Flash News

KRYESORE

Nga Yaris-i i vogël del euro e madhe

Nga Yaris-i i vogël del euro e madhe

Alfred Lela

Kur kryetari i Partisë Demokratike shpallte të enjten në parlament se, një makinë Toyota Yaris me 1.5 milion euro është interceptuar dhe po vjen drejt Shqipërisë, mosbesimi shfaqej edhe në sytë e më besimtarëve. I lidhur ndoshta edhe me llojin e makinës. Toyota Yaris është një prej më të voglave në treg, pakogjë më e madhe se një Smart dhe njihet si makinë grash apo vajzash të reja, e ndërtuar për një konsumator që ka shqetësim kryesor ekonominë, dhe ndoshta mjedisin.

Yaris, ashtu modeste dhe e vogël, nuk duket si makinë që as i nxë 1.5 milion euro. Pse pikërisht një Yaris dhe jo një makinë tjetër? Deklarata e Bashës i ngjante një rrëfimi fantastik. Kjo, vetëm nëse e ke kujtesën e shkurtër. Një Yaris nuk ka pse të jetë më fantastike se sa avionët e vegjël që uleshin lagunave të Shqipërisë dhe qeveria ngulmonte se ishin mushkonja.

Po një Yaris me cilin insekt mund të krahasohet?

E tillë, e pakrahsuar nga asnjë eksponent i mazhorancës, madje as nga vetë i përmenduri si ‘kujdestari’ i ngarkesës, deputeti Taulant Balla, Toyota e vogël u shfaq të dielën në portin e Durrësit bashkë me simotra të saj, ngarkuar në një trajler makinash që kishin si destinacion tregun shqiptar. Ashtu si paratë.

Me tri ditë në mes për të realizuar parashikimin e tij fantazmagorik, Lulzim Basha i ngjante një orakulli (të pagjasë) që sheh fate në vija duarsh, energji në lëvizje yjesh dhe kontrabandë në transport makinash. Për ta hedhur në erë ‘operacionin’ e dekonspiruar nga Basha dhe të zbuluar në portin e Durrësit, proven e parë të implikimit qeveritar e dha TVSH, televizoni publik shqiptar. Në një kronikë të edicionit të lajmeve të mbrëmjes, ekrani shtetëror e pranonte se në Durrës është zbuluar një Yaris me 1.5 milion euro, por se ato janë para false, sipas burimeve policore!!!

Prova e dytë erdhi po nga Policia. Policisë së Shtetit iu deshën rreth 24 orë për të shpërndarë zyrtarisht lajmin se, në Durrës është kapur një sasi e madhe e monedhës së BE ngarkuar në një Yaris. Policia jonë nuk e ka zakonin e përmbajtjes kur vjen puna te zbukurimi dhe shpallja e aksioneve të saj si të suksesshme. Sikur një sëpatë e vjetër të kapet në një fshat të thellë të Korçës, lajmi i kalohet medias si punë e paqme e Policisë në parandalimin e një vrasjeje! Pse duhen 24 orë për miliona euro? Sepse numërimi i tyre merr një kohë të gjatë?!

Edhe te numërimi, apo te raportimi i shumave të ndryshme, duhet kërkuar një shenjë tjetër e përpjekjeve për të kamufluar ç’të mundeshin nga ‘Yaris-i i mrekullueshëm’ që pillte miliona euro. Shifra e raportuar në fillim duhet të jetë parë si e gabuar, sepse konfirmonte ekzaktësisht atë që kish shpallur kryetari i opozitës. Pra, lloji i makinës (Yaris) dhe shuma prej 1.5 milion eruosh në të, e konfirmonte lajmin e dhënë në parlament nga Basha të enjten, por edhe i shtonte staturë kryetarit të PD. Ai mund të shihej si zotërues dhe përpunues informacionesh ‘shkatërruese’ të cilat, për më shumë, vinin nga shërbimet sekrete partnere. Kush ishte Kryeministri, Rama apo Basha? Apo më keq ende, Basha shihej si partner nga të huajt ngaqë ata e kishin humbur besimin te Kryeministri në zyrë? Apo dhe më keq akoma ‘sekretët’ e shihnin KM si pjesë, apo të paktën symbyllur ndaj implikimeve në ilegalitet të njerëzve shumë afër tij?

Raportimet për shumën filluan me 1.5 milion euro, për t’u bërë më vonë 3.3, e  me radhë 5 milion, dhe në fund 3.36 milion euro. Numërimi ‘i pavendosur’ ka patur të bëjë sa me raportimet e luhatura që kanë marrë gazetarët nga burimet e tyre, por më shumë me hutimin që ka shkaktuar ‘patatja e nxehtë’ e Yaris-it në duart e njerëzve që kanë si detyrë shtetin, por janë të kapur në kthetrat e pushtetit.

Jo më pak i përket këtij ‘hutimi’ edhe lajmërimi i gazetarëve, nga zyra e shtypit e Partisë Socialiste, për një deklaratë të Taulant Ballës në ora 13.00 (siç raportoi edhe Politiko), gjër për të cilën më vonë pati një ‘pendesë’.

Në fjalët e Marceliusit te ‘Hamleti’ ‘something is rotten in Denamrk’ (diçka mban erë në Danimarkë). Në këtë rast në Shqipëri.

Të fundit