Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Nga heqja e ‘Shqiponjës’ te shembja e banesave në “Astir”, Gjekmarkaj: Mbarset mali e pjell një mi... Test për Bashën
Xhuliana Jakimi-Politiko.al
Analisti Agron Gjekmarkaj, i kontaktuar nga Politiko.al, ka komentuar ngjarjet e ndodhura së fundmi, heqjen e ‘Shqiponjës” nga Dogana dhe vendimin për prishjen e banesave si pasojë e projektit për zgjerimin e “Unazës së Madhe”.
Sa i përket heqjes së ‘Shqiponjës” Gjekmarkaj shprehet se pas viteve ’40 çdo gjë e ndërtuar të kall krupën. “Mbarset mal e pjell një mi... Kjo po shndërrohet në karakteristikë kombëtare”, shprehet Gjekmarkaj.
Ndërsa sa i përket projektit të ARRSH-së, analisti thekson rëndësinë e dëmshpërblimit për gjithë banorët. Ndërsa shtron se mbështetja që u jep opozita protestuesve vlen në parim, megjithatë është test për kryedemokratin Lulzim Basha.
Si e konsideroni vendimin dhe qëndrimet e mbajtura për heqjen e monumentit të ‘Shqiponjës’ në hyrje të Tiranës
Ajo që bën përshtypje në rastin e heqjes së ‘Shqiponjës’ është arbitrarizmi dhe arroganca! Pa asnjë konsultim publik e qytetar, ndoshta edhe pa një vendim të shkruar kur dihet se ajo u vendos në atë vend për 100 vjetorin e Pavarësisë e për më tepër si dhuratë e një biznesmeni shqiptar nga Maqedonia!
Një traditë e shëmtuar po themelohet e konsolidohet në vendin tonë! Prishja dhe mohimi i çdo pune që bëjnë paraardhësit me idenë ambicioze e qesharake njëkohësisht se historia fillon ditën kur partia vjen në pushtet! Nihilizmi ndaj kundërshtarit po na çon drejt Nomadizmit! Personalisht nuk më është dukur asnjëherë e bukur nga pikpamja estetike, por as për të shkulur flokët jo.
Në fakt gjërat e fundi të bukura u ndërtuan deri në vitet ‘40 nga Mbreti Zog dhe Italianët. Me pas çdo gjë të kall krupën. Sidomos tani që në mes është tenderi i cili i mpak, i rrush, i hollon objektet e artit e punët publike.
Mbarset mali e pjell një mi. Kjo po shndërrohet në karakteristikë kombëtare. Të vjedhurit mizorisht! Shqiponja u shndërrua në adresë dhe toponim urbanistik. U ngulit shpejt në kujtesën e gjithsecilit e vetvetiu lidhej pamja me datën pra me 100 vjetorin e Pavarësisë kombëtare! Shqiponja nuk e meritonte krahasimin me Korbin që i bëri Kryeministri ynë qyfyrexhi e gjykatës suprem i çdo shijeje publike. Nëse domosdoshmërisht duhej hequr prej aty për mbikalimin i duhet gjetur në vend dinjitoz për ta rivendosur. Ajo është një dhunti e pranuar nga shteti shqiptar dhe nuk ka arsye të sillemi me mosmirënjohje e rrugaçëri! Me këtë logjike i bie që shulin, i cili thirret obelisk, që ka vënë Veliaj tek Zogu i zi një ditë, t’ia sharrojnë me përqeshje e kukurima gazi, natën vetëm se e bëri ai.
Çfarë mendoni për projektin e ARRSH-së për zgjerimin e ‘Unazës së Re’ dhe që parashikon prishjen e gati 400 objekteve? Për një pjesë të konsiderueshme të këtyre objekteve, procesi i legalizimit është ndërprerë papritur, ndërkohë që kërkesat e banorëve nuk po merren në konsideratë.
Çdo qytet e për më tepër kryeqyteti ka nevojë të zgjerohet dhe të përmirsojë infrastrukturën e vet por jo duke u shndërruar në fatkeqsi për qytetarët. Ajo që e bën të dhimbshëm këtë proces është papërgjeshmëria e shtetit përballë njerëzve që rrezikon t’u prishet shtëpia e jeta! Askush nuk i pret dhe askush nuk u jep qartësi! Nëse duhet me patjetër që ato banesa të prishen, atëherë duhen të dëmshpërblehen në mënyrë që nevoja për rrugë të mos shndërrohet në fatkeqsi për ta.
Çudi pse nuk i pret Kryetari i Bashkisë! Pse nuk tenton një urë komunikimi Kryeministri?! Pse kanë frikë nga njerëzit e dëshpëruar?! Çfarë ndryshimi me pamjet e propagandës me karrike të kuqe me regji qendrore, me batuta e hoka ku rrëfehet jeta e lumtur ne epokën e rilindjes?
Edhe nëse janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme ato objekte kjo ka ndodhur për dobësi të shtetit, i cili për efekte elektorale i ka lejuar dhe joshur me procesin e legalizimit. Tani as Bashkia as Qeveria nuk mund të bëjnë parimorin sikur të kenë qeverisur Danimarkën deri dje. Ajo që mban erë të keqe është nguti dhe errësira që rrethon kompanitë që marrin tenderat për këto punime. Nga njëra ana e ka ngut për të themeluar kompani që të fitojnë miliona euro e shumë më tepër ngasje e yrysh për t’u prishur shtëpitë qytetarëve .
Cila nevojë triumfon?! Ajo për të marrë një tender apo tjetra për të ndërtuar unazën. Opozita po i mbështet këto protesta dhe po bën mirë. Mbase nuk i sjellin dobi elektorale për nga numri, por ama vlen parimi. Duhet qëndresë aty ku parimet përdoren si letra higjenike, aty ku fatkeqi bëhet edhe më fatkeq nga nxitimi për të pasuruar dikë, klient të pushtetit. Basha duhet ta ketë të qartë se ky është një test para se t’i vijë radha Teatrit Kombëtar, me rëndësi më të vogël politike, por me ndjeshmëri të lartë humane.
http://politiko.al/shqiponja-manjani-te-hiqet-jo-vetem-nga-sheshi-por-dhe-nga-flamuri-ta-zevendesojme/?fbclid=IwAR0IftNfNY9JHxgvsMyDsXOIsGJ-tG4oTDpPaz7zL6Wrj3SGtLY5WG2zevw