Nënkryetari i PD mendon ndryshe për djegien e mandateve: Pro 13 tetorit, por jo në zgjedhje pa kushte

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, tha se nuk ka përçarje mes opozitës dhe se si PD, ashtu edhe LSI janë të vendosur për të shkuar në zgjedhje me 13 tetor, datë kjo e dekretuar nga presidenti Ilir Meta.

“13 tetori i dekretuar nga Presidenti është datë zyrtare për mbajtjen e zgjedhjeve. Presidenti është i vetmi që ka të drejtën kushtetuese të dekretojë zgjedhjet. Për ne pjesëmarrja ose jo në këto zgjedhje kushtëzohet nga rrethanat e tjera dhe të njëjtin qëndrim ka edhe LSI dhe në këtë pikë, madje në asnjë pikë tjetër nuk ka ndarje”, shprehet Paloka për A2 CNN.

Megjithatë nuk mungojnë mendimet ndryshe mes demokratëve. Paloka shprehet se ka qenë mbështetës i djegies së mandateve të shtrirë në kohë.

“Unë kam qenë për djegien e mandateve, por në një kronologji tjetër kohore”, tha ai.

Paloka shtoi se procesi i vetëdeklarimit për të gjithë anëtarët e Këshillit Kombëtar synon kontrollin e integritetit moral dhe profesional të zyrtarëve që i kërkojnë besim qytetarëve për t’i qeverisur dhe se këtij procesi do u nënshtrohet edhe vete Lulzim Basha.

Nënkryetari demokrat tha se protestat nuk do të ndalen, edhe pse periudha e verës nuk është fort e favorshme për aksionin opozitar.