Flash News

OP-ED

Ngritja dhe rënia e idesë serbe për ndarjen e Kosovës

Ngritja dhe rënia e idesë serbe për ndarjen e Kosovës

Altin Gjeta

Në verën e vitit 1878, Fuqitë e Mëdha të kohës u mblodhën në Berlinin në ngjitje të Otto von Bismarkut, kancelarit të parë të Gjermanisë së bashkuar për të rigjetur balancat në kontinent. Perandaria Osmane kishte filluar dishezën drejt perwndimit, pasi kish mbajtur për shekuj skeptrin e shtetit më të madh dhe tw fuqishëm të kohës. Rrjedhimisht, kjo do të thoshte se i hapej rruga Rusisë cariste për më shumë fuqi dhe kontroll në Ballkan ku, pas disa dekadash kryengritje, kishin filluar të lindin shtetet e para të pavarura nga Porta e Lartë.

Historia tashmë dihet. Trojet shqiptare u përdorën si plaçkë tregu për të kënaqur synimet e shteteve të sapolindura fqinje – zgjatime të interesave të të mëdhenjve në rajon. Memorandumit të Lidhjes së Prizrenit për moscwnim të trojeve shqiptare, Bismarku i’u përgjigj emblematikisht në mënyrë fyese “nuk ekziston komb shqiptar dhe Shqipëria ishte thjesht një shprehje gjeografike”*.

Pothuajse141 vite më pas, javën që shkoi, u mbajt në Berlin takimi i nivelit të lartë mes kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Makron dhe liderwve të Ballkanit perendimor. Ndryshe nga më shumë se një shekull më parë, shqiptarët patën tw pranishwm dy kryeministra dhe një president. Ironikisht, temë kryesore e bisedimeve ishin përsëri kufijtë e trojeve shqiptare – këtë herw servirur shqip nga menuja e Beogradit. Ndërkohë, në postin e kancelarit të Gjermanisë, realpolitikës së Bismarkut i’a ka zënë vendin lidershipi europianist i Merkelit e cila po tërheq pas vetes, gjithnjë e më shumë, një Francë krenare, por larg potencialit për të qenë udhëheqëse e vetme në nivel europian.

Në Berlin, fatmirësisht, këtë radhë nuk u mblodhën për ndarje territoresh, por për të shpërdarë retë e zeza mbi rajon, e veçanërisht mbi qiellin e Kosovës, të thirrura verën e shkuar në një ditë rrezëllitëse nga vetë presidenti i saj, Hashim Thaçi.

Si foli në shqip projekti i Beogradit për ndarjen e Kosovës

Për studiuesin Ernest Gellner nacionalizmi ngrihet mbi mite’. Posaçërisht, nacionalizmi serb ushqehet me mite’, jeton dhe celebron edhe mizërinë që sjellin ato me vete. Në 1999-ën, kur pas 78-të ditë bombardimesh nga NATO, Kosova u lirua, miti i Serbisë së Madhe u shkrumbua nën hirin e marrëzisë së vet. Serbët janë të bindur se pas qershorit të 99-ës e kanë humbur përfundimisht Kosovën. Që nga ky moment strategjia e tyre ka qenë dhe vazhdon të jetë “të marrim çfarë të mundemi”. Në këtë kontekst, plani i tyre ka qenë dhe mbetet ndarja e Kosovës. Korrigjimi i kufijve mbi baza etnike është një ide e vjetër serbe, e shprehur edhe nga lideri i mëparshëm i Vuçiç, Vojslav Sheshel, i cili në 1984-ën mbështeste ndarjen e Bosnjës-Hercegovinës mes Serbisë dhe Kroacisë.

Kjo ide është përqafuar nga benjamini i tij, Aleksandër Vuçiç për zgjidhjen e problemit të Kosovës, i cili u ngjit në politikën serbe si një nacionalist radikal i‘konvertuar’ në liberal pro-europian. Prej disa vitesh ai është lideri suprem i Serbisë i cili nga një anë ka luajtur kartën e të moderuarit me BE-në, dhe nga ana tjetër, kartën e pan-sllavizmit me Rusinë, dhe atë të nacionalistit me serbët. Megjithatë, ai ka pasë guximin që, në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, të hedhë për diskutim në publik idenë e një zgjidhje përfundimtare të çështjes së Kosovës. Përkudër, lidershipi ynë në Kosovë, por edhe në Shqipëri pas 2016-ës, ka qenë më i paqartw se kurrë duke punuar pas perdeve për një nga temat më të rëndësishme të kombit shqiptar në shek XXI.

Dialogu Prishinë-Beograd për normalizmin e marrëdhënieve nisi nën ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, në 2011-ën. Në këtë kuadër janë nënshkruar disa marrveshje të cilat, megjithëse problematike në implementim, e kanë lëvizur procesin nga pika e vdekur e para 2011-ës. Kursi duket së ndryshoi kur Vuçiç i forcoi edhe më shumë pozitat në Serbi, ndërsa në Prishtinë dhe Tiranë duket sa pat’ një vullnet të mirë për t’u marrë vesh me presidentin serb në terma miqësorw.

Në këtë kuadër, plani i vjetër serb për ndarjen e Kosovës filloi të artikulohet si një zgjidhje e mundshme, derisa vjet vetë presidenti i Kosovës, për habi të shumëkujt, doli në një konferencë për shtyp dhe e artikuloj idenë e korrektimit të kufijve. Mirwpo, nuk ka të madh e të vogël, në Kosovë dhe Shqipëri, që nuk e di se ky është një projekt serb, se vetëm serbët duan të flasin për Kosovën në terma kufijsh. Marrja nën zotërim e veriut të Kosovës, më shumë se përkudjesje për serbët atje, është interes strategjik për Serbinë. Në veri, në bazë të të dhënave të vetë Serbisë, jetojnë vetëm 42,2% e serbëve të Kosovës. Marko Djuriç, kreu i Zyrës për Kosovën, thekson rëndësinë jetike të marrjes nën kontroll të majës së Pançiçit në malin Kopaonikut nga ku gjysma e Serbisë mund të vrojtohet lirshëm nga armiqtë, (shiko raportin e Inisiativës Europiane për Stabilitet, prill 2019).

Në Maj të 2018, përpara se Thaçi të merrte lidershipin e planit për ndryshimin e kufijve,  ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç shprehet për gazetën Blic se “unë kam folur për ndarjen e Kosovës për më shumë se 10 apo 15 vjet dhe mendoj se është e vetmja zgjidhje e shpejtë për Kosovën”. Ndërsa në qershor 2018, Radio Europa e Lirë raporton presidentin Vuçiç të deklarojë se “ne jemi duke luftuar për të marrë ç'të mundemi për popullin dhe shtetin tonë…nëse ne marrim, qoftë edhe një metër, do të ishte një fitore, pasi tani nuk kemi asgjë”.

Ndërsa Thaçi, asnjëherë nuk e shtjelloi qartë idenë e tij. Në disa dalje publike ai i ka mëshuar njwherë gozhdws dhe njwherë patkoit, duke deklaruar se Kosova do të marrë Luginën e Preshevës, Medvegjën dhe Bujanovcin. Melodisw së fyellit në këtë vrimë funebre i’a mbajti ison Edi Rama në Tiranë. Ai do të deklaronte se “çdo kush që refuzon të flasë për kufijtë është fëminor… një mundësi e tillë nuk do të vijë për 30 vjet. Në këtë vazhdë, Inisiativa Europiane për Stabilitet, në raportin e fundit, konkludon se kryeministri i Shqipërisë shkarkoi ministrin për Punë të Jashtme, një figurë e respektuar në qarqet diplomatike, vetëm pse ishte kundër planit për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Në fakt, është vetëvrasëse të flasësh për kufijtë me Serbinë, e cila ka zhvilluar katër luftra në 10 vite, vetëm e vetëm për të zgjeruar territorin e saj shtetëror. Dhe, nuk ka asnjë gjasë logjike që Thaçi dhe Rama të ishin të padijshëm në këtë histori. Për rrjedhojë, kjo do të thotë se ata u angazhuan në një projekt të tillë me pasoja për Kosovën me vetëdije të plotë.

