Nga “t’du fort, vllai” në “hajt, shnet vllai”: ‘Vllazëria e çakejve’ të zgjedhjeve që krijoi Edi Rama   

Marsel Lela

Gazeta gjermane BILD publikoi dje një sërë përgjimesh të reja, ku ndër të tjera ishte i përfshirë edhe vetë kreu i ekzekutivit, Edi Rama. Në përgjimin numër 1 është Rama që pyet zyrtarin e Ministrisë së Brendshme, Arben Keshin, nëse ‘ishte realizuar objektivi, apo jo?’. Biseda mes të dyve mbyllet me një përshëndetje në zhargon nga ana e kryeministrit që i thotë Keshit, “hajt, shnet vllai”.

Po me të njëjtin zhargon dhe afeksion ‘vëllazëror’ (në serinë e parë të përgjimeve të të BILD) mbyllet edhe biseda mes kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako dhe Astrit Avdylajt (pjesë e grupit kriminal Avdylaj), ku ky i fundit i shpreh edhe dashurinë Dakos me një, “t’du fort vllai”.

Në vetvete vëllazëria është një bashkim individësh që i lidh një ide, parim ose interes i caktuar. Përgjimi i publikuar nga gazeta gjermane e tregon qartë interesin që i bën bashkë këtë ‘vëllazëri të çuditshme’ politikanësh, policësh, funksionarësh të lartë të shtetit, gangsterësh dhe përmbaruesish.

Interesi që i lidh ata është vjedhja e votës dhe mbajtja e pushtetit nëpërmjet ryshfetit, shantazhit dhe dhunës. Nëse në përgjimin e parë mes Dakos dhe Avdylajt ndokush mund të hidhte ndonjë hije dyshimi, seriali i djeshëm nuk i la shteg as vetë Ramës, i cili jo vetëm e pranoi, por edhe e miratoi atë që kishte thënë.

Pyetjet që lindin këtu janë të shumta. A do të sjellë kjo shtrëngatë skandalesh fundin politik të Edi Ramës? A ka ardhur koha që ai t’i thotë “shnet vllai” pushtetit dhe t’i hapë rrugën, jo vetëm zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por edhe një ‘rilindje’ të vetë Partisë Socialiste?

Për më tepër, a ka më vlerë kjo fushatë monopartiake e PS-së dhe, me sa sy e faqe mund t’i dalë përpara elektoratit kreu i kësaj partie? Si mund të ndihet sot çdo socialist i ndershëm që i ka dhënë votën Edi Ramës, kur ky i fundit ‘të ulet gju më gju’ me ta dhe të shohë filxhanin e radhës? A do t’ia kthejnë një milion shuplakat mbrapsht, apo do ta brohorasin akoma duke e lënë ta zhysë edhe më fort dorën në xhepin e tyre gjithë arna?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë në ndërgjegjen e çdo shqiptari të lirë nga dogmat partiake. Edi Rama nuk mund të zbresë më, në mos do pllakosë si katastrofë në aeroport të politikës shqiptare (për të përdorur një varg të Kadaresë), ndaj… “hajt, shnet vllai” është zgjidhja më e mirë!