Flash News
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Konstituohet grupi i dialogut mes opozitës dhe mazhorancës për ‘Reformat’
Tragjikomedia e AADF me Butrintin: Një i panjohur do të drejtojë bordin shkencor të fondacionit
"Nga Apokalipsi do të shpëtoja Biblën, 'Zorbën' dhe Fjalorin e Gjuhës Shqipe"
ÇFARE PO LEXON LAZER STANI?
-Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…
Nuk kam bibliotekë të trashëguar brez pas brezi. Kështu që librat e mi janë të rinj. Në mos gaboj botimi më i vjetër që kam në bibliotekë është i vitit 1930, pra një libër relativisht i ri. Ky libër është «Gjahu i Malësorve» i Konstandin Kristoforidhit i shypur në shtypshkronjën Peppo & Marko në vitin 1930 në Korçë. E lexoj shpesh, jo si një testament të rëndësishëm letrar, por si një testament gjuhësor të çmuar. Në fakt, ashtu i lexoj të gjithë librat e vjetër, si testamente mahnitës gjuhësor. Të marrim, për shembull, 'Mesharin' e Gjon Buzukut, me fjalët shqipe mahnitëse. Atëherë shqipja ende ishte e pastër dhe e dlirë, burimore, pa orientalizma. Në këtë kontekst e dua shumë edhe 'Bagëti e Bujqësi' të Naim Frashërit. Riktheu shqipen të çliruar nga osmanizmat, turqizmat, orientalizmat. Do doja të kem shumë më tepër dëshmi gjuhësore të kohëve të lashta, por tekstet e shkruar janë të paktë. Megjithatë mbetën një thesar i paçmuar.
-Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?
Tani nuk është e vështirë të zgjedhësh. Pothuajse çdo javë marr informocion për çdo ngjarje kulturore, për çdo botim të rëndësishëm, duke lexuar New Yorker, New York Times, The Guardian, Corriere della Sera, Il Giornale, etj. Natyrisht nga ky informacion fillova të lexoj tregimet e Roberto Bolanos, të Junot Diaz, apo romanet e Jonathan Safran Foer, poezitë e Carol Ann Duffy dhe pothuajse të gjithë autorët që lexoj tani. Poezia gjithmonë mbetet e parapëlqyera ime, më inspiron.
-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?
Jo, nuk i kam lexuar të gjithë. Dhe, nuk di a do t’i lexoj ndonjëherë.
-Libri i parë që keni lexuar…
Librin e parë ma ka lexuar nëna. Ishte një libër më rrëfime biblike, të cilin nëna ma lexonte dhe rilexonte. Ai libër ruhej i fshehur në një kamare. Unë e merrja atje dhe ia jepja nënës të ma lexonte. Ende nuk e kisha filluar shkollën, nuk dija shkrim e këndim. Pastaj, një ditë, libri u zhduk dhe unë nuk e gjeta më kurrë. Ndoshta babai, pas ndalimit të fesë, e zhduku nga frika. Më ka dhembur shumë humbja e atij libri.
-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…
Në vit të parë të shkollës së mesme. Kurseva për të blerë një fjalor të rusishtes në tregun e zi, të cilin ai që e kishte ma mbante shumë shtrenjtë. Pastaj bleva dhe metoda dhe fjalorë të gjuhëve të tjera, gjithmonë nëpër njerëz që i mbanin të fshehur. Blija shumë fjalorë se endërroja të mësoja shumë gjuhë. Endërr adoleshence.
-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist apo student?
I ndaja me mikun tim të rinisë Ndoc Deda (Shtëpia), i cili megjithatë, të shumtën e herëve i humbiste librat. Megjithatë, kurrë nuk i thashë jo për një libër. Librin e fundit që i kam dhënë ka qenë 'Idioti' i Dostojevskit në Rusisht, të cilin e pata marrë në bibliotekën private të të ndjerit Drago Siliqi. Shoku im u arratis në shtator të vitit 1990 se bashku më librin që i kisha dhënë në trastë. Libri udhëtoi për në Amerikë dhe atje është ende, në bibliotekën e shokut tim të rinisë. Por, ende vazhdoj të jap libra te miqtë. I fundit libër që kam dhënë është një botim luksoz i veprës së Brodskit në rusisht. I kam dhënë para gjashtë muajsh Bardhyl Londos, po as Bardhi ende nuk ma ka kthyer. Megjithatë, librat e mirë kam dëshirë t’i ndaj me miqtë. Për shembull, katër-pesë herë e kam blerë Zorbën e Kazantazkis dhe ua kam dhuruar miqve të mi që ta lexojnë.
-A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?
Po, në shkollë të mesme. Megjithëse mësuesja e letërsisë më kishte dhënë edhe çelësin e bibliotekës së shkollës. Edhe aty atë kohë kishte mjaft libra.
-A shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?
Po, deri në vitet nëntëdhjetë kam shkuar rregullisht. Biblioteka Kombëtare ishte destinacioni im i preferuar, aq më tepër që aty shfrytëzoja dhe fondin rezervat, falë statusit të gazetarit. Pas përmbysjes së diktaturës i kam gjetur vetë librat që më duheshin.
-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër?
