Nga prefektët, te ushtria… të gjithë në Durrës pas tërmetit, Rama u le afat deri pasdite: Të hapet stadiumi, kujdes spekulantët

Kryeministri Edi Rama u ka lënë afat deri në orët e pasdites të gjitha strukturave shtetërore, për t’u angazhuar në ardhjen në ndihmë të banorëve të prekur nga tërmeti i fuqishëm që ‘shkundi’ dje të gjithë vendin, kryesisht Durrësin dhe Tiranën.

Gjatë mbledhjes së sotme me drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, Emergjencës Civile, Rezervës së Shtetit dhe të gjithë prefektët e vendit, Rama kërkoi që të gjithë prefektët, ministrat, deputetët, ushtria të zhvendosën në Durrës, ku dëmet kanë qenë më të mëdha. Attyre iu kërkua që të identifikojnë dëmet në terren, si dhe për të sistemuar në zona të sigurta familjarët, të cilëve u janë dëmtuar shtëpitë.

“Gjeja që unë dua të shikoj pasdite është harta me kush bën çfarë , deri sot pasdite dua cdo pikë të identifikuar të dëmtuar e të mbuluar me emra. Kërkohet solidariteti i prefektëve të tjerë që kanë trajnimin e duhur për të kontaktuar me njerëzit.

Identifikimi i dëmve të brendshme materiale. Duhet shumë kujdes për të mos patur spekulantë, duhet të jenë të sigurt se nuk do të harrohen, duhet inventar të saktë që nesër të kemi kapërcyer identifikimin e dëmeve strukturore.

Harta e dëmeve kërkon përditësim të vazhdueshëm, sot mund të vij fluks tjetër. Do kemi njerëz që janë dëmtuar, por edhe spekulantë, prandaj duhet të bëhet identifikimi në terren.

Ushtria të marrë informacion të saktë për cadrat që duhen.

Stadiumi i Durrësit të jetë sot pikë pritje, në dispozicion të ketë psikologë dhe njerëz që merren me komunikimin, mjete që nëse duan ta kalojnë natën me fëmijët shkojnë në kavalishencë  se kanë cdo gjë që duhet.

Prefektët e ardhur nga qarqet e tjera, të spostoheni në Durrës, me synimin që çdo familje që hyn në atë rrethin e parë të stresit dhe që dje gjatë gjithë natës ka qëndruar jashtë të kontaktohet. Mbi atë hartë të të dhënave që ka prefektura të bëhet një shpërndarje e forcave dhe çdo familje të kontaktoni për t’u dëgjuar. Ju të gjithë këtu, plus strukturat atje të Policisë së Shtetit dhe ato të mirëqenies sociale të organizohen dhe shpërndahen në mënyrë të struktura, me destinacione konkrete, dhe brenda ditës së sotme, para se të vijë nata, duhen kontaktuar të gjithë, sy më sy. Do të angazhohen edhe deputetët, edhe ministrat, sepse është një moment psikolog që kapërcehet me komunikim”, u shpreh kryeministri.