Flash News

OP-ED

Nga Ditari i Martin Cukut në karantinë

Nga Ditari i Martin Cukut në karantinë

Nga Stefan Çapaliku

(vijon nga pjesa e parë)

  1. “Kemi arritë mbi një majë kodre prej nga shihet qartë Otranto. Atje poshtë asht një vend që thirret Torre dell’Orso. Me këtë rast na kanë Rilindë të gjithëve shpresat. Pse jemi të copëtuar nga kambët, kjo nuk do të thotë se jemi të sakatuar edhe nga shpresat. Simbas Don Tarcisios na duhen vetëm 16 kilometra për të arritë në Otranto dhe pastaj edhe 9 të tjera për të sosë në destinacion, në Porto Badisco, prej nga me shpresë të Zotit do gjejmë një skaf që do na çojë në Shqipëri. Amen!”

64.”Gjatë natës Beatriz ka pasë një rrupulli mendimesh disfatiste. Tamam në ditën e fundit të udhëtimit tonë në kambë, ajo ka vendosë të ndahet nga grupi. Më pëlqen ma mirë të karantinohem këtu në Italinë e Jugut, sesa të jem e lirë në Shqipëri, ka thënë ajo. Më vjen keq, sepse veç tjerash kishte përparu shumë mirë edhe në shqip. Ishte e vetmja që e thoshte pa gabime fjalëshpejten: “Polli pula e Lleshit mu në kaçile të leshit”. Kështu që tash kemi mbetë Don Tarcisio, Giacinto, Calixo, Abdelkabiri, Aminata me Carin dhe unë, tamam sa një ekip hendbolli.”

