Flash News
Gjykojeni protestën nga kundërshtarët
Aksident në Greqi, ndërron jetë 16-vjeçari shqiptar
Protesta trazon PS-në/ Zegjineja e ‘meme-ve’ sulmon influenceren: Shëmtirë, diote. Balla kapet me Reuters
Vrasja në Paskuqan/ Autori është gjurmuar deri në Bovillë, ka braktisur mjetin
Publikoi tezën e Letërsisë 20 minuta pas nisjes së provimit, përjashtohet maturanti në Kukës
Nga Stefan Çapaliku
- “Tamam sot, me 1 Mars 2020, bahen dhjetë vjet që rri në Itali pa kurrfarë dokumentash. Punoj në të zezë. Në ndërtim. Më ka marrë në punë Gjeto Marku, një bashkmoshatar që e kam pasë në fillore. Djali i Mark Gjetës prej katundit përbri. Ai në fakt më pat dalë borxhi. Me ardhë këtu në Itali hajde, më tha, vec ta dishë mirë: më të sigurue punë mundem e me të sigurue dokumenta nuk mundem. Kështu u banë dhjetë vjet këtu. Dhjetë vjet me frikë se mos me kthejnë mbrapa. Dhe pikërisht tash që due me ikë nuk më lanë. Tamam në ditën që kisha marrë vendimin të kthehesha në katundin tim në Shqipëri, më kapën. Dhe e bukura asht se nuk më kapën se s’kisha dokumenta, por më kapën se kasha temperature. Dhe shkurt me ju thanë, më kanë futë këtu në karantinë”
- “Quarantina asht organizue në një katund që quhet Cinquantina. Jena rrotull 50 vetë me grip. Asnjeni prej nesh nuk ka coronavirus. Natën dëgjohen vetëm të kolluna e teshtima. Na kanë thanë se rakia, hudrat, djathi me erë e cdo gja tjetër e qelbun që hahet, i vjen hakut virusit. Vetëm unë dhe një marokin jena pa dokumenta. Të tjerët: gjashtë sirian, katër kongolez, dy boshnjakë e tre kubanë kanë dokumenta të përkohëshme. Letra pune kanë vetëm italianët. Janë kund 33 vetë. Kështu që ne të sipërpërmendunit, ndihena si mbreten. Po na shërbejnë italianët.”
- ”Me ne asht edhe një prift vullnetar, Don Tarcisio. Ai kurrë nuk na thotë që t’i japim njeni-tjetrit shenjën e paqes. Këtë e mora vesh sapo u mata t’ia jepja dorën një kongolezes që më kishte ndejë skiç. Bash atëhere prifti bërtiti “Mos!”. U shtanga! Vetëm buzëqeshini njeni-tjetrit, shtoi ai. Atëhere unë nxora jashtë dhëmbët e mi dhe ajo të vetat…”
- “Ky marokini asht tregue i mencëm. I ka marrë prej banke të tana paret që ka fitue në të zezë dhe me to ka korruptue një roje, për me dalë natën fshehtas. Ai shkon te një katund tjetër përbri, që deri më tash nuk gjendet në izolim. Më thotë se atje ka zanë një dashnore, dhe kur vjen i lutet Zotit cdo natë për mos me ia ngjitë asaj gripin. Marokini e ka emrin Abdelkabir. Ai thotë se poi a ngjiti gripin Immacolatës u dhje puna. Immacolata ka me ia ngjitë të shoqit, Remigios, Remigio dashnores së vet, e kështu tash hapet loja deri sa ta fusin në karantinë edhe atë katund.”
- “Kjo kongolezja, që s’më la prifti me i dhanë dorën, e ka emrin Aminata. Asht punëtore e madhe. Tanë ditën lanë tesha. S’e mora vesh ende se ku i ndyn gjatë natës gjithë ato tesha që i lanë gjatë ditës. I lanë me dorë. Me këtë rast mora vesh se paska tipa që urrekan lavatricen. Them të shkoj e ta ndihmoj se kushedi, ndoshta i hyj ne qef. Trembem vetëm prej fakti se ajo mban në dorë një pirajkë druni, me të cilat rrahë teshat buzë një lugu guri.”
- “Abdelkabir asht nga një provincë e thellë e Marokut që thirret Tan-Tan dhe që asht në kufi me Saharën Përëndimore, Mauritaninë dhe Algjerinë. Por asht djalë i mirë. Besnik. Me të kemi mendue të themelojmë një sindikatë. Ligji italian po thonë se i lejon edhe këta që janë pa punë të bajnë pjesë në sindikata. Do ta quajmë “Sindikata Covid-19”. Me këtë rast kemi shpresë të marrim letra pune si udhëheqës sindikate.”
- “Ata dy boshnjakët janë Imrani me Harunin. Janë binjakë dhe rrinë gjithë ditën shtri. Italishtja e tyne asht në pikë të hallit. Nga krevati majtas rri Haruni e nga krevati djathtas, Imrani. Kështu të paktën thonë, se kush po i merr vesh. Unë për vedi e kam pasë një dajë të babës këpuctar në Bosnje, që pati ikë në kambë gjatë Luftës së Dytë, por këta nuk ia kishin ndi kurrë emrin. Më vjen çudi.”
