Flash News

KRYESORE

Nis zbrazja e Teatrit Kombëtar, bashkia shkul gjatë natës stolat e posterat e shfaqjeve

Pavarësisht protestave të vazhdueshme të aktorëve dhe shoqërisë civile kundër shembjes së godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar, duket se bashkia ka nisur aksionin për zbrazjen e zonës.

Alarmin e ka dhënë regjisori Kastriot Çipi, i cili përmes fotove të publikuara sqaron se punonjësit e bashkisë kanë nisur të shkulin stolat pranë godinës së dy teatrove, si dhe posterat ndriçues të shfaqjeve.

“Filloi me heqjen e tabelës ndriçuese “Eja në teatër”. Pastaj natën u hoqën posterat e shfaqjeve nga fasada e Teatrit Eksperimental në rrugën këmbësore. Dhe po natën, të njëjtët punëtorë të Bashkisë, hoqën një duzinë stola nga sheshi i Teatrit.

Këto veprime, në vend që të dekurajojnë qytetarët që vijnë çdo mbrëmje në protestë, na bëjnë të gjithëve të shtrojmë pyetjen: a nuk tregojnë këto shenja se procesi i “negocimit” me Fusha shpk do të jetë thjesht një farsë?”, shkruan regjisori.

Kujtojmë se ky projektvendim i miratuar në fillim të korrikut nga mazhoranca në Parlament dhe jo i dekretuar nga Presidenti Meta parashikon shembjen e godinës së teatrit dhe në këtë hapësirë publike kompania Fusha shpk të ndërtojë kulla shumëkatëshe.

Të fundit