Nga Macron te Erdogan, kush i telefonoi Ramës dje pak minuta pas tërmetit: Më thanë çfarë doni

Kryeministri Edi Rama ka treguar në mbledhjen e Grupit me ministrat, deputetë e kryebashkiakë se fill pas tërmetit të djeshëm që shkaktoi 105 persona të lënduar dhe dëme të konsiderueshme materiale janë solidarizuar me ngjarjen edhe liderët e shteteve evropiane.

Rama tha se pak minuta pas tërmetit ështëv telefonuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, apo presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan.

“Kur tërmetet e kalojnë kufirin e të përballueshme edhe qeveritë më të mëdha i drejtohen solidaritetit ndërkombëtar sic ka ndodhur me Greqinë apo Italinë.

Kjo është arsyeja pse dje pas pak minutash më morën në telefon kryeministri i Italisë, presidenti i Francës, kancelarja austriake, komisioneri Avramopulos, për të thënë cfarë doni. Më mori presidenti Erdogan, aktivizuan strukturat e tyre se lajmi ishte tronditës dhe eksperienca ka treguar se në raste  të tilla duhet solidaritet”, u shpreh Rama teksa iu përgjigj deputetit Paulin Sterkaj, kur i kërkoi që qeveria të ketë tani e tutje një fond të posaçëm vetëm për tërmetet me qëllim që “mos t’ia shtrijmë dorën akujt”.