- “Tre kubanët janë një mashkull, Calixto, dhe dy femna Beatriz me Caridad. Këtë të fundit e thërrasin për shkurt Cari. Calixto përvecse ka temperaturë të lartë edhe gërhet natën. Me pretekstin se Calixto më lë pa gjumë, unë kërkova të ndërroj dhomë e të shkoj e të fle me ata dy kubanezet. Beatriz e priti me entuziazëm propozimin, kurse Cari kundërshtoi.”
- “3 Mars 2020. U banë tre ditë që jemi këtu të gozhduem brenda. Askush nuk vjen të na takojë në Cinquantina. Kulmi asht se nuk kena as internet. Vec cka marrim vesh nga rojet. Mirëpo, unë pak nuk di mirë italisht, e pak atyne nuk i merret vesh fjala prej maskave që kanë mbulue fytyrën, sa ka rrezik me qenë krejt i keqkuptuem. Kështu p.sh nuk di mirë: a asht sot dita nderkombetare e shkrimtareve apo kanë dashtë me qitë kujin rojet me mue?”
- “Roja i portës lindore, i cili zbulova se ishte arbëresh, më tha se edhe në Tiranë qenkan punët keq. Hoqa dreqin me e marrë vesh. Kuptova ma në fund se ai tha që presidenti ynë na qenka ulë në gjunjë dhe paska bashkue duert në formë skifteri dhe se ambasadorja amerikane në Shqipëri qenka shqetësue se pse presidenti qenka tallë me flamurin amerikan. Nuk dita me i lidhë bashkë këta dy gjana. Por hajt, ma mirë me u kthye me një lajm te Abdelkabiri, se pa asgja.”
- “Sot nxorën nga karantina si të shëruar nja pesë italianë. Duhet të kenë pasë miq të fortë, se edhe unë nuk kam temperaturë, por askush nuk më nxjerr prej këndej. Më ka shkue ndër mend të shtihem si i marrë, ashtu si pata ba dikur në ushtri, por kam hall se prapë nuk do më nxjerrin, ngaqë kanë frikë se mos infektoj të marrët e tjerë. Hej more sherr! Jam në hall të madh.”
- “Sec kam një dyshim qe ketu ne Cinquantina ka plase homoseksualiteti. Kur i pashe fillimisht ata dy kubanezet duke u puthë me njena-tjetren m’u dukën si libaneze. Vonë dyshova se mund te ishin edhe lesbike.
- Abdelkabirin e zunë në flagrancë me Immacolatën. I zu i shoqi Remigio, i cili si duket se këtë e kish pritur prej vitesh. Remigio, më tha Abdelkabiri, po cmendej nga gëzimi, që më në fund ia kish dalë ta kapte në flagrancë Immacolatën e shkretë. Kështu ai do e kishte shumë të lehtë që t’a ndante. Por kish gabuar Remigjio, se sapo kish denoncuar në polici që kish zënë të shoqen në flagrancë me Abdelkabirin, që vinte nga Cinquantina, ata kishin vendosë atypëraty që ta shpallnin edhe Trentinën, katundin e Immacolatës, fshat në Quarantinë.”
- “Në darkë në katund bie një qetësi e madhe. Nuk ka as pula e as gjela, se i kanë heqë, nga frika se mos ia ngjisim virusin. Tashti që u bamë edhe 45 vetë, mbas daljes së atyre pesë italianëve, vetmia asht edhe ma e thellë. Aminata, kongolezja që lanë tesha, më lexon disa poezi të vetat shumë të trishtueshme, prej të cilave nuk marr vesh asgja. Ajo thotë se ia kushton të dashtunit të vet që e ka larg. Aminata asht krejt e zezë. Përvec dhambve dhe të bardhave të syve nuk i dalloj asgja tjetër mbas prendimit të diellit”
- “- Pse do të ikësh ne Shqipëri?! - me pyeti sot ai roja arbëresh.
- Pse ma merr mendja që coronavirusit i duhen edhe 50 vjet të arrije atje, ngaqë ne na ka lanë komunizmi shumë mbrapa - i thashë.”
- “Imranin me Harunin ka ardhë me i pa teze Merjemia prej Mostarit. U takuen natën në sy të atij rojes arbëresh. Ajo i ka sjellë hallvë, kafe turke dhe hurma arabije. Trimneshë e madhe Merjemia. As nuk pyeti fare për coronavirusin dhe i përqafoi të dy binjakët. Ndërkohë mu më ka paditë Aminata për molesti seksuale, sepse i qenkam pas afru ma afër se distanca e lejueme, prej një metër. Simbas saj e paskam ekzagjeru, duke iu afru rreth 83 cm.”
- “Për këtë arësye, por edhe për disa të tjera që s’po i jap emen, Gjykata e sajuar, këtu në Cinquantina, më dënoi me 40 ditë qëndrimi më shumë se të tjerët në quarantinë, simbas akuzes te ngritur nga Aminata. Do Zoti e me këtë rast po më paisin edhe me dokumenta.”
