Flash News

KRYESORE

Nga 'hiqi brekët, Ina' te 'hidhe këpucën, Mona'

Nga 'hiqi brekët, Ina' te 'hidhe këpucën,

Alfred Lela

Fjala 'këpucë' (dhe variacioni i saj 'çizme') është përdorur më shpesh se fjala 'protestë', që prej demonstrimit të opozitës të hënën e 18 dhjetorit, në oborrin dhe në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Edhe në intervistën e kryeministrit Rama për Top Story, mbrëmjen e së enjtes, u duk se fjala 'këpucë' u lakua më shumë se çdo tjetër. Nëse kryetarja e LSI i gjuajti njëherë me këpucë Kryeministrit, ky e mori të njëjtin send dhe ia flaku mbrapsht dhjetë herë; kësaj here jo fizikisht, por si ushtrim retorik.

Kjo 'hakmarrje retorike' shpjegon shumë. Përdorimi dhe ripërdorimi i aktit të flakjes së këpucës dhe i fjalës këpucë, jo vetëm si gjësend i veshmbathjes, por si mjet politik, është thellësi dhe cektësi e komunikimit politik.

Zonja Kryemadhi nuk e ka përdorur këpucën e përndezur nga emocioni apo revolta për gjurmën e gjakut të Flonja Kërpaçit. Përkundrazi, heqja e këpucës dhe flakja e saj ka qenë një përllogaritje e ftohtë, një aritmetikë politike që e di se, për popullin 'një edhe një bëjnë dy', po aq thjesht sa edhe këpuca e një gruaje që i përvishet një burri bëjnë një 'burrneshëri'.

Monika ka hyrë në sallën e Kuvendit mesditën e asaj të hëne me të njëjtën vetëdije që një grua futet në shtratin e një burri: për t'i hequr ato çizme. Këpucëflakja e Monikës është joerotike, madje e kundërta, por, mbani mend se shoqëria shqiptare i përket idealit mashkullor dhe jo atij femëror. Monika Kryemadhi ka eksituar më shumë burra dhe gra të Shqipërisë duke i hequr këpucët për 'qëllime luftarake', dhe duke i flakur drejt një burri të gjatë që, përveç shtatit zotëron edhe lartësitë e pushtetit.

Shumë më pak drithërima do të kishin pasuar nëse Monika do të ri-inskenonte episodin rrëqethës të Sharon Stone-it te 'Basic Instinct'. Jemi një shoqëri e modelit fallik dhe çimzja e një gruaje merr përnjëherë formën e penisit në sytë e një 'tribuje' të tillë modeluar nën idealin mashkullor.

Edi Rama u fut në zgjedhje duke përpjestuar e shumëzuar një arketip kulturor të ngjashëm. Kujtojini fjalët e tij kyçe të disa muajve fushatë: kazan, tepsi dhe timon. Dy prej tyre evokojnë femëroren (kazani dhe tepsia), dhe janë të ngulitura në nënndërgjegjen e shqiptarit si fusha ku gruaja bën betejat dhe luan lojën e jetës dhe të nënshtrimit shoqëror. Kazani, deri vonë, ishte për larjen e teshave, për gjellët në familje të mëdha apo në raste dasmash, pra për punë të hyzmetit. Tepsia, gjithashtu e përhershme mes enëve të kuzhinës. Vini re se, kazanin dhe tepsinë, Edi Rama i rezervonte për kundërshtarët politikë (opozitën) dhe mediatikë, duke i degdisur të dyja palët në honet e thella të nënvetëdijes së shqiptarit, aty ku prej qindra vjetësh rrinë gratë (në prapaskenat dhe hijet e kuzhinës apo banjos, duke larë dhe gatuar për burrin dhe trashëgimtarët e tij, fëmijët).

Elementin triumfues, burrëror, shenjë e virilitetit shoqëror dhe politik, timonin, instrumentin e drejtimit, pushtetit dhe shpejtësisë, ai e donte të gjithin. Arketipi kulturor, timoni, një gjë vetëm për burrat, i duhej kaluar totalisht dikujt që me të në dorë 'do të bënte shtet'. Te fjala kyç, 'shtet', ai fuste në përdorim edhe kujtesën e shqiptarit, 30 vjeçar e lart, për Enver Hoxhën. 'Do bëjmë shtet' takohet automatikisht me 'në kohën e Enverit kishte shtet', që e dëgjon jo rrallë të artikulohet nga njerëz të zakonshëm kur i kap delli i krahasimit të dy epokave.

Prej pranverës deri në dimër, komunikimi politik në Shqipëri është mbërthyer në fjalë të tilla si tepsi, kazan, timon dhe këpucë. Të cilat janë ekskluzivisht pjesë e fjalorit të së majtës, ose e dy përfaqësuesve të saj, Edi Ramës dhe Monika Kryemadhit. Një gjuhë e tillë e kthen komunikimin politik në argëtim. Formulime të tilla nuk synojnë të zbulojnë, por të fshehin.

Shkenca e komunikimit e tillë është: zbulon aty ku ti vlerëson fshehtësinë, dhe fsheh aty ku ti ke nevojë për zbulimin.

Kryeministri, në intervistën e së enjtes në Top Story, i mbajti gjatë në gojë këpucët e Monikës, pikërisht se donte të mbulonte me to shenjat e protestës dhe gjurmët që e çuan opozitën deri te ai akt. Por edhe se me to donte të vazhdonte lojën e argëtimit, që është më e lehtë se qeverisja. Pavarësisht premtimit 'do të bëjmë shtet', pra 'do të qeverisim'.

Ashtu siç i shërbeu episodi 'hiqi brekët, Ina!', si metaforë një një ese të rinisë, botuar te 'Refleksionet' e vitit 1992, ashtu edhe heqja e këpucëve prej Monikës, iu desh për të ndërtuar dhe mbajtur ndezur shkëndijën e banalitetit, që është përherë më zbavitëse se një gjë serioze si protestat, etj.

Hidhe këpucën, Mona!

 

Të fundit