Flash News

KRYESORE

Ngacmoi seksualisht 5-vjeçaren, arrestohet 48-vjeçari

Ngacmoi seksualisht 5-vjeçaren, arrestohet 48-vjeçari

Një rast tjetër i ngacmimit seksual me një të mitur është bërë publike ditën e sotme. Bëhet fjalë për një 48-vjeçar, i cili kishte ngacmuar seksualisht një 5-vjeçare. Ngjarja është shënuar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Beratit, në lagjen “Barrikadë”, ku një familje është paraqitur në polici për të denoncuar ngacmimin seksual të bërë ndaj vajzës së tyre.

Pas vizitës mjekësore të bërë në Spitalin Rajonal të qytetit, mjekët specialistë kanë konstatuar se 5-vjeçarja kishte shenja të ngacmimit seksual, të cilat ende nuk ishin finalizuar. Mësohet se e mitura është ngacmuar seksualisht nga komshiu i saj 48-vjeçar, i cili është i njohur nga banorët e lagjes si pijanec.

Mësohet gjithashtu se ky person rrinte shpesh dhe luante me fëmijët e lagjes në sheshpushimet përpara pallateve por deri tani askush nga banorët e lagjes “Barrikadë” nuk ishte ankuar për sjelljet e tij ndaj fëmijëve.

Ende nuk dihen rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe dinamika e saj, pasi nga ana e policisë nuk konfirmohet se ku dhe si ka ndodhur ngacmimi seksual. Pasi marrjes në pyetje të të miturës në prani edhe të psikologëve, policia e Beratit ka arrestuar 48-vjeçarin dhe po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.

“Specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Berat, ndaluan shtetasin S.K., 48 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se ky shtetas ka konsumuar elementë të veprës penale ‘Ngacmimi seksual me të mitur’, me një fëmijë 5 – vjeçar. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat për veprime të mëtejshme”, deklaron Policia e Beratit.

Të fundit