Flash News
Vendimi për çështjen e vulës, Bardhi: Gjykata e Lartë t’i japë fund absurdit, PD i përket anëtarëve të saj
Nasip Naço del nga SPAK: U pyeta për çështjen ÇEZ-DIA, kam folur me letra, jo me heshtje
Shtyhet sërish seanca për Berishën, shkak mungesa e prokurorëve
Investimi në Sazan/ Rama pyetet pse nuk shpall tender kombëtar: Do shqyrtojmë aplikimin
Paraqitet në SPAK, ish-ministri dhe deputeti socialist, Nasip Naço
Alfred Lela
E nis me brerje ndërgjegjeje këtë shkrim. Futja në korridën vrastare të duelit të politikës së ditës e familjarëve të politikanëve, qendrorë apo jo, ka qenë gjithmonë një 'poshtërsi e poshtërsive'. Shumë gazetarë kanë ngrënë bukë me të, dhe shumë politikanë ia kanë parë hajrin. Por ky përfitim, ky 'qëllim që e justifikon mjetin', nuk ndryshon gjë te thelbi: përdorimi politik i të afërmve të politikanëve mbetet poshtërsi.
Ky arsyetim më jep leje të zbres një shkallë drejt 'katakombeve të përgojimit'. Domethënë të shkruaj për nënën e Kryeministrit, zonjën Aneta Rama. Ajo është fotografuar në një bar të Tiranës, një pikë bastesh sportive, me një biznesmen dhe një deputet, Gaz Demin e 'Partizanit' dhe Aqif Rakipin e PDIU. Për këtë të fundit opozita ka kërkuar heqjen e mandatit të deputetit. Pa shkuar aty, deputeti i partisë çame u përfshi në një aksident ku mbeti i vdekur një qytetar. I pari është një njeri me lidhje të vjetra me politikën, së fundmi i shumëshfaqur në sytë e publikut si shok i ngushtë i vëllait të Kryeministrit, Olsit.
Ka patur heshtje në anën e atij pak shtypi që i ka mbetur opozitës. Ndoshta, shefi i ri i PD, Basha, duhet përshëndetur edhe për këtë: heqjen dorë nga fryma 'vdekja jote, jeta ime', që është shtrirë gjithmonë në tastierat e gazetarisë, edhe si zgjatim i luftës në kampet kundërshtare politiko-ekonomike. Ndoshta, heshtja ka të bëjë edhe me 'cilësitë' e autorit të fotos në fjalë, gjithmonë në pritën e pabeftit, si dikur gratë e Frontit në gjueti të 'shfaqjeve të huaja'.
Tani Mero është me Ramën, por nëse do të ishte gazetar afër opozitës, inceneratorët e 'Temës' do të kishin prodhuar më shumë zhurmë e tym se provat bërthamore të ajatollahëve të Iranit dhe Kimëve të Koresë. Më mirë që është kështu. Çdo shpërqendrim do të na e hiqte syrin nga vrima e çelësit, që na çon drejt e te dëmet që i bën Shqipërisë 'Kunati'.
Shija e keqe mbetet, megjithatë. Bashkë me disa pyetje. A duhet dhe a mundet nëna e Kryeministrit të shfaqet me individë që, edhe pse mund të jenë miq të të bijve, nuk mund të jenë gjithashtu në shijet e saj prej zonja 'ala vecchia'? Dhe, nëse e marrim si të paqeder këtë kriter të prezumuar të stimës publike, atëherë bëjmë pyetjen tjetër. A duhet që një zonjë në moshë dhe nënë Kryeministri të gjindet në një pikë bastesh? Një kufizim etik dhe estetik, thotë se jo. Nuk i shkojnë as moshës dhe as staturës.
Pyetja e fundit është: A e di z. Rama se në një prej vendeve të klubit ku ne duam të bëhemi pjesë, Bashkimit Europian, në rast të një fotoje të tillë të nënës, gruas apo vëllait, secili homolog do të rrezikonte postin?
Naiviteti i krahasimit me vende normale, ndërkohë që jetojmë në një territor jonormal, vazhdon t'i pushtojë e t'i skuqë pak prej nesh.
Ky rivalitet i të pahijshmes me të hijshmen, i joetikes me etiken, shkon krejt ndesh me kryqëzatën e Kryeministrit, përditë e pafund, në Facebook-un dhe ERTV-n e vet, apo mediat e të tjerëve, për 'zbukurimin e faqes' së Shqipërisë.
Do një orientalizëm kronik dhe akut bashkë, Kryeministër? Yt vëlla në zdërhallje ndanërruge sa herë të kalosh në Bllok, në të njëjtin vend. (Njëfarë Artur Avenue e Bronx-it të dikurshëm italo-amerikan). Një rikthim harbut i xhiros së viteve '80 në Bulevard; një 'ramje n'sy' e vonuar dhe e pavend; një promenadë e re plot pahijeshi; një 'vintage teritali lindor' i atyre që mburreshin me blujeans-in e parë.
©Politiko.al