Flash News

KRYESORE

Neglizhencë dhe paaftësi, Çako “shkrin” policinë e Velipojës

Neglizhencë dhe paaftësi, Çako “shkrin”

Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako urdhëroi sot Drejtorinë e Standardeve Profesinale “Për kryerjen inspektimit, verifikimin e ndërtimeve pa leje në Njësinë Administrative Velipojë, si dhe masat e marra nga Policia, për vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetësave që kanë kryer ndërtime pa leje në këtë territor”.

Kështu, me urdhër të drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako, është “shkrirë” stacioni i policisë së Velipojës.  Ky vendim vjen, për shkak të neglizhencës së konstatuar në detyrë për parandalimin e ndërtimeve pa leje.   Në datë 7 korrik 2017 u krye inspektimi në Stacionin e Policisë Velipojë, Komisariati i Policisë Shkodër. Nga verifikimet dhe veprimet e kryera rezultuan disa ndërtime pa leje, si dhe u konstatuan shumë mangësi nga policia vendore.

Mes tyre u konstatua mosnjohja e situatës në lidhje me kontrollin e territorit për ndërtimet e paligjshme kryesisht në zonën e plazhit, ku përgjegjësi ka ndihmës specialisti i Policimit në Komunitet, specialisti për Krimet dhe Shefi i Stacionit të Policisë.

Nuk janë zbatuar detyrat e përcaktuara në aktet e ardhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me përgjegjësi ngarkohet Specialisti për Krimet dhe Shefi i Stacionit të Policisë Velipojë. Nisur nga shkeljet e konstatuara është vendosur:

- shkarkimi nga detyra i Shefit të Stacionit të Policisë Nënkomisar E.Gj.

- pezullimi nga detyra i Specialistit për Krimet Nënkomisar D.S., dhe ndaj tij nis hetimi disiplinor

- fillimi i ecurisë disiplinore për shkelje të rënda disiplinore ndaj Ndihmës Specialistit të Policimit në Komunitet, Inspektor P.N.

Policia e Shtetit thotë se është e vendosur të ndëshkojë ashpër çdo paligjshmëri, përfshirë edhe masat ndaj punonjësve të saj, kur konstatohen shkelje në detyrë. Në këtë kuadër, ftohen qytetarët që të denoncojnë çdo rast që konstatojnë.

Të fundit