Flash News

KRYESORE

Neymar prezantohet te PSG: Ndoqa zemrën, dua të fitoj shumë trofe

Futbollisti brazilian, Neymar është prezantuar sot te ekipi i PSG-së duke u bërë lojtari më i shtrenjtë në historinë e futbollit.

Gjatë konferencës së përbashkët me presidentin Nasser Al-Khelaifi, Neymar tha se për këtë zgjedhje kishte dëgjuar zemrën dhe së dëshiron sfida më të mëdha. 25 vjeçari ripërsëriti disa herë dëshirën për të fituar sa më shumë trofe me PSG-në.

“Jam shumë i lumtur. Faleminderit zoti President, kemi një sfidë të madhe përpara. Nuk mund ta përshkruaj se si ndihem tani. Mezi po pres të stërvitem me ekipin dhe të arrijmë suksese. Unë dua diçka më të madhe, dua sfida më të mëdha. Zemra më bëri që të ndiqja këtë ambicie, për të ndihmuar skuadrën për të fituar trofe”, u shpreh Neymar.

Futbolliti theksoi se ndihej shumë mirë në Barcelonë, por kishte ardhur momenti që ai të lëvizte për një sfidë më të madhe.

Presidenti Nasser Al-Khelaifi, i cili e bleu Neymar për 222 milionë euro, u shpreh se lojtari ka mbërritur në Paris për të fituar të gjitha trofetë në futboll. Ai e konsideroi Neymar-in lojtarin më të mirë në botë.

“Jam shumë i lumtur t’ju prezantoj sot këtë lojtar të madh, Neymar. Ai është një idhull për tifozët e futbollit dhe për mua personalisht është lojtari më i mirë në botë. Neymar ka firmosur me ne për të fituar të gjithë trofetë në futboll. Do shkruajmë historinë me PSG-në. Faleminderit Neymar, ka qenë një punë e vështirë kjo”, tha Al-Khelaifi.

Të fundit