Flash News

KRYESORE

Neglizhenca e pushtetit që vrau katër vetë në Torovicë

Duhej të ndodhte kjo ngjarje e rëndë, e paralajmëruar, që të “kthjellohej” pushteti, politika. Tragjedia e djeshme në Torovicë të Lezhës ku humbën jetën dy vëllezër dhe bashkëshortja e njërit prej tyre, shtatzënë, ka qenë një tragjedi e paralajmëruar pasi prej kohësh rruga që të çon në këtë fshat është e degraduar dhe as pushteti qendror dhe as ai vendor nuk i kanë kthyer sytë.

Me gjithë premtimet në kohë fushate, banorët nuk kanë parë asnjë ndryshim në rrugën që përshkojnë çdo ditë, dikur rruga e vjetër që të çonte në Shkodër. Ndoshta rikonstruktimi i saj dhe një studim i tokës përbri mund të kishte shmangur këtë ngjarje të rëndë që i mbylli derën një familje.

E sot, një ditë pas aksidentit specialistë të gjeologjisë vënë alarmin, pasi sipas tyre mund të shemben gurë të tjerë.

“Gurë të tjerë rrezikojnë të shemben sërish. Një banesë është totalisht e rrezikuar. Po bëhet krehja e zonës për të parë situatën dhe mundësinë për të ndërhyrë për shkëputjen e tyre të kontrolluar me qëllim shmangien e tragjedive si ajo e një ditë më parë”, janë shprehur ata.

Tre pjesëtarë të një familjeje, mes tyre edhe një grua shtatzënë nga fshati Balldre i Lezhës, humbën jetën tragjikisht, pasi automjeti me të cilin udhëtonin u godit nga një masiv shkëmbor që u shkëput nga mali.

Tre të rinjtë po udhëtonin me një automjet fuoristradë, tip “Land Rover”, nga Balldreni në drejtim të Torovicës, kur makina u godit nga shkëmbi që u shkëput nga një lartësi prej 200 metrash. Masa e madhe shkëmbore, pasi goditi mes përmes makinën, përfundoi në një parcelë aty pranë. Shenjat që ka lënë nga maja e malit, nga ku u shkëput dhe deri ku është ndalur tregojnë forcën që ka pasur shkëmbi i një madhësie të konsiderueshme.

Shkëmbi ka rënë në mes të makinës, duke u shkaktuar vdekjen e menjëhershme tre personave, të cilët kanë pësuar dëmtime të shumta nga goditja që pësoj mjeti i tyre. Tre pjesëtarët e familjes Zefi ishin nisur në drejtim të fshatit Torovicë për vizitë te familja e nuses, për të festuar festën e fshatit së bashku, po udhëtimi i tyre përfundoi në tragjedi vetëm 2 km larg destinacionit ku ishin nisur.

Çifti Edmond Zefi, 31 vjeç dhe Aida (Gjergji) Zefi, 21 vjeçe, kishin vetëm pak kohë që kishin kurorëzuar lidhjen e tyre të dashurisë. Edmondi dhe Aida një vit më parë organizuan dhe ceremoninë e dasmës që për ta do të ishte një fillim i ri për krijimin e familjes së tyre.

Ndërsa pak muaj më pas morën dhe lajmin që prisnin një fëmijë, pasi Aida ishte 7-muajshe shtatzënë. Edmondi punonte si mekanik makinash në një servis në fshatin Balldre të Lezhës, zonë dhe ku jetonin bashkë më familjen, kurse Aida merrej kryesisht me punët e shtëpisë.

Kurse vëllai i Edmond, Valentin Zefi, i cili gjithashtu mbeti viktimë, sipas të dhënave ishte beqar. 29-vjeçari merrej me punë bujqësie, pasi dispononte një mjet zetor. Tri viktimat jetonin bashkë me prindërit në një banesë në fshatin Balldre.

Familja Zefi përbehej nga katër djem dhe një vajzë, ku më i vogli ishte Valentini, ndërsa dy djemtë më të mëdhenj janë të martuar dhe jetojnë veçmas.

 

Të fundit