Po, mikut tim Ilir Ajdini i kam marrë librin «Mbi heronjtë dhe varrezat» të Ernesto Sabatos, përkthyer në shqip nga Ramiz Kelmendi. Por dhe këtë libër ia dhashë një mikut tim për ta lexuar dhe ai nuk ma ktheu kurrë. Më vonë e bleva këtë libër në Itali. Tani më kanë thënë se është botuar edhe në Tiranë.
-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?
Plot të tillë. Por edhe i kam zevendësuar. Përshembull një përmbledhje me poezi të Yehuda Amichait në anglisht. E porosita prapë dhe e bleva. Dhe një libër tjetër të Cesare Paveses, botim dygjuhësh, Italisht-Anglisht. E zëvendësova pjesërisht. Kur isha në Itali herën e fundit bleva «Lavorare stranca» dhe «Il mestiere del vivere»
-A lexonit dikur libra të ndaluar? Mund të na përmendni ndonjë titull dhe si i siguronit?
Po, shumë të tillë. Në shkollë të mesme njëherë u bëra problem se po lexoja «Lulet e Mollës», të cilin daja nuk e di se ku e kishte gjetur. Me akuzuan se lexon libra të ndaluar. Pastaj më ra rasti të lexoj librat e George Orëell si '1984' dhe 'Ferma e Kafshëve' para viteve nëntëdhjetë. 1984 ishte madhështor ta lexoje në vitet tetëdhjetë, atëherë kur ne jetonim në realitetin absurd të këtij romani. Po ashtu lexova edhe «Metamorfozën» e Kafkës, dhe romanin «Kështjella». Lexoja rregullisht edhe 'Inostrannaya literatura'. Krejt letërsia që botohej aty ishte e ndaluar në vendin tonë.
-Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?
Zakonisht i zgjedh vetë.
-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?
Përpara kam lexuar shumë, madje edhe në dritën e zjarrit që digjej në oxhak kur na iknin dritat. Tani lexoj më pak dhe vetëm librat që e mendoj se duhen lexuar. Lexoj edhe shtrirë në shtrat, edhe i ulur në divan, ose në tryezën e punës. Librin që jam duke lexuar e mbaj gjithmonë në çantë. E mbaj me vete.
-A lexoni në banjë?
Jo, s’më ka ndodhur. Ndoshta ngaqë mbaroj punë shpejt.
-Në çfarë gjuhë tjetër përveç shqipes lexoni?
Në anglisht, rusisht, italisht. Por, vitet e fundit kryesisht në anglisht, përveç autorëve italianë dhe rusë që i lexoj në gjuhët origjinale.
-Mbani shënime kur lexoni?
Jo, nuk mbaj shënime. Asnjëherë nuk kam mbajtur. Por, kujtesa vetë i shënon gjërat e bukura, t'i risjell në mendje pas shumë vitesh.
-Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij/saj?
Poezia, gjithmonë kam lexuar më shumë poezi. Por, edhe prozë natyrisht, tregime romane, ese letrare, non fiction etj. Ka ndodhur me Çehovin në rinin time: ja lexova komplet veprën në rusisht, në dymbëdhjetë vëllime. Edhe Hemingëay-t në shtatë vëllime si student. Më vonë kam lexuar gjithçka që ka shkruar Nikos Kazantzakis, Ernesto Sabato, Borges, Cortazar, Brodsky, Kafka, Pavese etj.
-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?
Letërsinë shqipe, të vjetrën dhe bashkohoren. Mendoj se ka mjaft libra dhe autorë të rëndësishem që duhen lexuar. Si shkrimtar shqiptar e kam prioritet kulturën e vendit tim, autorët që e kanë krijuar këtë kulturë, nga Buzuku e Bardhi e deri te autoret bashkohorë. Ne na bën shqiptarë gjuha shqipe dhe kultura e krijuar në këtë gjuhë. Atë duhet ta lexojë me përparësi lexuesi shqiptar. Një lexues pa identitet, është një lexues i keq.
-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?
Bibla.
-Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi cilët do ishin?
Kjo është një pyteje shumë e koklavitur. Si të zgjedhësh tre dhe të braktisësh gjithë të tjerët. Biblën si testamentin më të madh të njerëzimit do ta zgjidhja sigurisht, por edhe 'Zorbën' e Kazantzakis, me siguri, për dëshmimin e fuqisë madhështore të jetës. Dhe një Fjalor të Gjuhës Shqipe me gjithë mangësitë që ka.
-Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…
“Dashuritë e ndaluara dhe beteja,
të dyja nganjëherë kanë fund të përbashkët”. -Yehuda Amichai
-Na thoni një varg të preferuar poezie…
“Në një ditë njerëzore janë të gjitha ditët...”-Borges
-Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?
Padyshim Aleksis Zorba, greku, në romanin 'Zorba' të Kazantzakis.
-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?
Auografin e poetit Andrei Voznesenski, të shkruar në librin e tij në vitin 1993 në Moskë. Autografi është i shkruar në anglisht. Kur e pyeta se përse ma ke shkruar autografin në anglisht, ndërsa ne po flisnim rusisht, ai m’u pergjigj: “Një ditë do të flasim anglisht bashkë”. Për fakt të keq ajo ditë nuk erdhi kurrë, por unë ndërkohë mësova të flas anglisht.
-Çfarë po lexoni?
Në çantën time tani kam “Then come back. The lost Neruda poems”, një libër i botuar vitin që shkoi në SHBA dhe në Angli, libër që ma dhuroi para pak ditësh një mikja ime, shoqe e studimeve.