Nënshkruhet marrëveshja Kosovë-Serbi për hekurudhat dhe rrugët,Thaçi e Vuçiç shtrëngojnë duart në Mynih

Nënshkruhet në Mynih marrëveshja për hekurudhat dhe rrugët mes Kosovës dhe Serbisë.

Akti është firmosur me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, njëkohësisht edhe i dërguari i Presidentit amerikan Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Hashim Thaçi tha se me këtë arritje, rajoni do të ketë paqe dhe zhvillim ekonomik.

“Marrëveshja e sotme e hekurudhave dhe autostradave është mesazhi më i mirë që rajoni do të ketë paqe, zhvillim ekonomik, progres dhe vende të punës, çka i duhet njerëzve tonë në Kosovë dhe Serbi”, u shpreh Thaçi, i cili më pas shtrëngoi duart me homologun serb, Vuçiç.

Më anë të kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me BE-në.