Flash News

KRYESORE

'Ngjarja e Vitit' sipas Agron Gjekmarkajt

'Ngjarja e Vitit' sipas Agron Gjekmarkajt

Irgis Hysenaj/ Politiko.al

Viti 2019 nuk ka për t’u harruar lehtë nga shqiptarët. Kjo sepse ka qenë i mbushur me ngjarje, të cilat për fatin tonë, ndikuan dhe do të ndikojnë në jetët e gjithësecilit edhe në të ardhmen. Në vendin tonë ndodhën ngjarje vendimtare, që nga lënia e mandatave të opozitës dhe dalja nga parlamenti, tërmeti i 26 nëntorit, refuzimi i hapjes së negociatave me BE-në, zgjedhjet vendore pa opozitën, e po ashtu u krijuan institucione, nga të cilat pritet një drejtësi e pavarur dhe e shëndoshë. Për “Politiko.al”, kanë dhënë opinionin e tyre tetë personazhe publikë, të cilët kanë argumentuar ngjarjen më të veçanta të këtyre 12 muajve.

Agron Gjekmarkaj

Ngjarja më e rëndësishme e vitit që po lëmë pas, qe tërmeti i rëndë i 26 nëntorit, i cili la pas 51 viktima, qindra të plagosur, mijëra banesa e biznese të rrënuara me një dëm ekonomik të frikshëm! Kjo fatkeqësi natyrore zbuloi edhe fatkeqësitë e shkaktuara nga njeriu! Babezinë dhe korrupsionin, të cilat kanë dhunuar ligjet e natyrës me ndërtimet pa kriter po vetëm me një qellim, grumbullimin e parasë! Shteti shqiptar rezultoi totalisht i papërgatitur për ngjarje të tilla! Nëse nuk do të ishte ndihma e huaj, tragjedia do kishte përmasa edhe më të frikshme. Gjithësa ka ndodhur, na fton për një reflektim për mardhenien që duam të kemi me tokën, detin, kënetën, lumejtë, ligjet e urbanistikës me politikën etj. Shqiptarët përtej gabimeve të veta e përtej varfërisë, u treguan solidare deri në mbresëlënie. Tani është sfida e rindërtimit. Kalimi nga fjala te faktet. Qeveria ka premtuar shumë. Nisur nga eksperienca e këtyre viteve, ajo ka gënjyer shumë e druajmë se do gënjejë prapë. Dimri i ftohtë dhe drama e njerëzve po thellohet, propaganda është vrastare. Nëse premtimet e pas tërmetit mbeten gënjeshtra, do jenë gënjeshtrat më fatkeqe në historinë e këtyre 30 viteve. Nuk do kishte këllqe, sado të gjata, për turp të tillë askush.

Të fundit