Flash News

OP-ED

Nëntori në Amerikë

Nëntori në Amerikë

nga Vladimir Gligorov/ Novi Magazin

Në ndryshim nga demokracitë parlamentare, kryesisht në Europë, fushatat zgjedhore në Amerikë zgjasin tejet shumë. Meqenëse përfaqësuesit në Dhomën e Kongresit zgjidhen çdo dy vjet, fushata zgjedhore zgjat praktikisht dy vite. Sepse nga rezultati i zgjedhjeve në mesin e mandatit të presidentit mund të konkludohet edhe se cilët do të jenë kandidatët për president, dhe si do të vijë puna me popullaritetin e presidentit nëse bëhet fjalë për mandatin e tij të dytë. Krahas kësaj, partive u duhet shumë kohë për të zgjedhur kandidatët e tyre sepse për këtë vendosin votuesit partiakë dhe të tjerë në pesëdhjetë shtete të federatës amerikane. Kjo ka rëndësi sepse presidenti zgjidhet direkt, pra me votat e elektorëve që zgjidhen në shtet. Kohët e fundit ka ndodhur jo rrallë që presidenti i zgjedhur të mos ketë shumicën e votuesve në anën e tij, por të ketë shumicën e elektorëve. Kjo gjë ndodhi në rastin e zgjedhjes së Donald Trampit.

Kësisoj kur thuhet se ka ende edhe tre muaj e disa javë deri në zgjedhjet pasardhëse, kjo do të konsiderohej kohë e mjaftueshme në demokracitë parlamentare, por është një kohë relativisht e shkurtër në Amerikë. Për pasojë që tani do të duhej të kishim një përfytyrim relativisht të qartë se cilët janë gjasat e secilit kandidat, si edhe si do të përfundojnë zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve dhe për Senatin (zgjidhen dy të tretat e antarëve sepse mandati i tyre zgjat gjashtë vjet). Megjithëse partitë, ajo Demokrate dhe Republikane, tani duhet të përzgjedhin kandidatët e tyre për president, dihet se këta do të jenë zotërinjtë Tramp dhe Bajden. Cili do të fitojë?

Zgjedhjet janë të martën e parë pas të hënës së parë në muajin nëntor dhe çdo të dytë janë për mandatin e dytë të presidentit. Për pasojë krahasimi me zgjdhjet e vitit 2016 është joadekuat.

Këto zgjedhje, për nga vetë natyra e gjërave, do të jenë mbi atë nëse presidenti Tramp i ka përmbushur premtimet ndaj votuesve ose jo. Para katër vitesh zonja Klinton ishte në një pozitë të ngjashme, sepse ndërsa ishte senatore dhe Sekretare Shteti, për shkak të të shoqit që kishte qënë president dy mandate dhe për shkak të pranisë së saj të gjatë në politikë, zgjedhjet thuajse ishin njëfarë referendumi mbi zonjën Klinton. Dhe ajo humbi, megjithëse fitoi tejet më shumë vota sesa zoti Tramp.

Tani i ka ardhur radha referendumit për presidentin Tramp. Për hir të së vërtetës, kundërkandidati i tij Bajden ka qenë zëvendëspresident në administratën e Barak Obamës dhe pothuajse senator i përjetshëm. Por megjithatë nuk është e lehtë për Trampin që këto zgjedhje t’i shndërrojë në referendum për Bajdenin, për të mos folur pastaj për presidentin Obama. Madje edhe sikur një gjë e këtillë të arrihej t’i imponohej opinionit publik, Obama është tejet më popullor në krahasim me Trampin, kështuqë në këtë mënyrë nuk do të mund t’i fitonte zgjedhjet.

Pra, nëse zgjedhjet do të jenë referendum për mandatin e parë të presidentit Tramp, e dhëna më e rëndësishme nga anketimet e opinionit publik tre muaj e kusur para zgjedhjeve është ajo sesa votuesit janë të kënaqur me Trampin. Zakonisht mendohet se edhe 40% nuk është e mjaftueshme, ndërsa popullariteti i Trampit në këtë moment është shumë më poshtë. Mbi këtë bazë mund të thuhet se presidenti Tramp në këtë moment i humb zgjedhjet. Krahas kësaj, sikurse e kam thënë edhe më parë, fushata eventuale për të zvogluar popullaritetin e zotit Bajden nuk ka shumë kuptim nëse një gjë e tillë nuk e ndreq popullaritetin e zotit Tramp. Sepse votohet për mandatin e tij të parë dhe shumica nuk është e kënaqur.

Nga kjo rrjedh se nuk ka shumë kuptim të shpresohet në atë që në debatet publike të tregohet se Bajdeni është i pakualifikuar për punën e presidentit nëse votuesit tashmë kanë vlerësuar se Trampi nuk i kënaq në këtë punë. Vërtetë se Bajdeni është i njohur për gafa, por kjo nuk është asgjë e re dhe vështirë që kjo të lidhet me moshën e tij- vërtetë ai është në moshë të shtyrë- por ai ka bërë të tilla pak a shumë qëkur është në politikë. Krahas kësaj, Bajdeni është simpatik për njerëzit sepse është disi i zakonshëm dhe dinjitoz. Gjë që kurrsesi nuk mund të thuhet për Trampin.

Kjo e fundit është e rëndësishme atje ku ka rëndësi, dhe këto janë shtetet në të cilët votuesit mund të shkojnë në të dy anët. Përshembull, nuk ka shumë rëndësi që Bajdeni do të fitojë shumicën e votave në Nju Jork apo në Kaliforni, sepse Trampi këto vota as i llogarit. Por votat në shtetet e deindustrializuara në Amerikën e Mesme dhe në Florida janë vendimtare. Dhe këto zona Bajdenin e përjetojnë si të tyrin votuesit demokratë që nuk braktisën as zonjën Klinton para katër viteve. Ndërsa në Florida kanë rëndësi votat e latinoamerikanëve dhe të të moshuarve, për të cilët Bajdeni mund të jetë më i afërt, në mënyrë të veçantë nëse merret parasysh gjendja epidemike në këtë shtet.

Kësisoj në këtë moment është e vështirë të parashikohet sesi Trampi mund të fitojë në zgjedhjet e nëntorit. Problem shtesë do të përbëjë edhe sikur, gjë që shihet se ka shumë shanse, që republikanët të rrezikojnë ta lidhin kandidaturën e tyre me suksesin e Trampit në referendumin për arritjet e tij në mandatin e parë. Do të jetë e nevojshme ose ekonomia të përmirësohet në mënyrë të pabesueshme në muajt e mbetur ose konfliktet shoqërore të rriten në atë masë saqë votuesit ndryshimin e  presidentit ta shihnin si burim pasigurie, e për pasojë të votojnë për Trampin dhe Republikanët. Dhoma e përfaqësuesve, gjykuar nga të gjitha gjasat, do të mbetet në duart e demokratëve.

Nëse marrim në konsideratë gjithçka si më sipër, nëntori do të jenë muaj ndryshimesh në Amerikë.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

Të fundit