendore të Policisë në qarqe, duke kryer veprimeve komplekse, për të evidentuar dhe dërguar në SPAK të gjithë personat që janë subjekt i Ligjit Special.

Kush janë dy subjektet e OFL:

Pajtim Seriani

Në vitin 2016, Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar me 7 vjet burg Pajtim Serianin, i njohur si miku i Emiljano Shullazit dhe Ditmar Reçi, i akuzuar si pjesë e një grupi kriminal, të akuzuar për gjobëvënie dhe kanosje ndaj një biznesmeni të kafesë në Tiranë.

Në vitin 2004 ai u dënua së bashku me Gilmando Danin, pasi kishin kanosur me armë shtetasin Klodian Myrto.

Orges Jahelezin

Orges Jahelezin i njohur ndryshe edhe si Artan Elezi, me pseudonimin “Nita”, nga Tirana është akuzuar për trafik droge.

U arrestuan si pjesë e grupit të Shijakut, në shtator të 2018-ës si pjesë e operacionit ‘Volvo-4’.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan 27 persona brenda një dite si pjesë e “Bandës së Shijakut” dhe të Lezhës, mes tyre edhe dy ish- deputetët e PS, Arben Ndoka dhe Arben Çuko.

Të fundit