Flash News

KRYESORE

'Ngjarja e Vitit' sipas Spartak Ngjelës

'Ngjarja e Vitit' sipas Spartak Ngjelës

Irgis Hysenaj

Viti 2019 nuk ka për t’u harruar lehtë nga shqiptarët. Kjo sepse ka qenë i mbushur me ngjarje, të cilat për fatin tonë, ndikuan dhe do të ndikojnë në jetët e gjithësecilit edhe në të ardhmen. Në vendin tonë ndodhën ngjarje vendimtare, që nga lënia e mandatave të opozitës dhe dalja nga parlamenti, tërmeti i 26 nëntorit, refuzimi i hapjes së negociatave me BE-në, zgjedhjet vendore pa opozitën, e po ashtu u krijuan institucione, nga të cilat pritet një drejtësi e pavarur dhe e shëndoshë. Për “Politiko.al”, kanë dhënë opinionin e tyre tetë personazhe publikë, të cilët kanë argumentuar ngjarjen më të veçanta të këtyre 12 muajve.

 

Spartak Ngjela

Për mua ngjarja që do veçoj është dalja e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit si figura në Prishtinë, të cilat reflektojnë në qeverinë mediokre të Tiranës. Zgjedhja e tyre në Kosovë nxjerr në pah mediokritetin e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë shqiptare, që janë njerëz që nuk dinë që të artikulojnë politikisht. Ata të dy me diferenca të vogla nga njëri-tjetri, dinë që të artikulohen politikisht. Kurti dhe Osmani kanë ndikuar edhe te shqiptarët e Shqipërisë dhe këtë e pashë në revoltën që u bë në Tiranë kundër samitit për Shengenin Ballkanik. Ata kanë gjallëruar patriotizmin në Shqipëri. Një ndryshim i tillë në Kosovë vjen dhe nga karakteri intelektualist i politikës shqiptare, i cili është luftuar deri më tani. Nuk e përballon dot Rama Kurtin, me retorikë politike. Pse? Sepse ai flet me logjikë politike, kurse ky flet si në mesjetë, me figura. Kjo është risia dhe nëse del edhe qeveria që kam përshtypjen do të jetë Kurti-Osmani, atëherë risia do të ndikojë në të gjithë botën shqiptare. Ka influencuar edhe në Shkup, në Mal të Zi. Mali i Zi së fundmi pranoi ligjin për simbolet, shqiptarët aty kanë të drejtë të mbajnë simbolet e tyre. Kjo dyshe është qendra e fenomenit të ri të botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Të fundit