Negociatori i ‘Rambujesë’: Putin nuk është i interesuar për Ballkanin; Kosova në BE pas 30 vitesh

Ish-negociatori i BE-së në bisedimet e paqes në Rambuje, Wolfgang Petritsch ka komentuar situatën politike në Ballkanin Perëndimor dhe ndikimin e fuqive të mëdha. Sa i përket Rusisë, Petritsch nuk sheh interesim të presidentit Vladimir Putin mbi Ballkanin Perëndimor, por qëllimi kryesor i tij është dobësimi i Bashkimit Europian.

“Pretendimet për ndikimin e influencave të huaja në Ballkan janë të ekzagjeruara. Presidenti Vladimir Putin nuk interesohet për Ballkanin, por për BE-në. Vënia në dukje e dobësive të BE-së është qëllimi i vërtetë i politikës së jashte të Rusisë, ndaj është e nevojshme të bisedohet në mënyrë të vendosur dhe konstruktive me Putinin”, ka deklaruar Wolfgang Petritsch.

Diplomati austriak e konsideron Serbinë si vendin më të rëndësishëm në rajon, ndërkohë thekson se çështja e marrëdhënieve shqiptaro-serbe është vendimtare në rajon, veçanërisht lidhur me Kosovën.

Wolfgang Petritsch ka deklaruar se Bosnja dhe Kosova kanë mbetur mbrapa vendeve të tjera të Ballkanit, ndërsa anëtarësimin e Prishtinës në BE nuk e sheh të mundshëm për të paktën edhe 30 vite.