Në vështirësi nga protestat, Aleksandar Vuçiç derdh lot për bombardimet e NATO-s

Në 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, në Beograd u organizua një ceremoni për të përkujtuar viktimat serbe nga luftimet. Në ceremoni mori pjesë edhe presidenti Aleksandar Vuçiç, i cili dha një ‘shfaqje të madhe’ për qytetarët, që protestojnë prej muajsh kundër tij. Ai shpërtheu në lot kur kujtoi viktimat e bombardimeve.

“Askush nuk u përgjigj për krimet, civilët serbë, për NATO-n ishin vetëm gabim. 2500 jetë nuk do t’i harrojmë dhe nuk guxojmë t’i harrojmë. Gabim janë ata të cilët i vranë. Këtë Serbia sot guxon dhe duhet ta thotë, sepse sa do që të punojnë kundër saj, Serbia është më e fortë dhe më e fuqishme se kurdoherë, ka thënë Vuçiç.

Ai ka përsëritur se Serbia nuk dëshiron të hyjë në NATO dhe se neutraliteti ushtarak është zgjedhje e natyrshme.

Presidenti serb nuk dha asnjë mesazh për mijëra shqiptarë të Kosovës që humbën jetën për shkak se ushtria e Serbisë u përpoq t’i shfaroste. Beogardi vijon t’i mohojë gjenocidet që ka kryer në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë.