Flash News

KRYESORE

Ngjarjet e 97-s rivijnë në ekran nga këndvështrimi i kinemasë spanjolle

Premiera botërore e filmit të gjatë thriller spanjoll “Zgjimi i Enver Simakut”, me regji e skenar të Marco Lledo Escartin do të shfaqet në Pogradec, më 8 korrik, në kuadër të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë. Në këtë film që inspirohet nga Shqipëria e 1997, interpretojnë figura të tilla të ekranit shqiptar si Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Viktor Zhusti, Pirro Milkani, Ema Andrea, Laert Vasili, Lulzim Guhelli. Si kinemaja shqiptare ashtu edhe ajo e disa vendeve të tjera si italiane, greke etj kanë tentuar të sjellin në ekran ngjatjet e përgjakshme shqiptare të vitit 1997, por nuk kanë pasur ndonjë sukses. Madje kinemaja shqiptare ka qenë e sipërfaqshme, tendencioze dhe  aspak bindëse. Filmi më i fundit i regjisorit Leka Bungo, prodhim i TVSH-së, është dështimi i radhës.

Filmi do të mirëpritet në edicionin e shtatë të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë, festival që nis sot në Pogradec, i organizuar nga shoqata Art-Impulse, në bashkëpunim me Bashkinë Pogradec, Ministrinë e Kulturës, Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, Ministrinë e Kulturës Kosovë, etj. Festivali hapet sonte me projektimin e filmit të gjatë grek “I padukshëm”, me regji të Dimitris Athantis. Përgjatë festivalit do të projektohen 64 filma të autorëve nga të gjitha vendet e Ballkanit. Shqipëria përfaqësohet më 8 filma të kineastëve të rinj. Kosova përfaqësohet me 11 filma.Filmat projektohen në kinemanë “Mitrush Kuteli” në qendër të qytetit. Në ekrane të mëdha të vendosur jashtë ato do të projektohen edhe për një publik më të gjerë. Një juri me ekspertë ndërkombëtarë jo-ballkanikë do të vlerësojë filmat. Ceremonia e ndarjes së çmimeve organzohet natën e fundit, 8 korrik, pas premierës së filmit spanjoll.

 

Të fundit