Ngërçi për Gjykatën Kushtetuese/ Avokati i Popullit njofton padi ndaj KED për shkeljen që ‘Politiko’ e paralajmëroi që në mars

KED Avokati i Popullit
KED Avokati i Popullit

Dje, Avokati i Popullit ka reaguar lidhur me ngërçin institucional mes presidentit dhe kuvendit sa i takon emërimeve të reja në Gjykatën Kushtetuese.

Me një reagim të gjatë e të shtjelluar, AP njoftoi se po përgatit një padi ndaj Këshillit të Emërimeve në Drejtësi me drejtues Ardian Dvoranin, për shkak të shkeljeve të konstatuara në konceptin e Dhomës së Këshillimit në mbledhjet e këtij organi administrativ.

Siç paralajmëroi edhe ‘Politiko’ tetë muaj më parë, shtatë anëtarët e KED (nga 9-të që duhet të ketë ky institucion) morën vendimin për të ngritur një “dhomë këshillimi”, ku do të mblidheshin pa praninë e vëzhguesve, për të diskutuar mbi anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorin e Përgjithshëm të Drejtësisë.

Ky vendim ishte në kundërshtim me nenin 149/d të Kushtetutës dhe nenet 217-242, ligji për Qeverisjen e Gjyqësorit, ku parashikohet prania e vëzhguesve në mbledhjet e KED.

Sipas Kushtetutës, KED i bën mbledhjet e mbyllura, por gjithnjë në prani të vëzhguesve, të cilët janë Avokati i Popullit, përfaqësuesi i Kuvendit, përfaqësuesi i opozitës dhe përfaqësuesi i Presidentit. Këta përfaqësues kanë të drejtë të dëgjojnë diskutimet mbi emërimet e reja në drejtësi, por nuk kanë të drejtë të hyjnë në diskutime, përjashtim bën vetëm përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, i cili mund të shtrojë pyetje.

Por paralelisht me këtë rregullore të përgatitur me ndihmën e Euralius, KED miratoi krijimin e “dhomës së këshillimit”, ku diskutimet e kandidaturave dhe përzgjedhja e dosjeve do të bëhet pa praninë e vëzhguesve dhe në fshehtësi të plotë, duke rrezikuar cilësinë e drejtësisë së re, siç po ndodh edhe sot.

Në kushte të tilla, Avokati i Popullit ka njoftuar se ka përgatitur një padi ndaj KED në gjykatën administrative të apelit, me objekt shfuqizimin e disa prej neneve të dy prej rregulloreve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

“Disa prej Rregulloreve në versionet e tyre përfundimtare të publikuara në faqen zyrtare të KED-së, kufizuan kompetencat e institucionit tonë për të marrë pjesë në mbedhje e veprimtari, siç e parashikon Kushtetuta dhe ligji 115/2016, duke parashikuar një kufizim të mëtejshem të transparencës së Këshillit.
Më konkretisht, KED ka miratuar një rregullore në të cilën prezanton konceptin e dhomës së këshillimit në mbledhjet e këtij organi administrativ, gjë e cila jo vetëm nuk është e parashikuar në ligj, por edhe nëse do i referoheshim teorisë të së drejtës, është një koncept i përdorur në procedurat gjyqësore dhe jo në ato administrative.

Kështu, sipas pikës 41 të Vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nr.4 datë 11.03.2019 “Për procedurën e verifikimit të kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, është vendosur që: “Bisedimet e çështjes, si dhe votimi i vendimit, bëhen vetëm me praninë e anëtarëve të Këshillit».

Duke vlerësuar një parashikim të tillë në kundërshtim me kompetencat që Kushtetuta dhe ligji që cituam më siper i kanë dhënë institucionit tonë, ne kemi përgatitur padinë përkatëse për të goditur këtë akt nënligjor, por për të mos penguar procesin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese, kemi pritur për depozitimin e padisë deri në përfundimin e procesit nga ana e Këshillit për të evidentuar tërësisht problematikat që mund të përfshihen në këtë padi, por edhe për të mos dëmtuar imazhin e reformes së drejtësi. Pra, shumë shpejt ne do të paraqesim këtë padi në gjykatën administrative të apelit, me objekt shfuqizimin e disa prej neneve të dy prej rregulloreve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, njofton Avokati i Popullit në reagimin e saj të fundit.

Dyshimet mbi “dhomën e këshillimit”, KED do zgjedhë në fshehtësi emrat e drejtësisë së re