- Duke më dhanë pretencën gjykatësi Italian më tha me za të naltë se gjatë këtyre ditëve shtesë as nuk duhej ta çoja nëpër mend se ekziston coronavirus; nëse e çoja nëpër mend, të mos e zija në gojë me askënd; nëse e çoja nëpër mend dhe e zija në gojë, të mos ia shkruaja emrin; nëse e çoja nëpër mend, e zija në gojë dhe ia shkruaja emrin, atëhere duhej t’i laja mirë duart para ngrënies!
- “Jam ba pa u qethë. Nuk di si me ia ba. Flokët e gjatë nuk më kanë shku kurrë. Këtu në Cinquantina punën e berberit e ban një italian që ka pasë një autokombanjë. Merr 20 euro për qethje. Po ia ha dreqi shpirtin se po i jap unë 20 euro. Ma mirë qethem vetë, me zdrukthin që mban në dorë skulptura e Sh’Jozefit te kisha.”
- Që mbramë na kanë braktisë rojet, se s’ka ma kuptim që dikush të ruajë kufirin midis fshatit Cianquantina me Trentina, kur të gjithë jemi përfshirë në zonën e kuqe. Nuk di ku të shkoi, erdhi e më tha ai roja arbëresh. Cfarë t’i thoja. Thjesht i dhashë të lexonte “Kanga e sprasme e Balës” e Gavril Dara i Riu”.
- “Sonte erdhi të më kontaktojë një person nga ambasada shqiptare në Romë. Ajo më lëshoi një pusull në dorë. Ishin disa këshilla nga ministria e kulturës se cfarë filmash shqiptarë asht e mira të shoh ketu në Cinquantina. Ne krye të listës ishte filmi “Nusja dhe shtetrrethimi”.”
22.”Kurse unë me Abdelkabirin pamë deri mbas mesnate filmin “Perballimi”. Ishte filmi i dytë në listen e rekomandimeve të ministres së kultures. U mundova boll t’ia perktheja, por nuk qe e lehtë. Atij i pelqenin me shumë aktoret. Ju shqiptarët, më tha, keni aktorë të nivelit botëror. Flm shumë, ia ktheva krenar. Ejvallah!”
- “Andej nga mjesi, së bashku me Abdelkabirin dhe me ish rojen arbëresh, bamë gati dy dengje me rroba të vjetra me i nisë për Shqipëri. Vjen I merr dikush që i shet në Tiranë andej nga Shkolla e Baletit. Se cfarë lidhje ka baleti me këtë biznes nuk e di, por me rëndësi asht që Abdelkabiri më siguroi, që zonjat në Tiranë mund t’i prekin pa merak, se janë të painfektuara”
- “Kam dyshime se ajo kongolezja asht infektue rande, me tha Abdelkabiri. Pse? E pyeta una. Sepse ka fillue me folë pak si mirë italisht, më tha ai.”
- “Ne shqiptarëve të ngujuar këtu në Itali na erdhi edhe një udhëzim tjetër nga ambasada jonë në Romë. Duhet të dalim nga Cinquantina dhe të deklarojmë të ardhurat tona. S’kam c’të bëj. Prej respektit që kam për shtetin tim u nisa të dal ilegalisht dhe të shkoj te të gjitha bankat e katundit, për të vertetuar se nuk kam asnjë lek dhe asnjë kokërr euro. E di se do më kapin që te banka e parë, por nuk kam cfarë të bëj. Më mirë të më kapin duke kryer detyrën para shtetit tim sesa para një shteti tjetër.”
- “Mbramë pas mesnate, gjatë kohës që me Abdelkabirin dhe atë kongolezen po shihnim filmin “Nusja dhe shtetrrethimi”, ra dera. Ishin disa dëshmitarë të Jehovait që donin të na lexonin me za të naltë fragmente nga libri “Te udhëtosh nga kjo botë për botën tjetër, sa e lehtë dhe e bukur!”
- “Sot në mëngjes më erdhi prapë një radiogramë. Kësaj radhe ishte nga Minstria e Arsimit e shtetit amë. I dashur zoti Martin Cuku, shkruhej në të, meqënëse këndej e mbrapa mësimi do zhvillohet online, a keni ju ndonjë pyetje për zonjën ministre? Tani, t’i thoja se unë ka kohë që kam la duert me shkollën dhe se nuk kam as fëmijë për shkollë, më erdhi si turp, prandaj i thashë vetes, bëja edhe ti një pyetje s’e s’u ba nami, ndoshta i hyn në pynë. Dhe aty për aty i nisa zonjës ministre pyetjen, si më poshtë vijon: Zonja Ministre a është e mbyllur shkolla vetëm për nxënësit apo edhe për mësuesit?”
- 10 Mars 2020. Nuk rrihet më këtu. Jemi ba derr. Aminata, Imrani me Harunin, Calixto, Beatriz dhe Caridad, me mu në krye dhe Abdelkabirin jemi betue dhe i kemi dhanë besën njëni-tjetrin, natyrisht pa shtërngime duersh, se do ia mbathim nga Cinquantina. E dimë se rruga do jetë e vështirë dhe do ketë shumë të paprituna, por me randësi asht që ne do ikim. E c’punë kemi ne me virusin Italian? Jo, kjo s’asht e drejtë.
