Flash News

KRYESORE

Nga sot në mesditë ndryshon skema e lëvizjes, gjithçka e mbyllur deri të hënën

Pas orës 13.00 të ditës së sotme në rrugë nuk do të lejohet asnjë lëvizje këmbësorësh apo me automjete deri të hënën.

Qeveria ndërmori një masë të tillë për shkak të qytetarëve që nuk respektojnë jo vetëm fashat e orareve, por edhe distancat apo nuk evitojnë grumbullimet.

Kryeministri Edi Rama tha dje pasdite se të pabindurit jo vetëm do të ndëshkohen me gjoba, por do u ndërpritet dhe çdo lloj ndihme e shërbimi shtetëror.

“Nga nesër regjimi i lëvizjes ndryshon, sepse nuk kemi asnjë orë e jo më ditë për të humbur me edukimin e të pabindurve, të cilëve shumë shpejt do të detyrohemi t’ua kthejmë me të njëjtën monedhë, jo vetëm duke i ndëshkuar me gjobat e sanksionet në fuqi po edhe duke u ndërprerë çdo lloj ndihme e shërbimi shtetëror”, shkruan Rama.

Më tej, Rama tha se nga sot ndryshon dhe orari i lëvizjes. Kështu, lëvizjet e firmosura edhe nga Ministria e Shëndetësisë do të kryhen nga ora 05:00-13:00, ndërsa thotë se pas këtij orari ditën e shtunë, deri të hënën në orën 05:00, nuk do të ketë më asnjë lëvizje.

“Thirrjet për mirëkuptimin e tyre po mbarojnë! Nga nesër orari i lëvizjes do të jetë 05.00 - 13.00! ky do të jetë në vijim edhe orari i pikave të shitjes së ushqimeve, ilaçeve apo shërbimeve bankare, si edhe orari i punës së punonjësve të administratës.

Nga nesër në orën 13.00, gjatë gjithë ditës së dielë, deri të hënën në orën 05.00, do të jetë gjithçka e mbyllur, në të gjitha qendrat urbane të republikës së shqipërisë. në rrugë do të jenë vetëm forcat e policisë, ushtrisë, njësive kritike të shërbimeve shtetërore dhe atyre të kompanive mediatike! Kjo është luftë dhe armiku nuk po largohet, por po afrohet çdo minutë! prandaj mblidheni mendjen bashkë me mua që duhet të shtrëngojmë çdo ditë vidat e zinxhirëve mbrojtës, nëse nuk duam të na grijë si helmi mizat”, shkruan Rama.

Të fundit