Në Shqipëri janë fshirë regjistrimet e arratisjes së Nikolla Gruevskit

Kryeprokurori i Maqedonisë së Veriut, Lubomir Jolevski ka konfirmuar se Shqipëria nuk i ka dorëzuar asnjë regjistrim nga kamerat e sigurisë mbi arratisjen e ish-kryeministrit Nikolla Gruevskit. Sipas deklaratës që raporton ‘Radio Evropa e Lirë’, Jolevski është shprehur se regjistrimet e autoriteteve shqiptare janë fshirë nga sistemi në mënyrë automatike.

“Nuk janë fshirë qëllimisht nga shërbimet kufitare shqiptare. Ka disa momente në shpjegimin e tyre. Një gjë është se të dhënat janë të shumta në kamerat e sigurisë dhe se sistemi nuk mund t’i ruajë për një kohë të gjatë. Nuk i kanë fshirë, por ato pajisje punojnë në mënyrë automatike”, ka deklaruar Jolevski.

Gruevksi, i cili ka fituar azil në Hungari, u arratis nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia për të mbërritur në shtetin e Bashkimit Evropian. Ai është dënuar me dy vite burg për shpërdorim të detyrës në rastin e blerjes së një makine zyrtare të blinduar në vlerë prej afro 600 mijë euro. Kundër tij janë duke u zhvilluar edhe të paktën katër procese tjera gjyqësore.