- “Ideja kryesore është të hyjmë ilegalisht në Shqipëri. Imrani me Harunin ëndërrojnë të hapin një furrë buke; Calixto, Beatriz dhe Caridad dëshërojnë të rihapin ambasadën kubane në Shqipëri, të mbyllur mbas, gjoja, rrëzimit të komunizmit; Aminata pandeh se do mund të kërcejë për një klub nate, sapo të shërohet nga coronavirusi, kurse unë me Abdelkabirin duam të celim një shkollë për bletrritës. Lutuni për ne!
- “Kemi ecë gjithë natën. Ec rrugë pa rrugë dhe bëj kujdes nga policia. Ka ardhë me ne edhe prifti, don Tarcisio. Gjithmonë kam dashtë të jem misionar në Shqipëri, më tha. Don Tarcisio ka një busull me të cilën po orientohemi. Diku mbas 10 km rrugë vumë re një hije që po na afrohej. Fillimisht u trembëm, mandej vumë re se ishte një femër bionde dhe u qetësuem. Nga po shkoni, pyeti ajo. Hic kemi dalë për qejf, ia priti Don Tarcisio. A do vish edhe ti me ne, u hodh dhe pyeti Abdelkabiri. Jo, tha ajo, kam frikë, se sa herë që dal për qejf mbes shtatzanë. S’e ku e kisha pa atë fëtyrë.”
- “Kemi vendosë të marshojmë nga 40 km në ditë, por qenka punë që s’bahet, aq më tepër kur je në grup. Imrani me Harunin janë dembelë të mëdhenj, kështuqë na duhet edhe ne të tjerëve të mbajmë ritmin e tyre. Nga ana tjetër asht e nevojshme të rrimë sa më pranë njëri-tjetrit dhe të mos shpërndahemi, për shkak që të mos biem në sy të policisë. Pra, nga njëra anë duam të ikim nga Cinquantina për arësye të quarantinës, dhe nga ana tjetër nuk arrijmë të respektojmë asnjë rregull kundër virusit.
- Në kilometrin e gjashtë ka plasë sherri midis Calixto, kubanezit dhe Don Tarcisios. Është fjala për Che Guevarën. Calixto, si marksist i thekur e con në qiell, kurse Don Tarcisio thotë se ai ka qenë një mut muti. Tashti unë, me italishten time, nuk e di tamam sesi e shanë Don Tarcisio Che-në, por më tingëllon si dicka e tillë: mut muti ose shkërllatë.”
- Sipas Don Tarcisios, që ka jo vetëm busull, por edhe internet, dje kemi arritë të ecim vetëm 28 km. Ai thotë se jemi shumë larg objektivit. Por ne sot në mjes vumë re se na kanë ndodhë dy gjana: jemi të gjithë të bllokuem muskujsh, përvec Don Tarcisios që ka qenë skautist, dhe c’asht ma e cuditshmja kemi parë të gjithë të njajtën andërr: sikur një lakuriq nate qenka sjellë gjithë natën mbi kokat tona, duke na pëshpëritur te veshi që të mos shkojmë në Shqipni, se gjoja atje gjendja do rëndohet edhe më shumë se këtu në Itali.
- “U nisëm mbasdite vonë, mbasiqë Don Tarcisio na bani masazhe kambëve të të gjithëve. Fillimisht Beatriz dhe Caridad nuk pranuan medemek se kishin marre, mirëpo në fund dolën të dyja duke fluturue prej lezeti. Ec e mbaji tani. Calixto vazhdon ta mbajë inatn e zënkës me priftin. Ai pothuajse asht mbyllë krejt më vete. Ecën duke lexue një manual të luftës gurreile, të hartuem nga vetë Fidel Castro. Dy binjakët nga Bosnja flasin në gjuhën e tyre dicka që ka lidhje me tezat globaliste të Alija Izetbegovic. Vec unë me Aminatën dhe Abdelkabirin nuk flasim kur ecim. Nuk flasim ngaqë asnjeri prej nesh nuk di italisht. Mbetemi me shpresë se dicka do mësojmë gjatë rrugës.”
- “E ndjeja se në një farë mënyre të gjithë më pyesnin dhe donin që t’i tregoja dicka për vendin tim, pra për vendin për ku ishim nisë. E kisha të vështirë, shumë të vështirë t’ia thoja në italisht, megjithëatë u shtërngova dhe dicka belbëzova, të tipit: “Il mio posto è molto bello. È pieno di montagne, mari, laghi e paludi. Ha anche pochissimi terreni agricoli. Il mio posto ha brave persone. Le persone lavorano molto bene e lavorano sodo. Sono dei padroni di casa eccezionali.”
- “Abdelkabiri mban me vete një fotografi të Immacolatës dhe cdo 1.5 km ndalet dhe vajton. Në një përllogaritje të shpejtë që kam ba i takon që dje, përgjatë 28 km që kemi përshkue, Abdelkabiri të jetë ndalë për të qarë vetëm 14 herë. Unë mendoj se asht shumë të qashë 14 herë për Immacolatën. Do Zoti dhe sot do qajë më pak.”