Samiti i Berlinit: Gjeopolitikë e vjetër, qëndrime të reja

Ideve erratike të dy aventurierëve në Prishtinë dhe Tiranë i’u dha fund Samiti i Berlinit i thirrur nga kancerlarja Merkel dhe presidenti Makron. Megjithëse ky Samit duket se është kaluar pa theksin e duhur për rëndësinë që bart, përbën një eveniment politik kyç për të ardhmen e Kosovës dhe rajonit në tërësi.

Së pari, dyshja Franko-Gjermane mori në dorë lidershipin europian në kuadër të rifillimit të dialogut Prishtinë-Beograd. Ndërmjetësimi i BE, jo vetëm që nuk e ka dërguar procesin përpara, por desh e hodhi të gjithin në erë, kur Zj. Mogherini anoi në favor të idesë së korrigjimit të kufijve. Media gjermane DW raporton se kjo e ka acaruar pa masë kancelaren Merkel. Helwig, një nga studiuesit më seriozë që është marrë gjerësisht me politikën e jashtme të BE-së, thekson se marrja e pozicionit të PL për PJS të BE-së nga Zj.Mogherini është parë me skepticizëm që në fillim, për shkak të dyshimeve serioze për lidhjet e saj me Moskën. Bash për këto, edhe për faktin se mandatit të saj po i vjen fundi, ajo e ka humbur kredibilitetin si ndërmjetësuese. Vetë kryeministri i Kosovës, Haradinaj, një kundërshtar i rreptë i prekjes së kufijve, ka refuzuar t’a pranojë Mogherinin si moderuese të dialogut. Në këtë kontekst, ai e ka akuzuar atë për minim të pozitës dhe interesave të Kosovës.

Së dyti, Samiti i Berlinit reflektoi divergjencat në rritje mes BE-së dhe SHBA-ve të administratës Trump. Kujtojmë këtu se, për herë të parë SHBA lëvizi nga pozicioni i saj kategorik kundrejt një mundësie për përfshirjen e idesë së ndryshimit të kufijve në dialogun Kosovë-Serbi. Në instancë të parë kjo i dedikohet këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të presidentit, John Bolton. Deklarata e tij në Kiev në 2018, se nëse palët merren vesh ne nuk e përjashtojmë idenë e ndryshimit të kufijve, është një ide e vjetër e Bolton. Në 2008 ai ka qenë ndër të parët që është shprehur se “ndarja e Kosovës në vija etnike është zgjidhja e duhur pasi kjo do të reflektonte realitetin etnik në terren”.

Shtetet e Bashkuara nuk janë shprehur ende mbi deklaratën e Berlinit se, çdo marrveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë politikisht e qëndrueshme dhe të kontribuojë në stabilitetin rajonal. Parimisht ajo është me linjën zyrtare që Uashingtoni ka ndjekur prej vitesh – megjithëse Bolton është investuar shumë në planin e shkëmbimit të territoreve. Për momentin, duket se Gjermania ka luajtur kartat e duhura për të frenuar projektin e shkëmbimit të territoreve. Kancelarja Merkel ka tërhequr me vete Francën, duke formuar një ledh sigurie ndaj çdo ringjalljeje të mundshme për përfshirjen e pazareve territoriale në rifillimin pritshëm të dialogut Kosovë-Serbi.

*Shënim i Politiko: Nuk ekziston një dokument që të konfirmojë se kjo frazë është thënë nga Bismarku. Disa historianë mendojnë se është shpikje e historiografëve të periudhës së komunzimit.  

 

 

Të fundit