Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Gentian Gaba
Në 105 vite pavarësi, gjysmat i kemi kaluar nën një ndër tiranitë më mizore që ka njohur “shekulli i shkurtër”, dhe pjesën tjetër na ka shkuar në një tension konstant midis demokracisë dhe autoritarizmit.
Ajo që më shumë i bie në sy një të riu, si autorit të këtyre radhëve modeste, por edhe bashkëmoshatarëve të mi, është fakti se në një retrospektivë të gjerë mbi historinë tonë, midis pushtimeve, luftrave për pavarësi, liri dhe demokraci; përtej ndonjë rasti sporadik, qeveritë (ose pushtetet) nuk rrëzohen në “kopshtin shkëmbor të Europës Juglindore”, ato thjesht bien. Koha, në Shqipëri, është i vetmi agjent patogjen ndaj keqqeverisjes dhe asgjë tjetër.
Nuk u rrëzua komunizmi, sepse ai ra vetë; Shqipëria ishte ishulli i fundit i Marksizëm-Leninizmit në Europë; nuk u rrëzua Berisha në 1997, sepse ajo qeveri ra nën peshën e gabimeve të saj; nuk u rrëzua Nano, ajo qeveri ra vetë; nuk po rrëzohet Rama për kanabizimin dhe kriminalizimin e politikës, por edhe ai, një ditë, do të bjerë vetë.
Nëntori, ky muaj i lavdishëm i shqiptarëve, në një këndvështrim jo romantik apo të idealizuar, tregon shumë për natyrën tonë; për betejat që kanë shënuar historinë dhe përcaktuar realitetin e sotëm. Nga nëntori i parë, ai i 1444 dhe deri tek nëntori i tretë, ai i 1944, tregojnë se momentet e vetme që ne kemi luftuar ka qenë për t’i bërë ballë një armiku të jashtëm, një rreziku ekzistencial, pra gjithmonë një “shkjau” që vjen tek dera e shtëpisë, dhe në atë moment kurajoja jonë del në pah. Nga momenti në të cilin ne, familja jonë, prona jonë dhe interesi personal janë vendosur në rrezik, ne kemi luftuar. Kemi ngritur kokën, zërin dhe armët.
Fatkeqësisht kjo nuk është kurajo, as guxim, nuk është gjë tjetër veçse instikti i vetmbrojtjes; një instinkt mbijetese që gëzon çdo kafshë, por vetëm ne, këtë instinkt, e kemi shenjtëruar dhe shuguruar si ideal kombëtar.
Ky keqkuptimi mbi natyrën e kurajos sonë është edhe arsyeja kryesore pse ne nuk kemi për të pasur kurrë një “nëntor të katërt”; nëntorin në të cilin ne të kërkojmë llogari, jo për gjërat që një qeveri (apo pushtet) bën kundër interesit tonë personal, por për cënimin e interesit të përgjithshëm.
Nëntori në të cilin të kemi vetëdije për hapësirën tonë publike, që nuk e ka kufirin te thana, por është pjesë themelore e atij mozaiku që quhet demokraci. Kjo formë qeverisjeje, demokracia, ndryshe nga autoritarizmi, nuk të vjen te dera; nuk kërkon që ti të mbash vendi tënd; të rrish urtë e butë se gjërat i dinë më mirë ata që qeverisin, dhe se ne 'nuk kemi parë gjë akoma'. Jo, demokracia ka nevojë për një tjetër kurajo. Demokracia kërkon që ti ta fitosh, dhe për ta fituar, ti duhet ta duash.
Është kurajoja civile për t’i kërkuar llogari një qeverie, dhe për ta rrrëzuar atë, jo sepse “duam paratë tona”, por sepse ajo duhet të japë llogari për mënyrën sesi shpenzohen parat tona me buxhetin e shtetit; të japë llogari për veprimet dhe mosveprimet në drejtimin e vendit; për kanabizimin dhe krimin e organizuar; për reformën në drejtësi dhe ngërçin e qëllimtë që ajo po kalon; për çdo gjë që na përket neve si qytetarë të kësaj republike, dhe jo atyre që ne kemi deleguar për të na shërbyer.
Nesër mbyllet nëntori i 105-të i Pavarësisë, por mungesa e kurajos civile nuk e bëri dot këtë muaj skandalesh politike “nëntorin e katërt”; me sa duket do të na duhet ende shumë “kohë e duhan” për ta parë këtë stinë të jetës tonë politike.
Ndërkohë, për të perifrazuar Francisco Goya-n, gjumi i arsyes sonë do të vijojë të prodhojë monstra; jo gogola, ose bajloza të ardhur nga deti ose nga matanë maleve; jo, jo, monstra nga ata që më shumë frikin një popull, ata që lindin brenda nesh, dalin nga radhët tona dhe qeverisin nën indiferencën përgjithshme, duke njohur limitet e durimit, ose e thënë më shqip, ata që dinë sa mban ky popull.
Këto monstra luftohen me vështirësi, sepse për t’i fituar duhen zgjidhje të vështira, gati të pamundura, siç është ndryshimi i një kulture qindravjeçare të themeluar mbi shtypjen dhe apatinë ndaj asaj që romakët quanin res publica (gjëja publike).