- “Frikë e madhe se mos na kapnin. Na u desh të kalonim mespërmes një qyteze të vogël. Për fatin tonë askush në rrugë, madje as policia. Mu kujtue Shkodra në kohën e komunizmit, darkën e ndeshjes finale Itali-Gjermani më 1982.
- “Jemi shtri të gjithë ndën strehën e një stalle të braktisun. Secili në cantën e vet të shpinës mban nga një tapet, që në kushte normale shërben për joga a dicka tjetër. Vec dy binjakët nga Bosnja kanë një. Ata flejnë si fanti spathi. Aty ku vë kokën njeni, mbështet kambët tjetri. Jastëk ka vetëm Don Tarcisio. Asht jastëk gome, që ia fryn përnatë, në shenj respekti, Abdelkabiri.
- Mue më janë ba corapet pa u la. Dy gjana nuk kam ditë me ba në jetë: me la enë dhe tesha. I them Animatës, por ajo refuzon. Ajo asht e bindun se koronavirusi fshihet tek unë. Në mos te corapet, diku tjetër. Kaq është e fiksume pas kësaj, sa jam i frikësuem se mos cohet ndonjë natë tinzash dhe më heqë qafe…”
- “Abdelkabiri ka qilimin e faljes. Po të mos ishte me ne Don Tarcisio që ka busull, ai kurrë nuk mund ta gjente drejtimin e Kiblës dhe kushedi se nga cila anë do ta kish drejtuar qilimin e faljeve. Ai falë sabahun, dreken, ikindinë, akshamin dhe jacianë. Pra 14 herë qan për Immacolatën dhe 5 herë falet. Kjo e bën Abdelkabirin një person shumë të dashtun për të gjithë ne”.
- “Sot në mjes më kanë ca bythën të gjithë me radhë, duke u anku se gërhas shumë natën. Je i padurueshëm, e nisën të parët shamatën binjakët nga Bosnja. Po të kishim pasë burrë do të të kishim ndarë në vend, u hodhën e thanë Beatriz dhe Caridadën. Ju skeni pse më ndani, u thashë, mjafton të më ktheni nga ana tjetër dhe unë pushoj. E të plasi një rrotë sherri prej kësaj që fola. Dashke edhe të të prekim! Ti s’je në vete! E të tjera si këto. Vetëm Aminata nuk fliste. Ia dalloja urrjetjen te të bardhat e syve.
- “Tema e gërhitjes u trajtua edhe gjatë rrugës nëpër një pyll gështenjash, që sipas Don Tarcisios të con në anën tjetër të lumit “Jo”. Mund ta vazhdonin edhe më gjatë këtë bisedë, nëse s’do na kishte dalë përpara një rojtar pyjesh i armatosur me një cifte. U ngrimë në vend. Nëse nuk doni t’ju shkep me gjoba për shkelje të rregullores së sjelljes ndër zona të pyllëzuara, më merrni me vete, urdhëroi ai. Më quajnë Giacinto, për shkurt Cinto. Jam edhe kuzhinier. Mund të hapi një restorant të vogël në Shqipëri. Mue më ka këputë malli për groshë”. (Martin Cuku)
- Me ardhjen e Cintos u bamë fiks dhjetë vetë në grup: Imrani me Harunin, Aminata, Calixto, Beatriz dhe Caridad, Abdelkabiri, Unë, Don Tarcisio dhe Cinto. Na mungon edhe një për t’u ba një ekip futbolli. Apo edhe s’jemi mirë me kambët mbas gjithë kësaj ecje. Unë c’asht e verteta jam mësue me ecë kur isha në katund. Më conte baba me nji thes kallomoq në shpinë me shku e me e blue te mullini. Por kësaj radhe puna asht ngusht. Ma mirë me një thes në shpinë sesa me temperaturë…
- “Arsyeja e vertetë se pse Giacinto iu bashkua grupit na qenka se ai, si rojtar pyjesh, na paska grabitë gjatë natës një farmaci. Ka mbushë një cantë me maska dhe me vitamina c. Tesh kemi maska sa me fshi bythen me ta. Ndërkaq të gjithë morën nga dy vitamina c. Unë shkova e piva katër. E më kanë hapë një oreks që jam ba gati me i hangër të dy binjakët boshnjakë menjëherë…”
- “E shoh se Imrani me Harunin janë lodhë. Ata nuk janë për sporte rezistence. Një lojë shahu po, atë do ta kishin përballue që c’ke me të. Dhe doli tamam ashtu si thashë unë. Ata u shtrinë në breg të lumit “Jo” dhe thëritën me të madhe policinë, që të vinte e t’i merrte e t’i conte edhe njëherë në karantinë. Në një karantinë dosido, qoftë edhe në Cinquantina. Kështu që mbetem nëntë sa për një ekip baseball”.
- “A ke lajme nga Shqipëria? Më pyeti Don Tarcisio, sot në muzgun e 16 Marsit 2020. Asnjë lajm, i thashë. Unë nuk kam internet. Atëhere Don Tarcisio filloi të rrëmonte dicka te celulari i vet dhe u kthye prapë nga unë: Cilin portal mendon se duhet të shikojmë për situatën në Shqipëri? Kush është më i besueshmi? Ai i Akademisë Ushtarake Skenderbeu, ma merr mendja, i thashë”.
