Flash News

KRYESORE

Nga Ruçi te urdhri i Lleshajt, lëvizjet që po tentojnë të shmangin protestat e opozitës para Parlamentit

Policia e Shtetit nuk i jep leje Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar të zhvillojë protestën e paralajmëruar më 5 mars, paralelisht me seancën plenare para Parlamentit.

Nën firmën e drejtorit të Policisë së Tiranës, Kastriot Skënderaj dhe urdhër të ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, policia ndalon tubimin e PD më 5 mars me argumentin se tubimi pengon hyrjen në Kuvend të deputetëve dhe vë në rrezik jetën e deputetëve.

Ndërkohë, ky refuzim nuk është lëvizja e parë e vënë në zbatim për shmangien e protestave opozitare kundër qeverisë.

Kujtojmë se edhe më 26 shkurt, në mbledhjen e mëngjesit, Konferenca e Kryetarëve vendosi papritur që seanca plenare të zhvillohet jo si zakonisht ditën e enjte, por pasditen e së martës.

Në këtë mbledhje ku të pranishëm ishin vetëm deputetët e mazhorancës, Parlamenti u vendos të mblidhej në orën 17:00.

Shkak për këtë vendim të Ruçit u raportua se ishte protesta e planifikuar e opozitës, ditën e enjte, kur zhvillohen zakonisht seancat.

Pavarësht se seanca u zhvillua të martën, protesta e opozitës u zhvillua sërish për tri orë para parlamentit.

Kujtojmë se edhe dy javë më parë, më 16 shkurt (e enjte) Gramoz Ruçi vendosi të mos e mbledhë Kuvendin për shkak se opozita do të protestonte jashtë godinës duke thënë në një deklaratë për mediat se “Përgjegjësia ime si kryetar kuvendi nuk mund të lejojë  t’u jap mundësi keqbërësve për t’u bërë objekt i sulmit”.

Fillimisht publikoi rendin e ditës, por jo orën e seancës dhe pak më vonë, në orën 17.00 vendosi ta anulojë me pretendimin e sipërpërmendur, në dukje një strategji e radhës për të shmangur protestën e paralajmëruar të opozitës së bashkuar.

Ndërkohë, PD është shprehur e vendosur se protesta e 5 marsit do të zhvillohet, pavarësisht refuzimit të policisë për të dhënë lejen e tubimit.

Të fundit