  1. “Mino asht shkurtim i emrit Beniamino. Një shulak me fraza të zgjedhuna. Kishte një farë kontradikte midis pamjes dhe mënyrës sesi ai artikulonte. Kësisoj që u morën vesh shumë shejt me Don Tarcision. 500 euro për krye dhe për me na nxjerr deri në Karaburun. Ndjehet një farë frike te ekipi. Gomonja duket mjaft e vogël dhe e parahatshme për me mbajtë tetë vetë. Veç tjerash këtu është e pamundun të ruajmë edhe distancën e rekomandueshme. Vë re se edhe Caridad është e lëkundur. I duken shumë 500 euro, ndaj dhe i pëshpërit Calixos në vesh, se do të kthehet e të bashkohet edhe njëherë me shoqen e vet, Beatrix. Mirëpo Don Tarcisio i shkel syrin në shenjë se do t’ia paguajë ai.
  2. “Abdelkabiri, i rritun nëpër shtretina të Afrikës, aq shumë u tremb kur po hypnim në skaf, sa që e holli në det atë trecerek rrote djathi kackavall që na kishte mbetë. M’u desh të lëshohem vrik me not dhe ashtu duke u zhytë e kapa dhe e nxorra. Gjynahi i Zotit me na ikë mezja ashtu. Tashti ai pak i krypun prej vetes ishte dhe pak e krypi uji i detit, sa u ba gati i pahangshëm. Dhe këtu po më jepet rasti t’ju them se notin e pata mësue kur pata kenë ushtar në marinë. Kështu si djathin më patën hedhë edhe mu në ujë ditën e parë që arrita në Pashaliman”.
  3. Ra nata. Po gdhin 20 Marsi 2020. Ndërkohë që kemi hypë të gjithë e kemi zanë vend, Mino ndez motorrat. Giacinto merr të flasë dicka, vec një dallgë vjen dhe i përplaset turinjve dhe e bën mut krejt bashkë me gazetën e fjalëkryqeve. Aminata i është ngjeshë mbas trupi Abdelkabirit. Calixo me Caridad janë bashkë. Unë me Don Tarcision gjithashtu. Nuk e di pse kam përshtypjek se Calixo, ky marksisti, asht edhe pederast. U nisëm!
  4. Më duket se don Tarcisio i ka dhanë Minos vetëm gjysmën e pareve. Gjysmën tjetër do t’ia japë kur të arrijmë. Po sikur, prite Zot, të mos arrijmë?! Cfarë do bëhet me gjysmën tjetër?! Pyeta Abdilkabirin për këtë dhe ai më tha që sikur të mos arrijmë le t’i marrim ne. Më bani lamsh. Me siguri që e ka fajin italishtja ime. Desha t’ia përkthej në shqip me shpresën se mos ai tashmë di shqipen ma mirë se italishten, por s’ia dola, se pikërisht në atë kohë Aminata i volli në prehër.
  5. Drita na gjeti krejt afër brigjeve shqiptare. Dukeshin qartë vargmalet e rivierës. Ishim me të vertetë afër. Skafi tashmë kishte hy midis Karaburunit dhe Sazanit dhe po drejtohej për nga shpella e Haxhi Aliut. Tamam atëhere Don Tarcisios i hynë në cellular valët e 6+1 Vlora Television. Na e perkthe se cfare thotë më tha ai dhe më la telefonin në dorë. Një burrë i gjatë dhe me mjekërr po jepte lajmet. Unë arrita vetëm të marr vesh se nga nesër në orën 13.00 e deri të hënën në orën 05.00, do të jetë gjithçka e mbyllur. Mos, thashë me vete, u dhje puna edhe këtu.
  6. “Me ta marrë vesh këtë lajm Giacinto dhe Caridad u hodhën dhe thanë se do kthehehin. Giacinto dhe Caridad u panë sy më sy dhe atypëraty burri zgjidhi qesen dhe i dha në dorë Minos edhe njëmijë euro për t’i kthyer mbrapa në Itali. Jo more zotni, s’asht punë kjo, ma mirë rri rojtar pyjesh në Itali sesa të karantinohem në Shqipëri, hajde e dashur! Këto pakashumë ishin fjalët e Giacintos përpara se skafi të na linte ne të tjerëve në breg dhe të merrte rrugën e kthimit. O Zot sa bukur! Mino dukej si gondolier dhe çifti në kiç si të ishin në muaj mjalti. Ndërkohë Don Tarcisio, Calixo, Aminata, Abdelkabiri dhe unë mbetëm në tokë. Pesë vetë. Tamam për një ekip basketbolli.”
  7. ”Nuk e di a kanë me më njoftë gruja me djalin kur t’i takoj. Jam ba në hall. Kambët më kanë mbaru krejt. Mandej jam ba edhe pa u qethë e me mjekërr të gjatë. Shkurt me i shti frikën robve. Djali asht ba dhjetë vjec. Pati lindë tre ditë para se të ikja unë. Por para së gjithash më duhet me i dalë zot këtyne robve që kam marrë me vete. Më duhet me i cue të paktën deri në Tiranë. Don Tarcision me e dorëzue te Arqipeshkvi, Calixon te ky Caka që punon te Minstria e Jashtme, Aminaten te ndojë klub nate në Laprakë dhe Abdelkabirin me e pasë mik te shpija derisa të marrë rrugë edhe puna e tij”.
  8. Oooo cfarë mrekullie, thanë të dy menjëherë si Aminata e si Alkabiri, kur na cuan kambët në lungomaren e Vlorës. Vetëm ne të pestë në lungomare. Askush tjetër. S’po kuptoja asgja. S’e kisha menduar Shqipërinë kaq të qetë, tha Don Tarcisio, edhe ditë e dielë, pale. Vetëm Calixto paraqitej nervoz tek shikonte rreshtin e pallateve që niste andej nga Uji i Ftohtë e përfundonte në qytet. Me sa duket kishte pritur një pejsazh thellësisht komunist. Këtu kapitalizmi me gjithfarë formash paska dhanë rezultatet e veta të shëmtuara, mendoi ai me vete. Edhe unë po çuditesha. Nuk kisha qenë në Vlorë që para dhjetë vitesh, që atëhere kur morëm ilegalisht gomonën për të dalë m’at anë.
  9. Tani imagjinojeni vetë: Aminata , e varur në sup të Abdelkabirit nga rraskapitja, tundej e përkundej pa kuptim. Një zezake e veshur me një fustan të kuq e të dalë boje, si të ishte flamuri ynë kombëtar, mbështetur në një shkop të hollë e të përkulshëm. Unë me një palë kambale pa lidhësa, tuta të grisura copë-copë nga të fjeturat dokudo, mjekërr dhe flokë të gjatë. Calixo me një sombrero në krye dhe thuajse lakuriq. Don Tarcisio me një kryq të madh druri që e mbante si të ishte duke udhëheqë ndonjë procession. Pra ne të pesë në lungomaren e Vlorës, ditën e Sulltan Novruzit, me 22 Mars 2020. Si duket kjo skenë iu duk shenjë e madhe sherbezlleku një njësiti ushtarak lab, që paskësh qenë aty mënjanë, saqë pa një pa dy, dhe pa na dhanë asnjë sinjal parandalues, na hodhën turinjve disa shtëllunga gazi lotsjellës, saqë u duk se gjithçka mbaroi.
  10. Kur hapa sytë gjendesha në një dhomë të madhe, shtri mbi një krevat spitali. S’po kuptoja asgja. Ngrihem dhe vërej se jemi të gjithë përvec Aminatës. Pra kemi mbetë kater. Aminatën me siguri që do ta kenë çu te spitali i grave, në maternitet. Të gjithë flejnë si të vdekun. Mu më vjen të shkoj në banjo. Ngrihem dhe nisem me dalë në korridor. Dhoma jonë paska katër krevate. Sa dal në korridor ndeshem me një burrë tullac, pa asnjë dhamb në gojë, pa maskë, që reciton me za të naltë poezinë e Llazar Siliqit “Anës lumenjve”. Situatë e trishtë. Sa hy në banjo më pushon e djeguna e syve prej taftit të shurrës. Sinqerisht nuk di ku dhe pse jam.

Ditari 1

(vijon)

Të fundit