- “Më janë ajntë shumë variçet. Prej të ecunit. Jo, jo, prej të ecunit, por prej coronavirusit, më tha Animata. Mirë të bahet, shtoi ajo. S’po e marr vesh nga e ka gjithë këtë inat me mu kjo femën. A ka ba vaki me t’u anjtë e me t’u eksitue variçet prej coronavirusit?! Këto nuk don me të lanë me vdekë prej asnjë arësye tjetër, përveç coronavirusit”.
- “Giacinto ka qenë alpin. Ai ecën më shpejt se Don Tarcisio dhe i di mirë shtigjet. I njeh shumë mirë edhe kërpudhat. Ai ka një nuhatje të jashtzakonshme edhe për tartuf. Unë nuk e di se cka asht ky tartufi, por i pashë sesi ata të dy e rendonin mbi makarona tinzash nesh. Po na e bajnë me hile. Abdelkabiri me Animatën sec gatujnë në hesapin e vet, kurse ata kubanët jetojnë veç me kallama sheqeri dhe rum. Mbarova për groshë”.
- “Calixto, si marksist i cmendun që asht ka një teori të veten për këtë që po ndodhë. Ai thotë se ky është një plan i fshehtë i borgjezisë ndërkombëtare për të shuar zjarrin poshtë kazanit të madh proletar që na paska pas mbërritë pikën e vlimit. Dhe me italishten e tij e reciton me vete: questo è un piano segreto della borghesia internazionale per estinguere il fuoco sotto il grande calderone proletario che ha appena raggiunto il suo punto di ebollizione.”
- “Jam ma se i sigurtë se, nëse kjo histori ka me pasë fund, atëhere në finale, do të rezultojnë ma shumë të çmendun se të infektuem, i thashë Abdelkabirt mbasi dëgjova deklaratat e Calixto”
- Aminata na paska pa andërr, kur ka qenë duke ecë, se po more tetë thelpinj hudra dhe i vlojmë në shtatë gota uji dhe i pijmë me gjithë hudra atëhere coronavirusi pirdhet prej nesh si të mos kishte qenë. Për ty duhen tridhjet e dy thelpinj, më tha mua. Hajde të dalim tashti nëpër bahce e të mbledhim hudra. Jam i sigurtë që do na kapë policia. Mandej nga ana tjetër ba me hangër tridhjet e dy thelpinj kam frikë se vdes.
- Sipas Abdelkabirit në arabisht coronavirusit i thonë الفيروس التاجي ose “alfayrus alttaji” ba me e deshifrue në alphabet latin. Kurse në gjuhën nanë të Aminatës na I thojsin కరోనాUnë e kam shumë të vështirë me i mbajtë mend të dyja variantet, por shyqyr që kur të shkojmë në Shqipëri tash mësojnë të gjithë shqipen e kështu ka me qenë shumë e thjeshtë kjo punë. Dhe duke menduar këto sende vunë re se më janë rritë shumë thonjtë, sidomos ato të kambëve. Mos ndoshta i rritë e ecuna?
- “Kot sa për muhabet e pyeta Don Tarcision se a na ka mbet edhe shumë rrugë për me ba. Kena edhe dy javë me arritë deri në Otranto, tha ai. Nëse nuk na kapë policia, kuptohet. Aty me ndihmë të Zotit do gjejmë një skaf, që do na çojë ilegalisht në Shqipëri. Prandaj duhet kohë. Kërkohet durim… edhe ca të shkoquna, tha ai, duke fërku gishtin tregues me gishtin e madh. Mos i fërko shumë se po infekton gishtat me njeni-tjetrin desha t’i them, por e lashë atë muhabet.
- U teshtit Giacinto dhe na shpërndau të gjithëve, si me pas qenë miza mbi gojën e tij. Nga forca shtytëse, Beatrix ndrydhi kamen. Kush rri e prêt tani derisa t’ia fërkojë Don Tarcisio. Sec kanë edhe një mut zakoni, që shkojnë e fshihen mbas do shkurreve për t’u fërku, me pretekstin se po na ruajnë ne të tjerëve nga “alfayrus alttaji”, sic i thotë Abdelkabiri”.
- Sot me datë 17 mars 2020 sec ka dalë një ditë e mrekullueshme. Marsakeqi, sic i thoshte nanababe, tesh e thyen qafen, e mori të teposhten. Shoh të tjerët që po përtojnë të cohen prej gjumi. Po kënaqen sesi dielli poi a lëpin fëtyrën. Vetëm Giacinto është në kambë. Ka ndezë një zjarr të mirë dhe po gatuan. I shkreti po mbraon nga djersa se nga frika se mos teshtitet mbi kazan të makaronave e kemi shtërnguar të mbajë katër maska njena mbi tjetrën.
- Ose e kanë fajin vitaminat c që na jep me pi Giacinto cdo mjes ose na ka hy dreqi në bark, nuk di, por na ka plasë një uri e papame. Merreni me mend që kemi hy natën me i vjellë kantinën një katundarit italian, se nuk iu delte ndryshe. Calixto, ky marksisti, hynte nëpërmjet një vrime që kishte hapë në mur, kurse Don Tarcisio ruante te shtegu, që të mos na zinte kush. Dy kofshë proshutë, një rrotë djathi kackavall, katër kavanoza me turshi, gjashtë metër sallam dhe tetë bukë. Animata volli edhe shtatë vargje më hudra. (Martin Cuku)
- Kam frikë se edhe kësaj here ma kanë futë. Mue më kanë vu kraheqafë, si të ishin gjerdanë fishekësh, gjashtë metër sallam dhe më kanë dhanë në të dyja krahët dy kofshët e proshutave. Shkurt muhabeti më kanë rrasë me mbajtë të gjitha produktet e derrit. Për vete kanë mbajtë të tjerat: Abdelkabirit i kanë dhanë rrotën e djathit kackavall. Animata ka hedhe kraheqafë vargjet me hudra. Calixos, marksistit, i kanë vu në shpinë thesin me tetë bukë. Beatrix me Carin mbajnë nga dy kavanoza me turshi secila. Dhe së fundm Giacinto mban vitaminat c dhe Don Tarcisio busullën. Zoti e baftë mirë se mbarova.
- Mesa shoh edhe Abdelkabirit i ka taku e randë rrota e djathit. Rri tanë kohën duke ia ngulë dhambët për me mujtë me e lehtësu sadopak veten, por nuk ia del. I ka qëllu edhe shumë i krypun. I kam thanë mos ha shumë se tesh po kërkon ujë e s’kena ku me ta gjetë. Por më kot. Dhe ndërkohë që ne po shkatërrohemi prej peshave, Giacinto zgjidh me za të naltë fjalëkryqet e një gazete, që e ka marrë me vete qysh kur ka pas vjedhë farmacinë.
- Dhe doli tamam ashtu si ma kishte marrë mendja. Të nesermen të gjithë u gdhimë kaps. Të shpërndamë ashtu mbas do trungje pemësh u dëgjonte si një kompleks muzikor bashkëkohor, një si farë kantate e zhytun në sordinë të thellë e që ekzekutohej a capella pa orkestër e pa dirigjent.
- Siç duket ose dy shalët e proshutave që mbaja ndën sqetlla, ose sallami që kisha krah e qafë, ose të dyja bashkë, kishin pas qëllue aq shumë aromatike, sa qe ndryshe nuk mund ta shpjegoj faktin sesi m’u versulën një tufë qejsh, që dreqi e di se nga dolën. Unë fugova sa munda derisa rashë në një kanal. Pak para se me ra në kanal lëshova në fillim njenën proshutë në tokë dhe mbas dy metrash edhe tjetrën. Për fat sallami shpëtoi.
Të fundit
"Rama jepe dorëheqjen!”, mijëra protestues vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës
9 Qershor 2026, 22:30
Pas tri orësh para Kryeministrisë, protestuesit nisin marshimin nëpër rrugët e Tiranës
9 Qershor 2026, 20:53
Aktori i njohur nga protesta: Ika nga Shqipëria sepse nuk doja të shisja shpirtin
9 Qershor 2026, 20:32
“Vetëm hëna të ka ngel pa vjedh”, mesazhe të forta ndaj qeverisë me pankartat pikante
9 Qershor 2026, 20:12
Meçollari akuza nga protesta: Në Palasë dhe Dhërmi është tjetërsuar mjedisi
9 Qershor 2026, 19:38
Reuters: Brukseli kritikon Tiranën për Zvërnecin, mjedisi kusht për anëtarësimin në BE
9 Qershor 2026, 19:19
Gjykojeni protestën nga kundërshtarët
9 Qershor 2026, 18:20
Pas katër seancash, Ilir Beqaj përmbyll kërkesat paraprake
9 Qershor 2026, 18:11
OKB mesazh për Iranin, Libanin dhe Gazën: Respektoni armëpushimet
9 Qershor 2026, 17:06
10 ditë që tronditën “sistemin”
9 Qershor 2026, 16:53
Operacion anti-drogë në pesë qytete të Kosovës, 5 të arrestuar
9 Qershor 2026, 16:44
Aksident në Greqi, ndërron jetë 16-vjeçari shqiptar
9 Qershor 2026, 16:25
Komisioni Evropian: Ministri i Mjedisit na tha se punimet janë pezulluar në Zvërnec!
9 Qershor 2026, 16:14
Rama 'përplaset' me gazetaren rumune: U kanë bllokuar trurin!
9 Qershor 2026, 16:13
“Revolucioni i Flamingove” përplas Ramën me Iranin
9 Qershor 2026, 15:56
Ky është Armand Shakaj, i dyshuar si autor i zhdukjes së Eglant Koçit
9 Qershor 2026, 15:30
Senatori demokrat Bernie Sanders: Populli po i thotë JO oligarkisë globale në Shqipëri!
9 Qershor 2026, 15:17
Paqja globale, në rënie për të 12-in vit radhazi, Shqipëria renditet e 36-ta në botë
9 Qershor 2026, 14:47
Prokuroria e Vlorës sekuestron 5 mln euro pasuri
9 Qershor 2026, 14:29
Foto/ Dyshohet se u rrëmbye, kjo është fotoja e fundit 34-vjeçarit para zhdukjes
9 Qershor 2026, 14:20
Kopjac i Vuçiçit dhe në krizë
9 Qershor 2026, 14:11
Zhdukja e Eglant Koçit, arrestohet një person me urdhër të Prokurorisë
9 Qershor 2026, 13:23
Protesta përplas Ramën me mediat botërore, rreziku i krizës së imazhit!
9 Qershor 2026, 13:01
Dhunuan drejtorin e AKU-së në Shkodër, arrestohet njëri prej autorëve
9 Qershor 2026, 12:43
Eksperti i sigurisë ngre alarmin: Grupet kriminale strehohen në zonat e Kamzës!
9 Qershor 2026, 12:36
Vrasja në Paskuqan/ Autori është gjurmuar deri në Bovillë, ka braktisur mjetin
9 Qershor 2026, 12:24
Kush e komandon sot Edi Ramën?!
9 Qershor 2026, 12:14
Rama del 'blof'/ Si po i përqafojnë turistët e huaj protestat në Shqipëri
9 Qershor 2026, 12:00
Si e bindi Rama Perëndimin se fati i Shqipërisë lidhet me emrin e tij
9 Qershor 2026, 11:20
Berisha në konferencën e EPP: Shqipëria ndodhet në sallën e urgjencës
9 Qershor 2026, 10:27
Nga kullat te lumenjtë: kostoja e padukshme e etheve të ndërtimit
9 Qershor 2026, 10:04
Operacioni në Vlorë, zbardhen emrat e 6 të arrestuarve
9 Qershor 2026, 09:44
Këmbimi valutor, me sa shiten dhe blihen monedhat e huaja sot
9 Qershor 2026, 09:26
Transmetoi 'live' protestën, Balla sulmon Reuters: Kanë hall tjetër, jo Shqipërinë
9 Qershor 2026, 09:13
Policia zbarkon në Vlorë, disa të arrestuar, mes tyre një i kërkuar ndërkombëtarisht
9 Qershor 2026, 08:56
Horoskopi, njihuni me parashikimin e yjeve
9 Qershor 2026, 08:40
Shpopullimi alarmant/ Në një vit, Shqipërisë i ikin 33 mijë të rinj
9 Qershor 2026, 08:28
Mot i paqëndrueshëm dhe vranësira, parashikohen reshje shiu në disa zona
9 Qershor 2026, 07:59
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
9 Qershor 2026, 07:45
Kritikoi Ramën, Zegjine Çaushi sulmon influenceren: Të bësh ironi ti shëmtirë...
8 Qershor 2026, 22:37
Nard Ndoka jep lajmin: Sali Berishës i është hequr “non grata”
8 Qershor 2026, 21:59
Rekord firmash në peticionin “Rama Out”, mbi 1 mln e 700 mijë nënshkrime nga shqiptarët
8 Qershor 2026, 20:59
Notarja Eva Buzo i bashkohet protestës: Jeni frymëzues, bota po e dëgjon zërin tuaj!
8 Qershor 2026, 20:48
Kaja Kallas propozon diplomaten portugeze si ambasadore të BE-së në Shqipëri
8 Qershor 2026, 20:28
Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës, Reuters raporton “live” protestën nga Tirana
8 Qershor 2026, 19:07
35-vjetori i PS-së, Rama pritet me protesta në Shkodër
8 Qershor 2026, 18:07
Tensione mes Iranit dhe Izraelit, BE: Rajoni i bllokuar mes luftës dhe armëpushimeve
8 Qershor 2026, 17:42
Shi dhe rrëshqitje dherash në aksin Moglicë–Gramsh, kufizohet qarkullimi në një krah
8 Qershor 2026, 17:21
Mosha e pensionit akoma më e vështirë se jeta në punë
8 Qershor 2026, 17:03
Zgjedhjet në Kosovë, asambleja parlamentare e KE: Pati ndërhyrje nga Serbia
8 Qershor 2026, 16:54
Euro e nis javën në rënie të mëtejshme, zbret drejt pragut të 95 lekëve
8 Qershor 2026, 16:34
Sondazh/ A mendoni se protestat e fundit kanë dëmtuar imazhin e qeverisë Rama?
8 Qershor 2026, 16:22
Boçi: Mazhoranca po bllokon debatin për ligjin që ndalon propagandën gjinore tek fëmijët
8 Qershor 2026, 16:15
Vrasja në Kamëz, autori qëlloi me 10 plumba, në shënjestër ishte edhe shoku i viktimës
8 Qershor 2026, 16:07
Nga kullat te lumenjtë/ Kostoja e padukshme e etheve të ndërtimit
8 Qershor 2026, 15:56
Miratohet në parim amnistia penale, 380 të dënuar lirohen mënjëherë
8 Qershor 2026, 15:11
Abuzimet me fondet “SASPAC”, Apeli lë në burg Ilir Beqajn
8 Qershor 2026, 14:58
FIFA ndryshon traditën historike, ja si do të prezantohen skuadrat në Botërorin 2026
8 Qershor 2026, 14:46
U vra pas një konflikti në Kamëz, ky është 27-vjeçari që u nda nga jeta
8 Qershor 2026, 14:43
Të shtëna me armë zjarri në Velipojë
8 Qershor 2026, 14:38